Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Mbi 200 milionë euro të bankave të bllokuara në gjykata


Fotografi ilustruese

Mbi 200 milionë euro mjete të bankave komerciale janë bllokuar në lëndët gjyqësore, thonë udhëheqës të Shoqatës se Bankave të Kosovës. Kjo vlerë financiare llogaritet nga afër 10 mijë lëndë që ekzistojnë të pazgjidhura në këto gjykata.

Petrit Balija, udhëheqës i Shoqatës së Bankave të Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se vlera e mjeteve të cilat nuk janë në qarkullim në tregun e Kosovës, ndikon edhe në zhvillimin e veprimtarive të bankave komerciale që veprojnë në Kosovë.

“Duke pasur parasysh nevojën më të madhe për kreditim dhe nevojën e madhe për zgjerim ekonomik të Kosovës, 200 milionë euro kanë një ndikim të madh në sektorin bankar. Kjo sigurisht e vështirëson edhe kreditimin, sepse edhe risku ngritet në rastin kur gjyqësori nuk funksionon”.

Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq thonë se pikërisht sistemi i drejtësisë në Kosovë është shkaktari kryesor i frenimit të zhvillimit ekonomik, jo vetëm për funksionimin e bankave, por edhe për inkurajimin e investimeve të jashtme.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thotë se nga mosfunksionimi në mënyrë efikase i gjykatave, vjen deri tek rritja e kredive të këqija, e që për pasojë kanë rritjen e kamatave për kredi.

“Kur të bëhet kalkulimi i normave të rrezikut të kredisë, rreziku numër një është funksionimi i dobët i sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe prandaj kemi kamatat të cilat i kemi paguar dhe vazhdojmë t’i paguajmë, më të lartat në rajon”.

Ndryshe, grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura, vazhdon të jetë problem i cili sistemin e drejtësisë po e përcjell në vazhdimësi. Mbi 200 mijë lëndë të vjetra mbesin të pazgjidhura.

Pavarësisht këtyre, kreditë joperforumese në bankat komerciale janë në nivel të ulët, krahasuar me vendet e rajonit, ka thënë ditë më parë ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, duke shtuar se sektori financiar vazhdon të jetë stabil dhe fitimprurës.

“Kreditë joperformuese kanë vazhduar trendin rënës dhe sot norma e kredive joperformuese është në nivelin 3.6 për qind, që është një tregues dukshëm më i mirë krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë. Sektori financiar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar dhe me gjendje të mirë të likuiditetit”, ka thënë Mehmeti.

Ndryshe, vlera e kredive në dhjetë bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 2 miliardë e 400 milionë euro, me normë mesatare të interesit prej 6.8 për qind.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG