Ndërlidhjet

Murati: Jemi të gatshëm të diskutojmë me komunat për uljen e tatimit në pronë  


Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati.
Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati.

Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë të premten se rritja e tatimit në pronë nuk ka qenë përgjegjësi e këtij institucioni e as e Qeverisë aktuale.

Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Normat tatimore vendosen nga komunat përkatëse. Kjo normë është 0.15 për qind të vlerës së përgjithshme të pronës.

Murati ka thënë në një konferencë për media se faturat e tatimit në pronë për këtë vit janë më të larta, pasi ka hyrë në fuqi tatimi 100 për qind për tokat dhe është bërë vlerësimi i pronave rezidenciale, si dhe shkallës tatimore.

Duke sqaruar faktin se si erdhi deri te rritja e vlerës së tatimit në pronë, ministri Murati ka thënë se rritja është derivat i Ligjit për tatimin në pronë, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2018.

“Ky ligj, i miratuar në vitin 2018, ka paraparë që sipas nenit 7 të këtij ligji, në vitin e pestë të zbatimit të ligjit, të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave, do të thotë më përpara nuk ka qenë tatimi i tokave”, ka thënë Murati.

Një arsye tjetër se pse janë rritur faturat e tatimit në pronë në disa komuna, sipas tij, lidhet edhe me faktin se është bërë vlerësimi i pronave rezidenciale.

Murati ka thënë se meqë kjo rritje ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës janë të gatshme që të dëgjojnë propozimet e komunave për të ulur, apo për të marrë përsipër shlyerjen e një pjese të tatimit në pronë për qytetarët.

“Ne si ministri jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese që kanë komunat për uljen e tatimit të vitit aktual, qoftë duke shkuar për të gjithë njësoj, qoftë duke marrë një përqindje të rritjes për t’a falur si tatim, në mënyrë që të mos ngarkohen qytetarët”, ka thënë Murati.

Çështja e tatimit në pronë, sipas Muratit, do të rregullohet me një ligj të ri, drafti i së cilit ka thënë se është i gatshëm, dhe do të shkojë brenda pak javësh në kuvend.

Ai ka thënë se me ligjin e ri, komunat do të kenë më shumë autoritetet që të përcaktojnë shkallën tatimore.

Javën e kaluar, rritja e çmimit të tatimit në pronë ka nxitur reagime në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se rritja tatimit në pronë ka ardhur pas vlerësimit të pronave që ka bërë Ministria e Financave dhe Transfereve.

Sipas Ramës, Komuna e Prishtinës, ka caktuar përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të ministrisë.

“Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15 për qind e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, ka thënë Rama.

Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi, pas reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë treguar se faturat e tyre të tatimit në pronë janë rritur me raste mbi 50 për qind, në krahasim me të kaluarën.

XS
SM
MD
LG