Ndërlidhjet

Mediat në shënjestër të kritikave edhe nga Qeveria aktuale


Kalimtarët duke kaluar rrugën afër ndërtesës së Qeverisë në Shkup.
Kalimtarët duke kaluar rrugën afër ndërtesës së Qeverisë në Shkup.

Zyrtarët e shtetit në asnjë mënyrë nuk kanë të drejtë të marrin pozicionin e vlerësimit të punës së mediave, aq më pak t’i shpallin armike media të caktuara në vend, theksojnë punëtorë të mediave në Maqedoninë e Veriut.

Këto reagime pasojnë deklaratat e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, i cili më 16 janar, gjatë një konference për shtyp, tha se disa media në vend përfaqësojnë interesat e kompanive energjetike apo qendrave partiake për komunikim me opinionin.

"Në vend, kemi media, politika editoriale [redaktuese] e së cilës më shumë i ngjan një kompanie që bën tregti me energjensë; gjithashtu kemi dhe media, politika editorialee së cilës më shumë u ngjan politikave editoriale të qendrave për komunikim me opinionin të partive politike”, u është përgjigjur kryeministri Kovaçevski pyetjeve të gazetarëve rreth qëndrimit të tij lidhur me deklaratën e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, si partner i koalicionit qeverisës, i cili u shpreh kundër mediave të caktuara në vend.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, gjatë një takimi me qytetarët në Gostivar mbrëmjen e 15 janarit, duke folur për përçarjet brenda partisë, përkatësisht antagonizmat që janë shpërfaqur në partinë e tij me grupin e njohur si “grupi i zjarrit”, televizionet maqedonase Alfa dhe Telma i ka cilësuar si armiq të shqiptarëve.

“Kujt i bëjmë shërbim me këto lëvizje që po bëhen? Sigurisht që armiqve të shqiptarëve, po duartrokasin. Alfa, Telma, Melma, çfarë janë këto?! Çka fituan shqiptarët që përçaheshin në të kaluarën? Çfarë? Asgjë nuk fituan”, është shprehur Ahmeti.

Megjithatë, gjatë së martës Ahmeti është arsyetuar se deklarata që ka drejtuar, nuk ka të bëjë me mediat e caktuara, por me qëndrimet që jepen në këto media.

“Mendoj se është sqaruar ky problem dhe nuk ka të bëjë me televizionin, por ka të bëjë me paraqitjet dhe frymën... dhe kjo është shqetësuese për mua. Nuk shpreh shqetësimin tim personal, por shpreh shqetësimin e pjesës së madhe të njerëzve, me të cilët unë takohem dhe ne kemi detyrë që njerëzit ne t’i orientojmë drejt”, është arsyetuar Ahmeti.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, e cila kritikohej me vite për ndërhyrje në punën e Qeverisë, tani kritikon pushtetin për një gjë të tillë.

“Kovaçevski nuk duhet të shprehë mendimin e tij për politikën editoriale (redaktuese) të mediave të caktuara. Përkundrazi, ai e ka për detyrë të shprehet për skandalet e pushtetit, për krimet, si dhe për gjendjen katastrofave, në të cilën ndodhet vendi. Por, Kovaçevski dhe Ahmeti, të frikësuar nga disfata që i pret në zgjedhjet e ardhshme, po përdorin dhe mjetin e fundit për të diskredituar mediat me qëllim që ta frikësojnë dhe heshtin opinionin”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

“Nuk guxojmë të kthehemi në kohën e Gruevskit”

Kryetari i Qendrës për Zhvillimin e Mediave, Dejan Georgievski, thotë për Radion Evropa e Lirë se politikanët duan të diktojnë diskursin publik dhe t’i shmangin kritikat drejtuar atyre.
Georgievski thotë se ekzistojnë disa kufij për sa i përket pavarësisë së mediave dhe se deklaratat e Kovaçevskit dhe Ahmetit i kalojnë ata kufij.

“Duhet të shpresojmë se situata nuk do të përshkallëzohet dhe nuk do të kthehet në kohën e qeverisjes së [Nikolla] Gruevskit [ish-kryeministër] dhe grupit të tij, familjes dhe si i trajtuan mediat”, thotë Georgievski.

Saliu: Lufta me mediat, si rezultat i përçarjes brenda partive në pushtet

Gazetari Isen Saliu thotë se ndarjet që kanë përfshirë BDI-në në njërën anë, e që tashmë janë bërë publike, si dhe ndarjet për të cilat gjithnjë e më seriozisht flitet në LSDM, edhe pse nuk kanë dalë në shesh, kanë shtuar nervozizmin tek udhëheqësit e këtyre partive, që njëkohësisht janë edhe udhëheqës të koalicionit qeveritar.

“Do të kishin dhënë një shembull të mirë Ahmeti dhe Kovaçevski nëse kërkojnë falje publike për qëndrimet e tyre kundër mediave. Edhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të duhej të jenë të kujdesshëm në të ardhmen të mos përsërisin të njëjtin gabim, sepse shumë lehtë edhe liria e shprehjes mund të bëhet një pengesë shtesë për Maqedoninë e Veriut në fillimin e negociatave për anëtarësim, krahas kushtit për ndryshimet Kushtetuese”, thotë për Radion Evropa e Lirë gazetari Isen Saliu.

Shoqata e Gazetarëve dënon ashpër qëndrimin e Ahmetit ndaj mediave

“Kjo deklaratë skandaloze është e dëmshme dhe mund të kërcënojë sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke nxitur kështu censurën në një kontekst më të gjerë. Deklarata është në veçanti problematike sepse vjen nga kryetari i një partie politike që është pjesë e Qeverisë dhe mund të stimulojë sulme dhe kërcënime ndaj mediave dhe gazetarëve nga anëtarët e partisë dhe kjo mund të sjellë pasoja shumë negative për lirinë e shprehjes”, thuhet ndër tjerash në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Në luftë me mediat duke hedhur kritika të vazhdueshme ka qenë ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, gjatë qeverisjes nga viti 2006 deri më 2016.

Edhe nga bisedat e përgjuara, të cilat u bënë publike në vitin 2015, u bë e njohur lidhja e ngushtë e tij me media të caktuara dhe ndërhyrja në politikat redaktuese të mediave të caktuara.

Çështja e mediave dhe liria e shprehjes ishte apostrofuar si çështje problematike në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian

Se situata me mediat nuk ka marrë drejtimin e duhur flet dhe rezultati i anketës së realizuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, IRI, publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar ku vetëm 7 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut u besojnë mediave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG