Ndërlidhjet

Rikonfigurimi i Qeverisë, opsion më i mundshëm se zgjedhjet


Mbledhje e Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Këmbëngulja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që të mos e pezullojë vendimin për taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pavarësisht kërkesës për një pezullim të tillë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka krijuar situatë mjaft të tensionuar brenda partnerëve të koalicionit qeverisës në vend, por edhe të skenës politike në përgjithësi, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

SHBA-ja dhe BE-ja, kanë kërkuar pezullimin e taksës në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Përderisa kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngulë për taksën ndaj mallrave serbe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është lider i partisë më të madhe brenda koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës, është pajtuar për një pezullimin për 120 ditë të kësaj takse.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, janë duke rrezikuar ekzistencën e këtij koalicioni. Por, megjithatë, ata përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme eventuale.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se situata e krijuar në koalicionin qeverisës, nuk mund të zgjatë.

“Kriza e madhe politike, në të cilën gjendet Kosova, nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Pra, nevojitet një zgjidhje e shpejtë, e cila mund të bëhet vetëm në dy mënyra. Pra, që kryeministri Haradinaj të heqë dorë nga taksa prej 100 për qind, ta pezullojë atë ose që të kemi një rikonfigurim të plotë të Qeverisë, një ndryshim të kryeministrit dhe një përfshirje të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Qeveri. Pra, vetëm këto dy mundësi janë aktualisht realiste”, tha Muhaxhiri.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër, Agon Maliqi. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë që tashmë ekziston presion i madh ndërkombëtar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë brenda këtij viti. Në këtë pikë, zgjedhjet e parakohshme do ta komplikonin situatën dhe mund të sjellin paqartësi edhe më tej.

“Nëse Haradinaj nuk tërhiqet nga taksa, mendoj që gjasat më të mëdha janë që të ketë një rikonfigurim të Qeverisë, brenda konstelacionit të tanishëm të Kuvendit të Kosovës. Kështu i lexoj edhe deklaratat e fundit të LDK-së. Përderisa LDK-ja më herët më shumë bënte thirrje për zgjedhje, sikur është tërhequr pak prej asaj kërkese. Duket sikur po çon drejt krijimit mbase të një qeverie të re, e cila ende nuk dihet se a do të jetë LDK - PDK apo do të përfshijë edhe të tjerë. Por, ajo duhet ta ketë një lloj peshe më të madhe për të shtyrë përpara procesin shumë delikat që e kemi sivjet”, theksoi Maliqi.

Se rikonfigurimi i Qeverisë mund të jetë një opsion i mundshëm për të dalë nga situata e krijuar brenda koalicionit qeverisës, tashmë ekzistojnë sinjale që janë dërguar nga partitë politike, të pushtetit dhe opozitës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Analisti Muhaxhiri thekson se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përmendur më parë opsionin e përfshirjes së partisë së tij në një Qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të ishte e rikonfiguruar dhe e ndryshuar krejtësisht.

“Është e pritshme që edhe me një presion të madh amerikan dhe nga BE-ja, LDK-ja të përfshihet në këtë moment në një Qeveri gjithpërfshirëse, sepse opsioni i zgjedhjeve të reja nuk është aq real, pasi që merr shumë kohë dhe nuk ka asnjë garanci që pas zgjedhjeve mund të kemi një Qeveri stabile, që do të formohej me shpejtësi”, u shpreh Muhaxhiri.

Ndërkaq, analisti Maliqi vlerëson se edhe nga partneri më i madh në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, janë dhënë sinjale se mund të shkohet drejt rikonfigurimit të Qeverisë.

“Prononcimi i (Kadri) Veselit se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të shkojë kundër interesave të SHBA-së, është mesazh i qartë se PDK-ja nuk është e interesuar ta vazhdojë bashkëpunimin në rast se Haradinaj nuk e ndryshon qëndrimin. I paqartë mbetet pozicioni i partnerëve të tjerë, në këtë rast i Nismës (Socialdemokrate), por edhe i Partisë Socialdemokrate (PSD), e cila nuk është në Qeveri, por është përfshirë në procesin e dialogut nga pozicioni i opozitës. Edhe këtë të dyja janë të rëndësishme në rast të një rikonfigurimi të madh, sepse vetëm PDK dhe LDK mbeten të pamjaftueshme për llojin e sfidave, të cilat i kemi përpara”, vlerësoi Maliqi.

Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor të vitit të kaluar, kishte vendosur taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy vendeve ndaj pavarësisë së Kosovës. Më pas, autoritetet e Serbisë patën theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk do të vazhdojë derisa vendimi për taksën të mos tërhiqet.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG