Ndërlidhjet

Kosova pret e përcjell migrantë


Migrantët në Serbi drejt kufirit me Hungarinë më 6 shkurt, 2020.
Migrantët në Serbi drejt kufirit me Hungarinë më 6 shkurt, 2020.

Palestinezi Mohamad Al Tael, 26 vjeç, ka dhjetë muaj që është duke qëndruar në Kosovë, në kampin për azilkërkues në Magure.

Ai ka udhëtuar për më shumë se tre muaj. Është nisur nga Turqia në Greqi, ka kaluar kohë në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe, në fund, ka hyrë ilegalisht në Kosovë.

Mohamadi thotë se planifikon të largohet edhe nga Kosova drejt një vendi, ku, sipas tij, mund të gjejë punë.

“Plani im është që të dal jashtë, të filloj të gjej ndonjë punë, ndoshta të shoh sesi të bashkohem me familjen time nëse mundem”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mohamad Al Tael
Mohamad Al Tael

Mohamadi ka gati katër vjet që është larguar nga vendlindja e tij në Autoritetin Palestinez, në kërkim të një jete më të mirë. Që nga ajo kohë thotë se ka shpenzuar mbi 20 mijë euro, duke qëndruar dhe udhëtuar nga njëri shtet në tjetrin.

Bashkë me të, në kampin në Magure, që ndodhet rreth 15 kilometra larg Prishtinës, jeton edhe Nasser Almassalma, 54 vjeç, nga Siria.

Ai ka hyrë në Kosovë nga Serbia dhe fillimisht është vendosur në qendrën për azilkërkues në Vranidoll, e cila ndodhet më afër Prishtinës - rreth 15 kilometra.

“Kam jetuar në Hungari për më shumë se 20 vjet dhe ata më kanë deportuar. Kam shkuar në Serbi dhe nga Serbia kam ardhur në Kosovë. Kosova me pëlqen, njerëzit këtu janë të mirë dhe të respektueshëm”, thotë Nasseri.

Mbi 1,300 migrantë kanë hyrë në Kosovë në gati 11 muaj

Brenda një viti, Kosovën e shfrytëzojnë qindra migrantë si vend transiti për në vendet e Bashkimit Evropian.

Migrantët që hyjnë në Kosovë ilegalisht, janë kryesisht nga Siria, Maroku, Algjeria, Afganistani dhe Libia.

Fitim Zariqi, drejtor i Qendrës për Azil në fshatin Magure të Lipjanit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga janari deri më 17 nëntor, 516 migrantë që kanë kërkuar azil në Kosovë, janë regjistruar si azilkërkues.

Kampi për azilkërkues në Magure.
Kampi për azilkërkues në Magure.

Brenda kësaj periudhe, sipas Zariqit, 880 migrantë kanë kërkuar leje të përkohshme qëndrimi dhe një e tillë u është ofruar për 72 orë.

Pas 72 orësh, ata duhet të dalin nga Kosova.

“Tashmë është e ditur se emigrantët, Kosovën po e shfrytëzojnë si vend transit, sikurse po i shfrytëzojnë edhe vendet e tjera të Ballkanit. Pra, synim i tyre është që ata të shkojnë diku në vendet e Bashkimit Evropian. Të gjithë ata që vijnë në Kosovë, i kanë të gjitha kushtet dhe të gjithë ata që kanë ardhur, kanë deklaruar se janë të kënaqur, por qëllimi i tyre është që të shkojnë diku tjetër”, thotë Zariqi.

Sipas Ligjit për azil në Kosovë, për të fituar statusin e azilit, procedurat marrin gjashtë deri në nëntë muaj kohë.

Në vitin 2019, në Kosovë kanë aplikuar 2,081 persona për azil, kurse në vitin 2020 1,409 persona.

Azilkërkuesit që hyjnë në territorin e Kosovës, kryesisht shfrytëzojnë zona të gjelbra kufitare për të kaluar kufirin ilegalisht, thotë Zariqi.

“Shumica e emigranteve ose e azilkërkueseve kanë hyrë nga territori i Shqipërisë - 80% e tyre, pastaj nga Maqedonia e Veriut 12 %, nga Mali i Zi 0.50%, nga Serbia 4.50% dhe në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ 3%”, thotë Zariqi.

Në kampin e Magurës aktualisht ndodhen rreth 40 migrantë.

Zariqi thotë se shumica e migrantëve që hyjnë në Kosovë, janë të moshës së re - deri në 30 vjeç - dhe se i takojnë besimit islam.

Por, jo të gjithë migrantët që hyjnë në Kosovë, lajmërohen në polici. Thuhet se ka të tillë që përkohësisht banojnë në shtëpi e hotele private, derisa gjejnë rrugë për të dalë nga Kosova.

Që nga fillimi i vitit 2015, rajoni i Ballkanit Perëndimor është bërë qendër transiti për njerëzit që ikin kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe synojnë të vendosen në vende të Bashkimit Evropian.

BE-ja dhe Agjencia për Migracion e Kombeve të Bashkuara kanë ofruar mbështetje për autoritetet në Kosovë, për të përmirësuar menaxhimin e flukseve të migracionit, sidomos gjatë pandemisë COVD-19, si dhe për të forcuar kapacitetet për të pritur dhe mbrojtur migrantë.

Këtë muaj është rindërtuar një ish-ndërtesë ushtarake në Vranidoll, që do të shërbejë si qendër pranimi dhe regjistrimi për migrantë.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNHCR) ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është duke bërë monitorimin e trendeve dhe identifikimin e nevojave të personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG