Ndërlidhjet

Mijëra njerëz protestojnë në Prishtinë kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte

E përditësuar
Një protestues mban një pankartë me mbishkrimin "Ju paralajmërojmë: Padrejtësinë nuk e pranojmë!" gjatë protestës në Prishtinë më 18 shtator kundër dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, më 16 shtator.
Një protestues mban një pankartë me mbishkrimin "Ju paralajmërojmë: Padrejtësinë nuk e pranojmë!" gjatë protestës në Prishtinë më 18 shtator kundër dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, më 16 shtator.

Mijëra qytetarë u mblodhën të premten në kryeqytetin Kosovës duke e kundërshtuar dënimin me burgim për krime lufte të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ditë më parë.

Ata shpalosën një sërë kërkesash për institucionet e vendit, përfshirë, shfuqizimin apo ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Hashim Thaçi, Kadi Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët udhëhoqën UÇK-në gjatë luftës së saj kundër forcave serbe më 1998-99, u shpallën fajtorë më 16 shtator nga ajo që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës, për katër akuza për krime lufte.

Ata i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se do të ankohen ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Apelin e Speciales.

Dënimi i tyre me burgim është kritikuar ashpër në Kosovë, ku ata shihen si heronj kombëtarë.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë më 1998-'99 thotë se i ka dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës, shumica dërrmuese e tyre shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.

Mijëra njerëz mblidhen në qendër të Prishtinës për ta kundërshtuar dënimin me burgim të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.
Mijëra njerëz mblidhen në qendër të Prishtinës për ta kundërshtuar dënimin me burgim të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.

Gjatë fjalimit, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se sot “të gjithë jemi UÇK”.

“Sot jemi tubuar këtu për ta ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe. Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata Speciale ta shfuqizojë dhe ta marrë parasysh këtë popull që është ngritur, tha Gucati.

Në fund të protestës, organizatorët shpalosën katër kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës: Shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e të pandehurve dhe angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtar në mbrojtje të UÇK-së.

Gërvalla është kritikuar për mungesë reagimi ndaj Gjykatës Speciale për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Në protestën që po u mbajt në sheshet kryesore të kryeqytetit morën pjesë edhe politikanë të lartë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie dhe të Aleancës, përfshirë Ramush Haradinajn.

Protestuesit dëgjoheshin duke brohoritur "UÇK" dhe duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime kundër vendimit të gjykatës.

Para protestës, Policia e Kosovës u bëri thirrje pjesëmarrësve t’i ndjekin udhëzimet e zyrtarëve policorë, të mos hedhin gjësende e mjete të forta dhe të mos përdorin maska.

Gjatë protestës pranë objektit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, në Prishtinë, i cili u përfshiu pjesërisht zjarri të mërkurën, kishte protestues të maskuar.

Protesta e së premtes, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ishte vazhdimësi e protestave të mbajtur në vend qëkurse gjykata i shpalli ata fajtorë.

Një ditë më partë, Thaçi, ish-president i Kosovës, u bëri thirrje qytetarëve ta ruajnë qetësinë pas aktgjykimit dënues ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Avokati i tij, Luka Mishetiq, përcolli mesazhin e Thaçit të enjten, ku ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe e cilësoi vendimin e 16 shtatorit të padrejtë.

Për çfarë u dënuan ish-eprorët e UÇK-së?

Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

Trupi gjykues i shpalli ata përgjegjës penalisht për krimet e luftës të ndalimit arbitrar të 385 njerëzve, trajtimit mizor të 49, torturimit të 303, dhe vrasjen e 96 njerëzve.

Sipas aktgjykimit, viktimat përfshinin shqiptarë të Kosovës që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së, individë që pretendohej se kishin lidhje me Republikën Federative të Jugosllavisë ose autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të caktuar të pakicave etnike, përfshirë një numër romësh dhe serbësh.

Në anën tjetër, që të katërtit u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.

Apelimi

Avokati i Thaçit, Mishetiq tha se aktgjykimi dënues do të apelohet në Gjykatën e Apelit në Hagë, pasi pretendoi se ka gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që “kanë cenuar” që procesi gjyqësor “të jetë i drejtë”.

Mishetiq shkroi se përgjatë gjithë procesit gjyqësor, mbrojtja ka shprehur shqetësime për drejtësinë procedurale, përfshirë edhe “pyetjet e shumta të bëra nga anëtarët e trupit gjykues që nuk krijonin përshtypjen e paanshmërisë”.

Çfarë ndodh më tej pas dënimit të Thaçit? Çfarë ndodh më tej pas dënimit të Thaçit?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:30 0:00

Mbrojtja, sipas tij, argumentuan se gjetjet e trupit gjykues për fajësinë e provuar përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme.

Ndërkohë, edhe Prokuroria mund të ankohet në Apel pasi trupi gjykues i hodhi poshtë akuzat ndaj tyre për krime kundër njerëzimit.

Prokurorja e Specializuar Kimberly West ka thënë se zyra e saj do t’i shqyrtojë edhe këto pjesë të aktgjykimit.

XS
SM
MD
LG