Ndërlidhjet

Thaçi e Haradinaj thonë se Palmer rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për Kosovën


Diplomati amerikan Matthew Palmer dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Diplomati amerikan Matthew Palmer dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Zëvëndësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Metthew Palmer siguroi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, se SHBA-ja mbështetë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtari i lartë amerikan qëndroi sot në Prishtinë, në kuadër të një turi në vendet Ballkanit, ku paraprakisht vizitoi Serbinë e më pas edhe Maqedoninë.

Takimet me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj ishin të mbyllura dhe nuk kishte deklarata për media, mirëpo detajet e bisedimeve u bën të ditura një komunikatë nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Aty thuhet se Presidenti Thaçi dhe Palmer kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, për zhvillimet politike në vend, për procesin e integrimeve euroatlantike, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se pas marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, është radha e një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është momentum i mirë për të arritur një marrëveshje historike, që siguron njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi se ka biseduar me Palmer për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Theksova qëndrimin e gjithanshëm, se jemi të paluhatshëm në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës, që është arritur falë sakrificës së popullit tonë dhe investimit afatgjatë amerikan dhe të aleatëve tanë strategjikë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai më tutje tha se e informoi zyrtarin e lartë amerikan edhe për angazhimin e qeverisë në krijimin e një koncepti për unitet të forcave politike sa i përket fazës finale të dialogut.

Palmer është takuar po ashtu me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa me të cilin bisedoi për zhvillet aktuale politike në Kosovë.

“Kosova do t’ju jetë përherë mirënjohëse për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës”, tha Mustafa.​

Vizita e tij në Prishtinë, zhvillohet në kuadër të një turneu diplomatik në rajon.

Kjo vizitë po realizohet në kohën kur institucionet vendore po miratojnë legjislacionin e nevojshëm për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një Forcë me kapacitete shtesë si dhe në kohën e debateve rreth përfaqësimit të Kosovës në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.

Të hënën, Palmer ka qëndruar në Shkup. Ai e ka cilësuar si “kthesë historike” vendimin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Kurse paraprakisht në Beograd, Palmer ka thënë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, ka thënë Palmer në Beograd gjatë adresimit në forumin e sigurisë “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”.

Sipas tij, SHBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.

XS
SM
MD
LG