Ndërlidhjet

Një dekadë nga vrasja e Bin Ladenit, mundësi e rikthimit për Al-Kaidën 


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Derisa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po luftonin grupin militant, Shteti Islamik, Al-Kaida po rigrupohej pa bërë zhurmë, thuhet në një raport të Qendrës Soufan, një organizatë joqeveritare me seli në SHBA, që merret me çështje të sigurisë dhe politika të jashtme.

Sipas kësaj qendre, pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani, situata për Al-Kaidën mund të kthehet sikur në Irak, kur grupi ekstremist, Shteti Islamik filloi një luftë të përgjakshme pas largimit të trupave amerikane.

Uashingtoni filloi luftën në Afganistan në vitin 2001 për të zënë përgjegjësit për kryerjen e sulmeve të 11 shtatorit, kur Al-Kaida rrëmbeu tre aeroplanë dhe sulmoi Kullat Binjake në Nju Jork dhe ndërtesën e Pentagonit në Uashington DC. Afër 3 mijë njerëz humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën.

Pas 20 vjet luftimesh në Afganistan, janë vrarë gati 120 mijë civilë afganë dhe mbi 60 mijë forca të sigurisë.

Në këtë luftë po ashtu janë vrarë mbi 2 mijë e 300 ushtarë amerikanë dhe shumë ushtarë të tjerë të forcave aleate.

Ushtarët amerikanë dhe ata të aleatëve do të largohen nga Afganistani deri më 11 shtator 2021, kur shënohet 20-vjetori i sulmeve terroriste në SHBA.

Sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara, Al-Kaida ka vetëm disa qindra luftëtarë në Afganistan.

“Talibanët kurrë nuk janë ndarë nga Al-Kaida, publikisht apo privatisht, dhe luftëtarët e Al-Kaidës vazhdojnë të jenë pjesë e në njësive talibane”, thuhet në raport.

“Nëse Afganistani zhytet në luftë civile edhe një herë, atëherë talibanët do të mirëpresin luftëtarë të huaj, duke e bërë Azinë Jugore si një magnet për xhihadistët anë e mbanë botës. Dhe pa asnjë ushtar në terren, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të jenë të detyruar të ndjekin strategji anti-terrori nga larg dhe me limite te theksuara”.

Sipas Qendrës Soufan, vrasja e Osama Bin Ladenit ishte një arritje e madhe për SHBA-në, mirëpo fitoret taktike nuk duhet të përzihet me fitoret strategjike.

“Ne nuk duhet ta mashtrojmë veten duke menduar se vdekja e Bin Ladenit është edhe fundi i Al-Kaidës ose fundi i lëvizjes xhihadiste në përgjithësi”, thotë Qendra Soufan.

Sipas disa të dhënave, Al-Kaida ka mes 30 mijë dhe 40 mijë pjesëtarë të shtrirë në gjithë botën.

“Një dekadë pas vdekjes së Bin Ladenit, Al-Kaida mbetet një kërcënim, diçka që mund të shpërndahet pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani”.

Sipas Soufan, presidenti amerikan, Joe Biden shpreson që Al-Kaida do të ndalet, mirëpo historia shumë shpesh ka dëshmuar të kundërtën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG