Ndërlidhjet

Bloomberg: Do të respektohet Marrëveshja e Parisit

  • RFE /RL

Micheal Bloomberg

Shtetet amerikane, qytetet dhe bizneset, do t’i plotësojnë përkushtimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara sipas marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike, megjithëqë presidenti, Donald Trump, i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga kjo marrëveshje, tha mbrëmë ish-kryetari i Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

“Amerikanëve nuk u nevojitet Uashingtoni për t’i plotësuar përkushtimet tona ndaj Parisit dhe amerikanët nuk do të lejojnë që Uashingtoni të qëndrojë në rrugën e plotësimit të tyre”, tha Bloomberg, pas takimit në Paris me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Zoti Bloomberg, që është i dërguar special i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Qytete dhe Ndryshim Klimatik, tha se Shtetet e Bashkuara, e kanë udhëhequr botën në reduktimin e gazrave, gjatë dekadës së kaluar.

Sipas tij, pjesa më e madhe e punës është bërë nga shtetasit, bizneset dhe qytetet, e jo nga qeveria federale dhe se reduktimi i gazrave është bërë nga forcat e tregut, që kanë krijuar energji solare, energji të erës, dhe gaz natyror më të lirë, për përdorim në prodhimin e energjisë se sa thëngjilli.

“Dëshiroj që bota ta dijë se Shtetet e Bashkuara do t’i plotësojnë përkushtimet e veta ndaj marrëveshjes së Parisit dhe kjo do të arrihet nëpërmjet partneritetit në mesin e shteteve, qyteteve dhe bizneseve, që do të synojnë të mbesin pjesë e procesit të marrëveshjes së Parisit”, tha Bloomberg.

Duke u shprehur për tërheqjen e presidentit amerikan, Donald Trump, nga kjo marrëveshje, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, që bisedoi me zotin Bloomberg, theksoi:

“Qeveria e një vendi madhor u largua nga përkushtimet e veta për ndryshime klimatike, por vetëm qeveria nuk e simbolizon vendin. Disa pjesëmarrës të tjerë, politikë e ekonomikë, e po ashtu shtetasit, qëndrojnë dhe i ndërmarrin mijëra nisma dhe ne do t’i mbështesim ata dhe do të luftojmë së bashku me ta. Ajo që është menduar se mund të na dobësoj neve, në të vërtetë do të na bëjë më të fortë”.

Pas vendimit të presidentit Trump për tërheqje nga Marrëveshja e Parisit, guvernatori i Kalifornisë, që është shteti më i madh amerikan, ka udhëtuar për në Kinë për të diskutuar për çështjen e klimës.

“Donald Trump absolutisht e ka vendosur një kurs të gabueshëm. Ai gabon në fakte. Ai gabon në shkencë”, tha guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, shteti i të cilit zakonisht e ka udhëhequr pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara, në aksionin për mbrojtjen e ambientit.

“Kalifornia do t’i rezistoi këtij kursi të kequdhëhequr dhe të papërgjegjshëm”, tha zoti Brown, dhe ka shfaqur përkushtimin se “Kalifornia është në terren, e përgatitur për betejë”.

Zoti Bloomberg tha se koalicioni, të cilin ai po e organizon, do t’i njoftojë Kombet e Bashkuara se qytetet, shtetet dhe bizneset amerikane, ende synojnë plotësimin e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për reduktimin e emisionit të gazrave për 26%, nën nivelet e vitit 2005, deri në vitin 2025, siç ishte përkushtuar administrata e ish-presidentit, Barack Obama, për marrëveshjen klimatike.

“Ne tashmë jemi në gjysmë të rrugës dhe ne mund ta përshpejtojmë më tutje procesin tonë, bile edhe pa kurrfarë mbështetje të Uashingtonit”, tha Bloomberg.

Zoti Bloombeerg, miliarder dhe ish-pronar i disa medieve, tha se fondacioni i tij do të ndihmoj në koordinimin e përpjekjeve në Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, ky fondacion do t’i japë 15 milionë dollarë, të cilat sekretariati i klimës i Kombeve të Bashkuara do t’i humbë nga Uashingtoni, për të siguruar se nuk do të ketë shkatërrim në punën e tij.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG