Ndërlidhjet

Mospajtimet për murin vazhdojnë mbylljen e Qeverisë në SHBA


Shtëpia e Bardhë
Shtëpia e Bardhë

Mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane do të vazhdojë edhe javën e ardhshme, pasi ligjvënësit kanë dështuar të enjten të pajtohen për një pikë kthese, duke vazhduar kështu pakënaqësitë lidhur me kërkesat e presidentit amerikan, Donald Trump, për murin që do të ndante Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën.

Pasi i janë kthyer punës disa minuta pas pushimit zyrtar për Festën e Krishtlindjes, mbledhja në Senat është shtyrë, duke vendosur kështu që për buxhetin të diskutohet të mërkurën e javës së ardhshme, transmeton AFP.

Ky vendim do të rezultojë me mbyllje të Qeverisë për 12 ditë.

Të dyja palët vazhdojnë të insistojnë në qëndrimet e tyre, demokratët refuzojnë të financojnë projektin e Trumpit për murin me 5 miliardë dollarë, derisa presidenti amerikan ka thënë se ai nuk do ta financojë plotësisht Qeverinë nëse nuk i siguron të gjitha të hollat.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka akuzuar demokratët se “hapur kanë vendosur të mbajnë të mbyllur Qeverinë, duke u kujdesur më shumë për imigrantët ilegalë sesa për popullin amerikan”.

Ajo ka thënë se Trump “nuk do të nënshkruajë një propozim që nuk e vendos në rend të parë sigurinë e shtetit tonë”.

Teksa vazhdon debati për murin dhe diskutimet për miratimin e tij, rreth 800,000 punëtorë federalë nuk do t’i marrin pagat e tyre dhe disa pjesë të Qeverisë nuk janë funksionale.

Mirëpo, presidenti amerikan e ka bërë të qartë se nuk do të bëjë kompromis.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka akuzuar demokratët për inkurajim të imigrantëve duke përmendur “një kufi të hapur jugor dhe shkallën e lartë të krimeve që vijnë me një budallallëk të tillë”.

“Duhet t’ua ndalojmë hyrjen në shtetin tonë drogës, trafikimit të njerëzve, bandave dhe kriminelëve”, është shprehur ai.

Kundërshtarët, duke përfshirë edhe disa anëtarë të Partisë Republikane, kanë akuzuar presidentin për zmadhim të rrezikut nga imigrimi ilegal për përfitime të tij politike.

“Askush nuk e di sa do të vazhdojë mbyllja e Qeverisë së presidentit “, ka thënë senatori demokratik, Dick Durbin dhe ka shtuar:

“Ai është duke e mbajtur peng Qeverinë me kërkesat e tij mizore për 5 miliardë dollarë, rreth murit që do të ishte i pavlefshëm dhe joefektiv”.

Shqetësimet për ekonominë

Mbylljet e pjesshme të Qeverisë nuk janë të pazakonshme kur bëhet fjalë për negociatat rreth buxhetit në Uashington.

Mirëpo, gjendja tani mund të përkeqësohet për shkak se pas datës 3 janar demokratët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, si rezultat i fitores së shënuar në zgjedhjet për Kongres në muajin nëntor.

Kjo situatë ka rritur shqetësimet edhe rreth aspektit të ekonomisë amerikane më 2019, pas një performance tejet të mirë më 2018.

Tregjet e aksioneve kanë rënë së fundmi, ndonëse në fund të ditës së mërkurës ato janë normalizuar, derisa kësaj gjendjeje është thënë t’i ketë kontribuuar edhe një varg kritikash të drejtuara nga presidenti Trump për Rezervat e pavarura Federale.

Vuajtjet e fëmijëve

Kufiri në mes të SHBA-së dhe Meksikës, i gjatë rreth 3,200 kilometra, është tashmë i ndarë me ndalesa të ashpra.

Mirëpo, imigrantët vazhdojnë ta kalojnë ilegalisht kufirin, disa duke i ikur rrezikut në vendet e tyre, e të tjerët në kërkim të vendeve të punës.

Kritikët e Trumpit kanë thënë se ai është duke shkelur të drejtat e mbrojtura me ligj për azilantët dhe kanë argumentuar se burimet për murin duhet të shpenzohen në teknologji më të lartë.

* Video nga arkivi - Exposé: Të strehuar, por pa prindër

Të strehuar, por pa prindër
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:07:20 0:00

Ndërkohë, menaxhimi i kalimeve kufitare ka qenë sfidë më vete, meqë migrantët kanë qenë të moshave të ndryshme.

Dy fëmijë nga Guatemala kanë vdekur teksa kanë qenë nën kujdestari të autoriteteve amerikane gjatë këtij muaji, derisa Sekretarja amerikane për Siguri Kombëtare, Kirstjen Nielsen ka përmendur nevojën e “masave mbrojtëse të jashtëzakonshme” në mënyrë që të menaxhohet fluksi i migrantëve.

Komisionari amerikan për Mbrojtjen e Doganave dhe Kufirit, Kevin McAleenan, ka thënë të mërkurën se agjencia nuk ka arritur të përballojë fluksin e migrantëve për shkak se shumica e qendrave janë ndërtuar dekada më parë dhe janë krijuar për burra që arrijnë të vetëm në kufi dhe jo për familje.

“Neve na duhet ndihma e Kongresit. Neve na duhet buxhet për kujdes mjekësor dhe kujdes mendor për fëmijët që gjenden në qendrat tona”, ka thënë ai për CBS News.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG