Ndërlidhjet

Kosova dhe Shqipëria synojnë modernizimin kufitar


Ilustrim

Deklarimet e kreut të Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, për modernizmin kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe bashkëpunim ekonomik, nga përfaqësues të bizneseve dhe analistët në Kosovë, po shihen vetëm si deklarata në letër dhe të pazbatueshme në praktikë.

Ata thonë se janë bërë shumë deklarata edhe në të kaluarën për bashkëpunim ekonomik, eliminim të barrierave në mes këtyre dy shteteve, por që, sipas tyre, në realitet ato nuk kanë ndodhur.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditë më parë u ka thënë medieve në Shqipëri se në vitin 2018 do të fillojë modernizimi kufitar Shqipëri - Kosovë.

Rama e ka quajtur të papranueshme situatën në kufirin midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës.

Ne duam që më 1 janar, kufiri i Shqipërisë me Kosovën, të mos jetë më një torturë për bashkë-atdhetarët tanë nga ana tjetër e kufirit, sidomos në periudhën e pikut, por të jetë një kufi që të kalohet siç kalohet normalisht mes Gjermanisë dhe Francës. Besoj që mund ta bëjmë këtë gjë, që t’i çlirojmë më në fund njerëzit”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se takimet ndërqeveritare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe premtimet që jepen aty, më shumë po përdoren si marketing politik sesa realitet.

“Jemi dëshmitarë të asaj se kohëve të fundit, viteve të fundit, ka deklarata mediale nga nivelet qeveritare, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, për bashkëpunim mes dy shteteve. Së fundi është deklarata edhe e Edi Rama për modernizmin e pikave kufitare”.

“Nuk është asgjë e re pasi që këtë Kosova e ka edhe me vendet tjera të rajonit. Por, shqetësues është fakti se shumëçka që premtohet, mbetet vetëm deklarata dhe shumë pak zbatohet në praktikë”, thotë Gërxhaliu.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë.

Autostrada Durrës - Kukës - Morinë që lidh Kosovën me Shqipërinë, ka lehtësuar qarkullimin e mallrave nga të dyja palët.

Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, por edhe në fusha tjera.

Po ashtu, ishte nënshkruar edhe marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Gërxhaliu thotë se modernizimi i pikave kufitare në mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ishte mirë të shndërrohet në realitet, porse, para kësaj, siç thotë ai, ‘do të duhet të kthehet besimi i humbur në mesin e komunitetit të bizneseve në Kosovë dhe Shqipëri’.

“Nëse analizohen trendët ekonomikë dhe pakënaqësitë në të dyja anët, është një raport shqetësues. Dua të besoj që është momenti që para se të investohen para të shumta në modernizimin e pikave, të avancohet dialogu për eliminimin e ngërçit dhe për kthimin e besimit të të dy komuniteteve të biznesit. Sa më shpejt t’i zgjidhim këto probleme, do të jemi shumë më seriozë përball popullit dhe Brukselit, përndryshe më shumë jemi duke bërë barriera sesa lehtësira për të bërë biznes”, vlerëson Gërxhaliu.

Për analistin e çështjeve ekonomike, Naim Gashi, premtimet që po japin udhëheqësit e dy shteteve Kosovës dhe Shqipërisë, nuk po përmbushen.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mandatin e tij qeverisës erdhi me një entuziazëm të madh se do të thellojë bashkëpunimin ndërmjet Kosovë dhe Shqipërisë, në fakt të gjitha ato mbeten deklarata dhe përafrimi, edhe në aspektin ekonomik, edhe kulturor, edhe tregtar mbeten fjalë boshe”.

“Paralajmërimi për ndërtimin e pikave të përbashkëta kufitare është kriter i Bashkimit Evropian, të cilin duhet ta përmbushin vendet e Ballkanit Perëndimor për të lehtësuar tregtinë dhe qarkullimin e njerëzve dhe mallrave ndërmjet shteteve reciproke”, thekson Gashi

Ai shton se ndërtimi i një pike të përbashkët kufitare dhe heqja e doganave gjithsesi do të nxiste zhvillimin ekonomik, do të forconte bashkëpunimin në fushën e tregtisë, por edhe në fushën e investime të përbashkëta dhe shkëmbimeve në aspektin e turizmit.

Megjithatë, është skeptik se modernizmi kufitarë Kosovë - Shqipëri të realizohet në vitin 2018.

“Kosova ka filluar t’i ndërtojë pikat doganore të përbashkëta me Serbinë, ndërsa ende nuk ka filluar t’i ndërtojë pikat e përbashkëta kufitare me Shqipërinë. Do të thotë i gjithë ai ‘folklorizëm’,patriotizëm në fakt ka qenë për qëllime elektorale dhe në aspektin konkret nuk është bërë asgjë deri më tani”, shpjegon Gashi.

Ndryshe, në kuadër të projektit të gjerë të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë në shkurt të këtij viti ishte bërë vendosja e gurit themeltar të ndërtimit të pikës së kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Merdare.

Autoritetet në Kosovës kishin theksuar se janë ndër shtet e para të rajonit që kanë vendosur dhe zbatojë politikat e menaxhimit të integruar të kufijve si një model i avancuar të kontrollit të kufijve në mbrojtje të sovranitetit.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG