Ndërlidhjet

Në çështjen ndaj migrantëve, BE-ja përkrah qasjen hungareze


Një vajzë e vogël qëndron në një kamp për refugjatët dhe migrantët në Lesbos të Greqisë. 9 mars, 2020.

Në mospajtimet e fundit në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë, një gjë është bërë tërësisht e qartë: Brukseli ka ndryshuar plotësisht qasjen ndaj migrimit. Tash e një kohë ka qenë e ditur se blloku në tërësi, nuk dëshiron të paraqesë veten si vend për refugjatë, mirëpo në javën e kaluar ai ka vënë theksin te një pjesë e mesazhit kundrejt atyre që kanë dëshiruar të hyjnë brenda: Ju nuk do të kaloni muret.

Shumë njerëz, me të cilët kam biseduar në Bruksel, kanë folur për dy fotografi që kanë përcaktuar disa momentume të vitit 2015 për Bashkimin Evropian.

E para është e Alan Kurdit, kurdit sirian 3-vjeçar, trupi i pajetë i të cilit është parë në brigjet e Turqisë, pasi familja e tij ka tentuar të kalojë Detin Egje, me shpresën e arritjes në ishullin grek, Kos. Kjo fotografi pati shtyrë shumë qeveri në Evropë që të hapin kufijtë dhe të mirëpresin refugjatët, kryesisht nga Siria.

Fotografia e trupit të pajetë e 3-vjeçarit, Alan Kurdi, në brigjet turke, kishte tronditur botën më 2015.
Fotografia e trupit të pajetë e 3-vjeçarit, Alan Kurdi, në brigjet turke, kishte tronditur botën më 2015.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel pati thënë Wir schaffen das! (Ne mund ta menaxhojmë këtë!) derisa shprehja willkommenskultur (kulturë mikpritëse) ishte kthyer në zhargon.

Në po të njëjtën vjeshtë, një tjetër fotografi u ngulit në mendjet e shumë evropianëve. Në të shiheshin turma njerëzish duke vrapuar nëpër kufij, bashkë me trenat e stërmbushur në zemër të Evropës.

Ajo fotografi ka qenë edhe imazh që tregonte se gjërat nuk janë në kontroll. Më vonë, në nëntor të vitit 2015 ndodhën sulmet në Paris, përgjegjësinë për të cilat e patën marrë disa njerëz që kanë hyrë në territorin evropian me valën e njerëzve po atë vit. Ndërkohë kanë nisur diskutimet se jo të gjithë ata që kanë hyrë në BE, kanë qenë refugjatë.

Një marrëveshje ishte arritur shpejt me Turqinë më 2016. Gjashtë miliardë euro i ishin paguar Ankarasë (ndonëse në realitet u janë dhënë grupeve të shoqërisë civile, jo qeverisë), për të mbajtur njerëzit larg kalimit të kufirit me Greqinë.

Agjencia kufitare e BE-së, Frontex ishte ankuar dhe për pasojë ishin krijuar ndalesa dhe mure përgjatë kufijve të Shengenit.

Migrantët kalojnë rrethojat me tela, të vendosura në kufirin ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë. 26 gusht, 2015.
Migrantët kalojnë rrethojat me tela, të vendosura në kufirin ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë. 26 gusht, 2015.

Mirëpo deri në atë kohë, dëmi politik veçse ishte bërë. Shumë persona kanë thënë se fotografitë që kanë treguar kaosin e vjeshtës së vitit 2015, kanë kontribuuar që britanikët të marrin vendim për largim nga blloku evropian në vitin 2016.

Frika e “turmave të migrantëve”, u ka ndihmuar partive, Fidesz në Hungari dhe Partisë polake, Ligji dhe Drejtësia (PiS), që të fitojnë pushtetin në vendet ku veprojnë.

Ndërkohë në Gjermani dhe Suedi, dy vendet evropiane që kanë treguar më së shumti dëshirë për të mirëpritur të huajt, e djathta ekstreme ka shënuar përparim përtej imagjinatës më të shfrenuar.

