Ndërlidhjet

Mocioni i opozitës rrezikon funksionimin e Kuvendit


Kuvendi i Kosovës, maj, 2019.

Me apo pa nisjen e mocionit të mosbesimit nga opozita ndaj Qeverisë, Kuvendi i Kosovës, sipas partive opozitare dhe organizatave që monitorojnë punën e legjislativit, nuk është aspak funksional. Për problemet rreth funksionimit dhe vendimmarrjes, flasin edhe deputetë nga partitë në pushtet.

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, janë duke shqyrtuar tani e sa kohë një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kuvendi i Kosovës ka kohë që nuk është funksional dhe se sipas saj, në rrethana të tilla duhet të ndërmerren vendime të menjëhershme opozitare dhe qytetare.

“Ka kohë që Kuvendi është jofunksional edhe për shkak të papërgjegjësisë së kryetarit të Kuvendit i cili nuk e ka marrë seriozisht e as prioritet punën e Kuvendit të Kosovës. Kjo është njëra nga arsyet pse Kuvendi është jofunksional, ku shumë pika të rendit të ditës që kanë mbetur pa u trajtuar, pa u shqyrtuar dhe pa u votuar. Arsye tjetër është mungesa e numrave të koalicionit aktual. Koalicioni aktual mezi qëndron në këmbë dhe padyshim që kjo e bën të vështirë punën e tyre në Kuvend si organi më i lartë ligjvënës”, thotë Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës, që nga muaji janar ka të papërfunduara rreth 60 pika të rendit të ditës dhe ka shumë çështje tjera të cilat janë përmbylluar nga komisionet parlamentare, por që nuk arrijnë të trajtohen apo votohen në Kuvend.

Për faktin se Kuvendi nuk po funksionon si duhet, pajtohen edhe deputetët nga koalicioni qeverisës.

Zenun Pajaziti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, e cila paraqet partinë më të madhe në koalicionin qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës po përballet me vështirësi.

“Kuvendi i Kosovës ka kohë që po përballet me vështirësi në funksionimin e tij, por kjo nuk ka penguar që agjenda e Kuvendit të vazhdojë ashtu siç është venduar nga kryesia e Kuvendit, pra kemi pasur në agjendë pikat e rregullta edhe shqyrtimin e projektligjeve dhe çështjeve tjera, por më së shumti ka pasur në agjendë seanca të jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës dhe kjo shumë herë ka sjell vështirësi në votimet e atyre rezolutave apo vendime për çfarë kanë pretenduar opozita”, thotë Pajaziti.

Megjithatë, ai shton se agjenda e Kuvendit nuk duhet të bie në presion të kërkesave të opozitës për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë. Ai thotë se kurdo që opozita t’i bëjë votat për rrëzimin e Qeverisë mund të paraqitet në Kuvend.

Por, gjithsesi, shton Pajaziti, koalicioni qeverisës duhet të jetë më i përgjegjshëm në aktivitetet e veta.

“Nëse konsiderojmë që votat janë të mjaftueshme për të aprovuar projektligje apo vendime të ndryshme në Kuvend ose çështje të ndryshme, atëherë duhet të kemi një vijueshmëri më të mirë të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Opozita gjithmonë do të kërkojë qoftë dorëheqjen e Qeverisë, qoftë edhe që të mos i votojë çështjet e ndryshme që sillen në agjenda nga Qeveria apo mazhoranca”, thotë Pajaziti.

​Puna e Kuvendit monitorohet nga Instituti Demokratik i Kosovës. Në këtë Institut thonë se Kuvendi edhe tash kur nuk ka një mocion formal të ngritur, nuk është duke funksionuar siç duhet.

Artan Murati nga ky Institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e shumicës parlamentare ka bllokuar politikisht Kuvendin.

Sipas tij, në mungesë të shumicës parlamentare, koalicioni është detyruar që shumë nisma t’i çojnë përpara vetëm me ndihmën e njërit subjekt opozitar, në këtë rast Partisë Socialdemokrate. Po, së fundit edhe socialdemokratët kanë përkrahur në parim nisjen e mocionit, kështu që ky zhvillim mund t’ia komplikojë edhe më shumë punët koalicionit qeverisës.

“Mënyrën se si duhet funksionojë Kuvendi dhe si po funksionon aktualisht, tregon se nuk ka jetëgjatësi sepse nuk është e mundur që të kalohet edhe më shumë se gjysma e mandatit me këto rrethana siç jemi duke shkruar deri tash. Është pak e besueshme që kjo legjislaturë të përmbush afatin e vet kushtetues qysh e ka të paraparë në fillim”, thotë Murati.

Ai shton se për ta funksionalizuar Kuvendin çështja e parë që do të duhej të bëhej nga fillimi do të ishte garantimi i një shumice parlamentare që do të ndihmonte Qeverinë që të shtynte përpara të gjitha çështjet që i ka në agjendë pavarësisht pjesëmarrjes së opozitës.

“Çështja tjetër se si duhet të funksionalizohet Kuvendi është edhe funksionimi më i mirë i Kryesisë së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit duhet të ketë më tepër vizion se si ta organizojë punën në Kuvend dhe të kërkohet bashkëpunim me grupet parlamentare që seanca të caktohet në ditë kur deputetët janë të pranishëm dhe mund të marrin pjesë dhe po ashtu të ketë një seriozitet më të madh të deputetëve për punën e tyre, pasi që mungesa e deputetëve janë të larta jo vetëm të opozitës, por edhe të koalicionit qeverisës”, thotë Murati

Ndërkohë, Albulena Haxhiu deputete nga Vetëvendosje thekson se si opozitë janë duke u koordinuar se kur do ta procedojnë në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Nuk mund të them si i kemi numrat tani sepse aktualisht nuk i kemi, por besoj që pavarësisht rrethanave mocioni duhet të vendoset në seancën e Kuvendit sepse është e qartë që ka shumë deputetë brenda koalicionit që nuk janë të kënaqur me situatën politike, ekonomike dhe sociale. Në këtë kuptim duhet angazhim, ne jemi duke u koordinuar dhe do të kemi veprime konkrete në ditët në vijim”, thotë Haxhiu.

Për të pasur sukses një mocion për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvend nga momenti kur Lista Serbe, e cila është pjesë e Qeverisë, ka vendosur që në Kuvend të kalojë në opozitë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG