Ndërlidhjet

Muzika me zë të lartë ua rrezikon të rinjve dëgjimin


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Rreth 1.3 miliard të rinj rrezikojnë të humbin dëgjimin dhe kufjet luajnë rol kyç në këtë problem.

Kështu është thënë në gjetjet e një raporti të publikuar në revistën kërkimore Global Health.

“Ne kemi vlerësuar se 0.67 për qind, apo 1.35 miliard individë të moshave nga 12 deri në 34 vjet përfshihen në praktika të pasigurta të dëgjimit, andaj edhe rrezikojnë të humbin dëgjimin”, ka thënë udhëheqësja e studimit, Lauren Dillard.

Ajo është konsulente në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe hulumtuese në Universitetin e Mjekësisë në Karolinën e Jugut.

Dëgjojeni podkastin e plotë edhe në Spotify, Google Podcast dhe iTunes.

Më mirë t’ua ulni zërin kufjeve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:17:28 0:00

Pjesëtarët e kësaj grup-moshe përdorin dëgjueset për të dëgjuar muzikë, për të shikuar filma, apo materiale të ndryshme në YouTube.

Autorët e studimit kanë thënë se ekspozimi ndaj zërit me volum shumë të lartë mund t'i dëmtojë qelizat dhe strukturën në vesh.

Ngjarjet, sikurse koncertet dhe organizime tjera, me zë të lartë ndikojnë keq në këtë aspekt, mirëpo kufjet janë në krye të listës.

Menjëherë pas publikimit të këtij raporti, ka pasur thirrje që luftimi i humbjes së dëgjimit të bëhet prioritet për shëndetin publik.

Për të biseduar për këtë temë, në episodin e publikuar më 27 nëntor, të podkastit, Të flasim, të ftuar kanë qenë: otorinolaringologu Zgjim Limani dhe Lekë Ajazi, një djalë i ri nga Prishtina, i cili përdorimin e kufjeve e ka të pashmangshëm qe disa vjet.

Leka, 23-vjeçar, ka punuar në tre vjetët e fundit në disa qendra të thirrjeve në Prishtinë dhe tani punon për një kompani austriake që ka zyrën, po ashtu në Prishtinë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Lekës i pëlqen shumë muzika dhe përveç dëgjimit për qejfin e tij, ai argëton edhe miqtë nëpër ndeja private.

“Brenda një dite, kufjet i mbaj tetë - nëntë orë në vesh, ndërsa 90 për qind të asaj kohe edhe jam duke i përdorur. Shumica e kohës më shkon në komunikim gjatë orarit të punës, sepse më duhet të bisedoj me ekipin që është jashtë shtetit”.

Megjithatë, për të më sfiduese ka qenë puna paraprake në qendrën e thirrjeve.

“Kemi qenë diku rreth 50 persona në një zyre relativisht të vogël dhe vazhdimisht kemi qenë duke komunikuar me njerëz që kanë jetuar në Evropë apo Amerikë. Prej tetë orëve, sa mundet me qenë ndërrimi, ne vetëm një orë kemi qenë pa dëgjuese, pjesën tjetër kemi qenë duke bërtitur, ose duke u munduar që të dëgjojmë se çfarë është duke na thënë dikush”, tregon ai.

Komplikimet i ka vërejtur shpejt.

“Mund të them që pas javës së dytë, ose javës së tretë kam nisur të ndiej stres në aspektin e dëgjimit. Më pas më janë rënduar simptomat. Kjo gjë të shkakton edhe kokëdhimbje, e diskutonim këtë gjë edhe me kolegët gjatë pauzave dhe e fajësonim orarin ose stresin në punë, por duke lexuar e kemi kuptuar që ndikon edhe përdorimi i kufjeve”.

Mjeku Zgjim Limani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dëmtimet e dëgjimit janë të pariparueshme.

Për shkak të mungesës së statistikave të sakta, ai nuk ka mundur të përmendë ndonjë shifër të personave që kanë probleme me dëgjimin në Kosovë, si pasojë e përdorimit të kufjeve.

I pyetur se sa decibelë janë të pranueshëm për veshin e një njeriu, Limani ka thënë se kjo çështje është shumë individuale dhe është e vështirë të arrihet te një përfundim i saktë.

“Çka mund të themi është që niveli i një bisede normale që kryejmë është diku mes 60-70 decibelësh. Do të thotë është bisedë me intensitet normal. Zhurmat mbi 85 decibelë konsiderohen si të rrezikshme për dëgjimin, apo si faktorë që mund të shkaktojnë dëmtim të dëgjimit si pasojë e ekspozimit ndaj zhurmave”.

Niveli i decibelëve ndryshon nga kufja në kufje.

“Kohëve të fundit kemi kufje shumë të sofistikuara, të cilat prodhojnë zë me intensitet shumë të lartë. Ky zë sillet mbi 96 decibelë e tutje, që do të thotë paraqet një rrezik mjaft serioz për dëgjimin. E kalon shumë larg pragun prej 85 decibelëve”, ka thënë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka përmendur edhe simptomat e para të dëmtimit të dëgjimit, të cilat duhet ta alarmojnë secilin person që mban kufje relativisht shumë.

“Pacientët fillimisht ankohen se nuk po dëgjojnë mirë, posaçërisht gjatë kontaktimit të personave me telefon. Simptomë tjetër mjaft e shpeshtë është edhe zhurma në vesh, e ashtuquajtur tinitus. Do të thotë zhurma të pashpjeguara që dinë të jenë të vazhdueshme dhe që shtohen më shumë gjatë periudhës kur jemi në qetësi".

Nga zhurmat e tilla ka vuajtur edhe Leka. Prandaj, ai ka thënë se kufjet i ka hequr nga përdorimi thuajse krejtësisht në kohën e tij të lirë.

“Goxha mirë më ka shkuar ky proces, pasi ka qenë një periudhë që nuk kam qenë asnjëherë pa kufje. Askush nuk ka mundur të më shohë pa kufje. Nëse kam qenë duke e kaluar rrugën, e kam pasur të paktën një kufje në vesh dhe kam dëgjuar muzikë apo diçka tjetër”.

A ka rëndësi lloji i kufjeve?

I pyetur nëse lloji i kufjeve dhe prodhuesi kanë rëndësi në mbrojtje të dëgjimit, otorinolaringologu Limani ka thënë se “secila kufje me intensitet të lartë të zërit e dëmton dëgjimin, pa marrë parasysh kualitetin e zërit”.

Ai sugjeron që secili ta kontrollojë volumin dhe të bëjë sa më shumë pauza gjatë përdorimit të kufjeve.

“Intervalet më të shkurtra dhe të shpeshta janë më të mira sesa ajo në kohë të gjatë dhe vetëm një herë”.

Lidhur me studimin e publikuar në revistën, Global Health, profesori De Wet Swanepoel ka thënë për transmetuesin amerikan, CNN, se muzika është dhuratë që duhet të shijohet përgjatë gjithë jetës sonë, andaj duhet ta dëgjojmë me kujdes.

“Dëgjimi është shqisë që na lidh me njerëzit që i duam. Kujdesi ndaj dëgjimit tonë është kyç për mbajtjen e lidhjeve të shëndetshme dhe mirëqenien e vetes sonë”, ka thënë ai.

XS
SM
MD
LG