Ndërlidhjet

Më 6 dhjetor do të hyjnë në fuqi masat e reja kundër pandemisë


Salla 1 Tetori e zbrazët. Kjo sallë është qendra kryesore e vaksinimit në Prishtinë.
Salla 1 Tetori e zbrazët. Kjo sallë është qendra kryesore e vaksinimit në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nga dita e hënë, 6 dhjetor, do të hyjnë në fuqi masat e reja kundër koronavirusit, të cilat u miratuan më 30 nëntor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në situata epidemiologjike në Kosovë është e qetë, por mund të rrezikohet nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron, që veçse është përhapur në disa shtete në botës.

Në një konferencë për media, Kurti tha se janë katër rreziqe me të cilat mund të përballet shumë shpejt Kosova.

“Ardhja e mërgatës për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet nga vijnë numri më i madh i mërgatës, shkalla e ulët e vaksinimit me të dyja dozat në Kosovë dhe shfaqja e variantit të ri të koronavirusit, i njohur si varianti Omicron e që është më lehtë i transmetueshëm sesa varianti Delta”, tha kryeministri Kurti.

Kurti u shpreh se masat kufizuese do shtrëngohen apo lehtësohen varësisht nga situata epidemiologjike.

Sipas masave të reja, qytetarët që do të hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë, të testeve negative apo dëshmisë se e kanë kaluar koronavirusin.

Po ashtu kërkohet nga të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë pas datës 3 janar, 2022, të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë, ose një dozë të vaksinës bashkë me test negativ PCR, ose një dozë e vaksinës me dëshminë e kalimit të sëmundjes.

Shtetasve të Kosovës dhe atyre me qëndrim të përkohshëm, me masat e reja, u jepet “mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikat kufitare” tokësore, por edhe në aeroportin “Adem Jashari”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bëri thirrje për vaksinim të qytetarëve si masë mbrojtëse kundër koronavirusit. Ai njoftoi se procesi i vaksinimit po realizohet edhe gjatë fundjavave.

“Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe ekonomisë, udhëtarët që shërbehen me transportin publik dhe privat do t’u kërkohen dëshmi si vaksinimi i plotë apo pjesshëm dhe bashkë me të, shërimi apo rezultati negativ i virusit”, tha ai gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Kurti.

Nga paraqitja e dëshmive për vaksinim apo testeve për COVID-19, sipas masave të reja, do të përjashtohen personat që kalojnë transit nëpër Kosovë, personat nën 12 vjeç si dhe ata që kanë dëshmi mjekësore se nuk mund të vaksinohen.

Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.

Mbajtja e maskës vazhdon të jetë obligative. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00.

Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, sektor i cili lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.

Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me masat për pandeminë.

XS
SM
MD
LG