Ndërlidhjet

Pse është rritur tatimi në pronë?


Monedha euro në një tavolinë.
Monedha euro në një tavolinë.

Nëse ju është rritur tatimi vjetor në pronë ditëve të fundit, kjo domethënë se është rritur vlera e pronës suaj. Këtë e ka konstatuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), pas vlerësimit që e ka bërë vitin e kaluar.

Rritja e vlerësimit të pronave në treg, ka rritur automatikisht pagesën e tatimit në pronë për qytetarët e Kosovës.

Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës se pronës me normën tatimore. Normat tatimore vendosen nga komunat përkatëse. Kjo normë është 0.15 për qind të vlerës se përgjithshme të pronës.

Vlerësimi i pronës nga MFPT-ja, sipas Ligjit, realizohet në çdo tre ose pesë vjet. Vlerësimin e fundit ministria e bëri vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari të këtij viti.

Më herët, vlerësimi është bërë në vitin 2019.

Sa është rritur tatimi në pronë?

Për disa, tatimi vjetor në pronë është rritur deri në 100 për qind, e për disa të tjerë, ajo ka mbetur e pandryshuar, sepse vlera e pronës ka mbetur e njëjtë si në të kaluarën.

Për shembull, vlera e një banese në lagjen Ulpiana në Prishtinë, më herët ka qenë 650 euro për metër katror, kurse vlera e re është 1.200 euro për metër katror. Më herët, pronari i kësaj banese ka paguar tatimin në pronë rreth 27 euro, kurse tash duhet të paguajë 52 euro në vit.

Vlera e pronës ndikohet nga disa faktorë, ndër të tjera edhe lokacioni apo zona e pronës, kati, etj.

Në të gjitha komunat e Kosovës ekzistojnë disa zona, ku nga zona në zonë ndryshon çmimi i metrit katror të pronës.

Zakonisht, çmimet janë më të larta për pronat që gjenden më afër qendrës së qytetit.

Edhe pse vlerësimi është bërë në gjithë territorin e Kosovës, në disa zona nuk ka ndryshuar vlera tatimore.

Për shembull, vlera e disa pronave në Çagllavicë afër Prishtinës ka mbetur e pandryshuar.

Në rivlerësimin e fundit të pronave, nuk ka ndonjë çmim zyrtar publik se sa kushton metri katror në qytete apo zona të ndara.

Por, në vitin 2019, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit të Tatimit në Pronë, që është në kuadër në ministrisë së Financave, vërehet se çmimet për metër katror për apartamente ishin vlerësuar nga 130 deri në mbi 800 euro, varësisht nga lokacioni i objektit.

Për çdo vit fiskal, tatimi komunal mbi pronën e paluajtshme paguhet në dy këste të barabarta.

Nëse personi vonohet me pagesën e faturës, atëherë ngarkohet me gjoba.

Kush e ka bërë vlerësimin e pronave?

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve se në çfarë formash është bërë vlerësimi i pronave, dhe pas vlerësimit, sa është përqindja e rritjes së çmimit të pronave të paluajtshme, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, në një komunikatë për media të MFPT-së, më 24 janar, thuhet se ministria obligohet të bëjë vlerësimin e pronave, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të kësaj ministrie gjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat”, thuhet në komunikatë.

Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, thuhet se ky departament ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për metër katror për objekte dhe toka.

Prona rezidenciale llogariten pronat e paluajtshme, të cilat u shërbejnë njerëzve për nevoja themelore të banimit, duke përfshirë: shtëpitë, banesat dhe ndërtesat e ngjashme.

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se komunat nuk janë konsultuar për rivlerësimin e pronave.

“Komunave vetëm iu ka shkuar njoftimi në fund të muajit tetor të vitit të kaluar se është bërë rivlerësimi i pronave dhe kjo është mënyra se si në të ardhmen duhet të jetë çmimi i faturave. Pra, komunat vetëm janë njoftuar dhe nuk janë konsultuar, këtu është dallim i madh...”, tha Ibrahimi.

Vlerësimi i përgjithshëm thuhet se është realizuar duke u bazuar në vlerën e tregut, duke përdorur kontratat e shitblerjeve për pronat rezidenciale (jo më të vjetra se tre vjet), intervista me agjentë të shitjes së pronave, anketime me pronarë të ndërtesave, intervista me zyrtarë të bankave në lidhje me vlerat e pronave që përdorin si hipotekë, të dhëna nga kompani ndërtimi e të tjera.

Çka thotë Ligji?

Në bazë të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili është ndryshuar, plotësuar dhe miratuar në vitin 2018, thuhet se Ministria e Financave menaxhon të dhënat e tatimit në pronë në regjistrat e tatimit në pronë, operon dhe mirëmban regjistrat e tatimit në pronë, publikon informacionet lidhur me tatimin në pronë, kryen vlerësimin e pronës dhe lëshon certifikatat e vlerës së vlerësuar.

Kurse, Kuvendi Komunal i çdo komune i cakton tarifat tatimore mbi pronën në bazë vjetore, në shkallën prej 0.05 për qind deri në 1 për qind të vlerës së pronës në treg.

Të hyrat nga tatimi në pronë nevojiten për zhvillimin e infrastrukturës së komunës. Nga grumbullimi i këtyre tatimeve investohet në projekte të ndryshme që kanë për qëllim përmirësimin e jetës s qytetarëve të asaj komune.

XS
SM
MD
LG