Ndërlidhjet

Mueller përsërit se nuk ka shfajësuar Trumpin


Këshilltari Special, Robert Mueller.
Këshilltari Special, Robert Mueller.

Këshillari Special, Robert Mueller ka dëshmuar para Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve rreth hetimeve të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe për mundësinë e pengimit të drejtësisë nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump.

Mueller ka përsëritur integritetin e hetimeve të tij për Rusinë, si dhe ka deklaruar se nuk ka liruar apo shfajësuar presidentin Trump nga pika e pengimit të drejtësisë.

Ai do të përballet me pyetje në dy senaca.

Ish-shefi i FBI-së, fillimisht është paraqitur para Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësusve për gati tri orë, dhe më pas do të përballet me pyetje tjera për dy orë para Komitetit të Inteligjencës, transmeton Reuters.

Mueller është përgjigjur për herë të parë publikisht sa u përket hetimeve të tij.

Ai ka kaluar 22 muaj duke kryer hetime, dhe në fund sipas të gjeturave ka dalë se ka pasur ndërhyrje sistematike të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

Në raportin e tij 448-faqësh, të publikuar në formë të redaktuar më 18 prill, ai nuk ka dhënë një përfundim nëse Trump ka kryer krim duke penguar drejtësinë, por as nuk e ka shfajësuar atë.

Ligjvënësi demokrat, Ted Lieu, ka pyetur Muellerin nëse arsyeja se pse nuk ka ngritur padi penale ndaj Trumpit ka qenë politika e Departamentit amerikan të Drejtësisë, që pamundëson marrjen e një mase të tilla ndaj presidentit aktual.

Mueller ka thënë: “Ashtu është”.

Udhëheqësi i Komitetit Gjyqësor, demokrati, Jerrold Nadler, ka përshëndetur punën e Mullerit dhe ka thënë se askush, përfshirë presidentin Trump “nuk janë mbi ligjin”.

Mirëpo republikanët kanë tentuar të paraqesin hetimet e ish-shefit të FBI-së si të padrejta ndaj Trumpit, pasi kongresisti, Louie Gohmert i ka thënë Muellerit se ai ka kryer padrejtësi.

Megjithatë, Trump më parë ka pretenduar se hetimet e Muellerit e kanë shfajësuar atë plotësisht.

Kur Nadler ka pyetur nëse Mueller ka bërë një gjë të tillë, pra ka shfajësuar presidentin, ai ka thënë “jo”.

Mueller, që është akuzuar nga Trump se ka drejtuar një “gjueti shtrigash” dhe ka tentuar të organizojë “puç” kundër presidentit amerikan, ka thënë se hetimet e tij janë kryer “në mënyrë të drejtë dhe të pavaruar” dhe se anëtarët e ekipit të tij “kanë integritet të lartë”.

Fajësia dhe pafajësia e ekzagjeruar e presidentit amerikan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:57 0:00

Përveç kësaj Trump ka akuzuar Muellerin për konflikt të interesit, mirëpo ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se zyrtarët për etikë të Departamentit të Drejtësisë, kanë treguar që presidenti nuk ka të drejtë.

“Më lejoni të them edhe një gjë”, ka thënë Mueller.

“Gjatë karrierës sime, unë kam parë një varg sfidash për demokracinë tonë, mirëpo përpjekjet e Qeverisë Ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet tona kanë qenë më seriozet”.

Mueller, 74-vjeçar ka qenë i rrethuar nga fotografë të shumtë teksa ka hyrë në dhomën e seancës, mirëpo sikur nuk ka pasur shumë emocione. Ai është përballur me një varg të pyetjeve të shpejta nga ligjvënësit e të dy partive, ndërsa ai ka përsëritur përfundimet e raportit të tij.

Hetimet e Muellerit kanë treguar detaje të një vargu të kontakteve në mes të fushatës presidenciale të Trumpit më 2016 dhe Rusisë, në kohën kur Kremlini ka qenë duke kryer fushatë të propagandës dhe sulmeve kibernetike, me qëllim të fuqizimit të imazhit të Trumpit.

“I pashfajësuar”

Demokratët janë fokusuar në pesë hapa të Trumpit që ka hetuar Mueller, e që ka mundësi të konsiderohen pengim i drejtësisë, përfshirë kohën kur ai i ka kërkuar këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë që të shkarkojë Këshilltarin Special.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, një figurë e emëruar nga Trumpi, pati liruar Trumpin nga mundësia e pengimit të drejtësisë, sapo ka pranuar raportin e Muellerit.

Barr: Nuk ka pasur bashkëpunim Trump-Rusi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:23 0:00

Në deklaratën e tij hapëse, Mueller ka përsëritur se ekipi i tij ka vendosur të mos marrë një vendim sa i përket pengimit të drejtësisë.

“Bazuar në politikën e Departamentit të Drejtësisë dhe parimeve të drejta, ne kemi vendosur të mos marrim qëndrim nëse presidenti ka kryer krim. Ai ka qenë qëndrimi ynë dhe vazhdon të jetë i njëjtë edhe sot”, ka thënë Mueller.

Por kongresisti republikan, John Ratcliffe, ka akuzuar Muellerin për tejkalim të autoritetit. Ai është pajtuar se Trump nuk është mbi ligjin, mirëpo ka thënë se presidenti nuk duhet të jetë as nën ligj.

Republikani Collins ka thënë se faktet e raportit të Muellerit tregojnë se “Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, presidenti nuk ka bashkëpunuar me rusët dhe asgjë që dëgjojmë sot nuk do të ndryshojë këto fakte”.

Republikani tjetër Steve Chabot, ka thënë se seanca e së mërkurës ka qenë shpresa e fundit e demokratëve, ashtu që ata të ndërtojnë bazë për të thirrur votëbesim ndaj presidentit Trump.

Chabot po ashtu i ka thënë Muellerit se disa njerëz mendojnë që raporti i tij ka qenë “sulm i njëanshëm ndaj presidentit”.

Para nisjes së seancës, Trump është ankuar në rrjetin social, Twitter se Mueller nuk ka hetuar një varg të atyre që i ka cilësuar armiq të tij siç është sipas tij kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së më 2016, Hillary Clinton.

Gjatë seancës, Trump ka cituar një moderator të televizionit Fox News, që e ka përshkruar seancën si “katastrofë” për demokratët dhe reputacionin e Muellerit.

Hetimet e Muellerit kanë rezultuar me ngritjen e 34 padive penale ndaj rusëve dhe tri subjekteve po ashtu ruse.

Në mesin e personave që janë dënuar apo kanë pranuar fajësinë është edhe ish-shefi i fushatës së Trumpit dhe ndihmës të tjerë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG