Ndërlidhjet

Shkencëtarët e BE-së: Viti 2023 ishte më i nxehtë në histori


Një grua duke ecur në rrugë gjatë një vale të të nxehtit në Vatikan në korrik të vitit 2023.
Një grua duke ecur në rrugë gjatë një vale të të nxehtit në Vatikan në korrik të vitit 2023.

Viti i kaluar ishte viti më i nxehtë i regjistruar në planet dhe me gjasë viti më i nxehtë në botë në 100.000 vjetët e fundit, tha më 9 janar Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.

Shkencëtarët e kishin pritur këtë konfirmim, pasi shumë rekorde klimatike u thyen vazhdimisht. Që nga qershori, për çdo muaj ishte muaji më i nxehtë në histori krahasuar me muajt përkatës të viteve paraprake.

“Ky ishte një vit shumë i jashtëzakonshëm, në aspektin e klimës, edhe nëse krahasohet me vitet e tjera më të nxehta”, tha drejtori i Shërbimit të BE-së, Carlo Buontempo.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i BE-së konfirmoi se vitit 2023 ishte viti më i nxehtë i regjistruar, që kur kanë nisur të regjistrohen të dhënat për temperaturat globale më 1850. Kur u krahasua me të dhënat paleoklimatike, Buontempo tha se ka “shumë gjasa” që viti 2023 është viti më i nxehtë në 100.000 vjetët e fundit.

Mesatarisht, më 2023 planeti ishte 1.48 gradë Celsius më i nxehtë se periudha paraindustriale më 1850-1900, kur njerëzit nisën të përdornin karburantet fosile në shkallë industriale, duke liruar dyoksid karboni në atmosferë.

Më 2015, në Marrëveshjen e Parisit, shtetet u zotuan se do të tentonin të parandalonin që ngrohja globale të kalonte 1.5 gradë Celsius, në mënyrë që të shmangen pasojat e rënda.

Por, bota e ka shkelur këtë synim – që i referohet temperaturës mesatare globale prej 1.5 gradë Celsius në dekada – por, Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i BE-së tha se temperaturat në pothuajse gjysmën e ditëve të vitit 2023, arritën në nivele “të paprecedenta”.

Po ashtu, niveli i dyoksidit të karbonit në atmosferë u rrit në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, sipas shkencëtarëve të BE-së. Viti 2023, ishte viti i parë që çdo ditë ishte 1 gradë Celsius më i nxehtë sesa në periudhën para-industriale. Po ashtu, në nëntorin e këtij viti, dy ditë ishin 2 gradë Celsius më të nxehta sesa në periudhën paraindustriale.

Po ashtu, viti 2023 ishte për 0.17 gradë Celsius më i nxehtë sesa viti 2016, që paraprakisht ishte viti më i nxehtë i regjistruar.

Shkencëtarët thanë se nxehtësia e regjistruar më 2023 është sinjal se po përkeqësohet ngrohja globale.

Më 2023, bota u përball me ngjarje shkatërruese të motit, me shira dhe vërshime që vranë mijëra njerëz dhe me zjarret më të egra të regjistruara ndonjëherë.

XS
SM
MD
LG