Partia gjermane e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë është renditur e treta në zgjedhjet federale më 2017, duke u kthyer në partinë më të madhe opozitare, përderisa fqinjët suedezë, Demokratët Suedezë, janë ngjitur po ashtu të tretët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018.

Sipas disa sondazheve të mbajtura së fundmi, Demokratët Suedezë do të fitonin zgjedhjet nëse ato do të mbaheshin sot.

Ndërkohë, nuk ka dyshim që është toni në Bruksel është bërë më i ashpër. Kur presidentët e tri institucioneve evropiane janë nisur drejt Greqisë javën e kaluar, në shenjë solidariteti me Athinën, ata kanë cilësuar këtë shtet si “mburojë” të bllokut.

*Video: Sirianët presin hapjen e kufijve për të mbërritur në Evropë

Sirianët presin hapjen e kufijve për të mbërritur në Evropë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:23 0:00

Madje zëdhënësi i Komisionit Evropian nuk ka qenë në gjendje të komentojë apo të dënojë incidentet, kur është pyetur për pamjet e fundit që tregojnë dhunën e zyrtarëve grekë dhe përdorimin e plumbave të gomës.

“Një Evropë që mbron”, është slogani i ri i kryeqytetit evropian.

Shumë njerëz natyrisht kanë thënë se personat që po synojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian nuk janë nga provinca Idlib e Sirisë, por nga Afganistani, Irani apo edhe Maroku.

Megjithatë, blloku evropian nuk ka qenë shumë i interesuar që të kuptojë nëse këta njerëz janë azilkërkues të vërtetë para kufijve të tyre.

Vetëm dy shtete, Finlanda dhe Luksemburgu kanë treguar gatishmëri për të strehuar të miturit e pashoqëruar.

Brukseli në anën tjetër ka ndarë edhe për shumë para për Frontex-in, bashkë me 700 milionë euro shtesë për Greqinë, si shenjë mbështetjeje për menaxhimin e kufirit dhe migrimit.

Fundja, janë marrëdhëniet me Turqinë që konsiderohen çelës sikurse herët tjera. Të dy palët, ministrat për Punë të Brendshme dhe ata për Çështje të Huaja në BE, janë pajtuar javën e kaluar në deklaratat se “kundërshtojnë ashpër qasjen e Turqisë për përdorimin e presionit të migrimit për qëllime politike”.

Disa prej tyre ndoshta do të dëshironin të ishin edhe më të ashpër, duke marrë parasysh aktivitetet e Ankarasë për shpim në det të hapur, furnizimin me armë në Libi dhe marrëdhëniet e afërta me Moskën.

Megjithatë, të gjithë e dinë se ky shtet është amortizator i BE-së, pasi streson 3.7 milionë migratë dhe refugjatë, të cilët nëse kanë mundësi, do të udhëtonin drejt vendeve perëndimore.

Nga 6 milionë eurot që ka ndarë Brukseli për Turqinë 4 vjet më parë, gjysma e tyre veçse janë paguar.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka shumë mundësi që të kërkojë për më shumë. Ka thashetheme që thonë se Gjermania është duke konsideruar planifikimin e një pakoje të dytë monetare për ta ruajtur marrëveshjen.

Tani për tani, shumica e vendeve janë qetësuar pasi Turqia dhe Rusia kanë arritur armëpushim, që mund të ndalë presionin ndaj BE-së.

Mirëpo fakti që liderët sikurse presidenti rus, Vladimir Putin dhe Erdogan kanë në duar mirëqenien e BE-së në të ardhmen, dhe se kryeministri hungarez, Viktor Orban mund të potencojë me krenari dhe ka pasur të drejtë që muri kundër migrimit ka qenë i domosdoshëm, duhet të ndikojë në përqendrimin e mendjeve në Bruksel.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG