Ndërlidhjet

Kryeministri britanik: Ukraina nuk do të anëtarësohet së shpejti në NATO 


Kryeministri britanik, Boris Johnson.
Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha të mërkurën se “nuk ka asnjë mundësi që Ukraina të bashkohet me NATO-n së shpejti”.

Johnson tha se e kupton presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili të martën në një video-telefonatë me të dhe përfaqësues të vendeve të tjera në Forcën e Përbashkët të Ekspeditës, shprehu zhgënjimin e tij që Ukraina nuk ishte lejuar të anëtarësohej në NATO.

“Kjo është e vërteta dhe ne thjesht duhet ta pranojmë ashtu siç është”, tha Johnson.

“Kam biseduar me Volodymyr Zelenskyn përsëri dje (të martën) dhe sigurisht e kuptoj atë që ai po thotë për NATO-n. Dhe, të gjithë kanë thënë gjithmonë - dhe ne e kemi bërë të qartë edhe për Putinin - se nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina të bashkohet me NATO-n së shpejti”, shtoi Johnson.

Kryeministri britanik tha se vendimet në lidhje me të ardhmen e Ukrainës duhet “të merren nga populli ukrainas dhe udhëheqësi i tyre”, dhe u zotua se Britania do të vazhdojë ta “mbështesë” Zelenskyn.

“Gjëja më e rëndësishme është se agresioni i Putinit, sulmet e tij absolutisht barbare ndaj Ukrainës duhet të ndalen”, shtoi kryeministri Johnson.

Përmes një video-lidhjeje, Zelensky tha të martën se “NATO-ja është aleanca më e fortë në botë, por “disa nga anëtarët e kësaj aleance janë të hipnotizuar nga agresioni rus”.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe Zelensky ka kërkuar disa herë nga NATO-ja që të vendosë zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.

NATO-ja ka refuzuar, duke thënë se një veprim i tillë do të mund ta përshkallëzonte konfliktin në përmasat e një lufte të tretë botërore.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
XS
SM
MD
LG