Ndërlidhjet

Më pak ankesa tek Avokati i Popullit


Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi.
Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi.

Kufizimi i lëvizjes si dhe frika nga sëmundja COVID-19, ka bërë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të deponojnë përgjysmë më pak ankesa pranë Avokatit të Popullit më 2020.

Sipas të dhënave, më 2020, tek Avokati i Popullit janë dorëzuar 2.932 ankesa, shifër më e vogël krahasuar me vitin 2019, ku pranë këtij institucioni, ishin dërguar 4.705 ankesa.

“Gjatë vitit të kaluar është konstatuar një rënie drastike e parashtresave drejtuar këtij institucioni. Madje, do të thosha se është përgjysmuar (numri i ankesave) dhe kjo nuk është si rezultat i ngritjes së cilësisë së respektimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, por është si rezultat i efekteve të pandemisë, që i ka izoluar dhe nuk u ka dhënë kurajë personave të prekur nga cenimi i të drejtave, që t’i drejtohen Avokatit të Popullit”, deklaroi Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi, gjatë prezantimit të raportit vjetor të institucionit që udhëheq.

Ziberi tha po ashtu se gjatë pandemisë, kanë qenë fëmijët, të cilët nuk kanë pasur kushte të barabarta për të ndjekur nga distanca procesin mësimor.

“Në këtë drejtim, Avokati i Popullit i ka rekomanduar qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, që të eliminohen të gjitha këto defekte që ndikojnë seriozisht në dobësimin e cilësisë së procesit edukativo-arsimor, dhe këtu, është parë se fëmijët kanë qenë të prekur nga pengesat në zhvillim, që u eliminuan tërësisht nga mundësia e zhvillimit të procesit arsimor”, tha Ziberi.

Avokati i Popullit po ashtu kërkoi që të zgjidhet problemi i shtetësisë së qytetarëve, pasi ka qytetarë që nuk kanë shtetësi të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se kanë jetuar në këtë shtet që prej shpalljes së pavarësisë 30 vjet më parë.

“Në këtë drejtim, apelojmë që të ndërmerren hapa seriozë në prag të ndryshimit të Ligjit për shtetësi, që ky problem të tejkalohet. Po ashtu, duhet të merren parasysh rekomandimet e Konventës Evropiane për shtetësi, veçmas neni 8, i cili thotë se me rastin e vendosjes së trajtimit të kërkesave për shtetësi, duhet pasur parasysh fakti i lidhjes reale të personave që kërkojnë shtetësi me vendin ku e kërkojnë ta realizojnë këtë të drejtë, në kuptimin e lidhjes familjare, të asaj materiale, pronësore, etj”, tha Ziberi.

Avokati i Popullit po ashtu bëri të ditur se gjatë vitit 2020, qytetarët më së shumti janë ankuar për shkeljet që u janë bërë nga gjyqësori, përkatësisht për këtë gjë janë parashtruar 406 ankesa, ku pjesa më e madhe – 195 ankesa – kishin të bënin me punën e përmbaruesve.

Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit po ashtu theksohet se qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë pasur vështirësi që të realizojnë të drejtat e tyre edhe në fushën e shëndetësisë, atë të sigurimit pensional dhe invalidor, të urbanizmit dhe ndërtimit, por ka pasur më pak ankesa edhe për diskriminim në të gjitha fushat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG