Ndërlidhjet

Haradinaj: FSK-së i duhen 10 vjet për kapacitete të plota


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ndërtimi i kapaciteteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të zgjasë rreth 10 vjet dhe do të ndahet në tri faza.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë një ligjërate që mbajti para studentëve të një kolegji privat në Kosovë.

Ai tha se nga nuk është vetëm Kosova që do të përfitojë nga transformimi i FSK-së.

“Jo vetëm Kosova, por edhe rajoni ynë do të përfitojnë nga tranzicioni i FSK-së, pasi zhvillimi i një ushtrie të vogël multietnike dhe profesionale do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ajo shmang mundësinë e ndonjë vakuumi të sigurisë në Kosovë dhe kontribuon në përafrimin e vendit tonë me vlerat euroatlantike, lehtëson kalimin e Republikës sonë nga një konsumator i sigurisë te një ofrues i saj, duke i përfaqësuar dhe mbështetur të gjitha komunitetet e Kosovës, lejon angazhim më të madh dhe bashkëpunim me KFOR-in dhe NATO-n, por edhe forcon ekonominë tonë. Kjo iniciativë do të krijojë 2500 vende të reja pune”, deklaroi Kryeministri Haradinaj.

Sipas tij, transformimi i FSK-së, përmes tri projektligjeve që u votuan nga Kuvendi i Kosovës, javën e kaluar, paraqet një proces dhe jo një vendim të izoluar.

“Ky proces transparent e përgatitë Kosovën për rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe i hapë rrugë që të kontribuojë më tej drejt paqes dhe stabilitetit nëpërmjet operacioneve të mbajtjes së paqes”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të respektojë plotësisht mandatin e misionit të KFOR-it, ndërsa FSK-ja do të vazhdojë të mbetet një institucion partner në KFOR.

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar votoi tri projektligje për transformimin e FSK-së të cilat e parashohin edhe krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG