Ndërlidhjet

Vdes fëmija i dytë nën kujdestari amerikane


Ilustrim

Një migrant tetëvjeçar nga Guatemala ka vdekur në Ditën e Krishtlindjes, pasi është ndaluar nga agjentët kufitarë amerikanë, kanë njoftuar autoritetet e Agjencisë për Dogana dhe Siguri Kufitare në Shtetet e Bashkuara.

Ky njëherësh shënon rastin e dytë të një fëmije që ka vdekur sa ka qenë në kujdestari amerikane gjatë këtij muaji, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Djaloshi dhe babai i tij kanë qenë në mbajtje të hënën kur një agjent i patrullimit kufitar ka vërejtur se fëmija ka treguar shenja të sëmundjes, është thënë në një deklaratë të kësaj Agjencie.

Të dy, babai dhe djali janë dërguar në një qendër rajonale mjekësore në Alamogordo, Nju Meksiko, ku është vlerësuar se fëmija ka pasur ftohje të lehtë prandaj edhe është liruar nga stafi spitalor.

Megjithatë, më vonë gjatë ditës, tetëvjeçari është ndjerë keq dhe është kthyer sërish në spital. Sipas Agjencisë Doganore, djaloshi ka vdekur të martën, mirëpo nuk ka dhënë detaje tjera për vdekjen e tij. Autoritetet amerikane kanë thënë se zyrtarët e Guatemalas janë njoftuar për vdekjen e djaloshit.

BBC ka raportuar se Kongresmeni nga Teksasi, Joaquin Castro e ka emëruar djaloshin si Felipe Alonzo-Gomez. Vdekja e djaloshit ka pasuar vdekjen e shtatëvjeçares, Jakelin Caal, po ashtu nga Guatemala.

Ajo ka vdekur pasi është ndaluar së bashku me babain e saj nga agjentët kufitarë amerikanë. Pas raportimit të vdekjes së dytë, Agjencia Kufitare ka njoftuar se do të ndryshojë politikat, ka raportuar CNN të mërkurën.

Në kuadër të ndryshimeve CNN ka përmendur kontrollet dytësore mjekësore për fëmijët që janë në mbajtje, sidomos për ata që janë nën moshën 10 vjeçare.

Përveç tjerash kjo agjenci ka thënë se do të punojë në drejtim të kushteve më të mira të transportimit të familjeve në qendra familjare si dhe të bashkëpunojë me agjenci joqeveritare për strehim të migrantëve.

Ministria e Jashtme e Guatemalas ka thënë se konsulli i saj në Feniks është duke kërkuar që ta intervistojë babain e viktimës.

Përmes një deklarate, ministria ka thënë se ka kërkuar edhe raporte mjekësore për të qartësuar shkaqet e vdekjes.

Sipas ministrisë, djaloshi dhe babai i tij kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes Teksasit më 18 dhjetor dhe më pas janë transferuar në stacionin e patrullimeve kufitare, përktësisht në Alamogordo më 23 dhjetor.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka tentuar t’i ndalojë njerëzit që të mos kalojnë kufirin ilegalisht për të kërkuar azil, dhe në të njëjën kohë ka kufizuar qasjen në portet zyrtare kufitare.

Ky vendim ka rezultuar me pritje disa mujore të migrantëve për të aplikuar për azil, meqë mijëra persona janë nisur nga Amerikan Qendrore drejt kufirit të SHBA-së.

Vdekja e Jakelin dhe kritikat ndaj Trumpit

Funerali për Jakelin Caal është mbajtur në fshatin e familjes së saj në Guatemalë.

Vdekja e saj ka nxitur kritika për politikat e presidentit Trump rreth imigrimit, si nga demokratët ashtu edhe nga avokatë të migrantëve.

Mirëpo administrata Trump në anën tjetër ka thënë se vdekja e Caalit ka shpërfaqur rrezikun e udhëtimit të saj dhe vendimit të familjes për të kaluar kufirin ilegalisht.

Kjo vdekje është duke u hetuar nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit për Siguri Kombëtare, i cili është duke shqyrtuar akuzat për sjellje të keqe të punëtorëve të agjencisë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG