Ndërlidhjet

Mbi 120 mijë thirrje për arsim më të mirë


Peticion për një arsim më cilësor në Kosovë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Peticion për një arsim më cilësor në Kosovë

Sistemi i arsimit në Kosovë vazhdon të përballet me probleme e vështirësi të cilat vlerësohet se po ndikojnë në një cilësi të dobët. Për nivelin jo të kënaqshëm në arsim, Kosova ishte alarmuar qysh pas rezultateve të dala nga Programi për vlerësimin ndërkombëtarë të nxënësve i njohur me shkurtesën “PISA”, në vitin 2016.

Në këtë test Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Nxënësit nga Kosova në këtë test patën treguar rezultate jashtëzakonisht të dobëta.

Një peticion për arsim më të mirë në Kosovë ka mbledhur mbi 120 mijë nënshkrime të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe qytetarëve.

Përmes këtij peticioni i cili i është dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj është kërkuar që arsimi në Kosovë të jetë prioritet dhe të investohet në këtë fushë.

Blond Shehu, përfaqësues i nxënësve, ka theksuar se presin që institucionet e vendit që të rrisin buxhetin për arsimin në Kosovë.

“Kemi folur për çështjet në arsim, pengesat dhe besoj që kryeministri së bashku me neve si një dorë e vetme do të arrijmë t'i largojmë këto pengesa”, thotë ai.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas marrjes së këtij peticioni është zotuar në futjen e arsimit si prioritet nacional dhe investime më të mëdha në këtë sektor.

Ekspertë të çështjeve të arsimit kanë ngritur në vazhdimësi shqetësime të mëdha rreth mësimnxënies dhe cilësisë së arsimit në përgjithësi. Ata iu kishin bërë thirrje institucioneve të vendit që të marrin masa urgjente në përmirësimin e cilësisë në arsim.

Boris Scharlowski, udhëheqës i Organizatës Gjermane për bashkëpunim teknik, GIZ, thotë se janë tri nivele të kërkesave për një arsim më cilësor në Kosovë.

“E para është që arsimi të jetë prioritet, duke përfshirë këtu edhe një rritje të buxhetit për arsim. Kjo rritje e buxhetit të transferohet me cilësi më të mirë në arsim, në trajnim dhe aftësim të mësimdhënësve, tekste shkollore që të jenë në harmoni me standardet ndërkombëtare, arsim parashkollor, trajnim të drejtorëve të shkollave dhe investime gjithëpërfshirëse në arsim të komuniteteve pakicë rom, ashkali dhe egjiptian, nxënësve të riatdhesuar si dhe grupeve të tjera të margjinalizuara”, thotë Scharlowski.

Ditë më parë, edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova ka kërkuar që të bëhen reforma në sektorin e arsimit.

Gjatë një takimi me Komisionin parlamentar për arsim, Apostolova ka inkurajuar deputetët që të miratojnë një program të ri për arsimin me qëllim që të përmirësohet gjendja në këtë sektor. Apostolova ka kërkuar po ashtu vetting në arsim, apo verifikim të të gjitha kuadrove në sistemin arsimor.

Ndryshe, investimet e vogla vlerësohet se kanë ndikuar shumë në cilësinë e dobët në fushën e arsimit. Nga buxheti i Kosovës për vitin 2018, për sektorin e arsimit janë ndarë jo më shumë se 260 milionë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG