Ndërlidhjet

Stoltenberg: NATO do të mbrojë secilin “inç” të territorit të aleancës


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka dëmtuar paqen në Evropë dhe është zotuar se aleanca do të mbrojë “secilin inç” të territorit të vendeve anëtare.

“Ne do të përgjigjemi me unitet edhe më të madh”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media, pas mbajtjes së një takimi urgjent me ambasadorët e NATO-s në Bruksel.

“Ajo çfarë ne bëjmë është mbrojtja”, ka thënë Stoltenberg, i cili ka konfirmuar se NATO-ja do të mbajë një samit virtual me 30 vendet anëtare më 25 shkurt.

Stoltenberg ka përsëritur përkushtimin e aleancës ndaj Artikullit 5, i cili parasheh që sulmi ndaj një vendi anëtar, nënkupton sulm ndaj të gjitha vendeve tjera anëtare.

Ai ka thënë se aleanca do të aktivizojë “planet e mbrojtjes” për vendet aleate që nuk janë anëtare.

Shefi i NATO-s ka thënë se aleanca e Perëndimit është duke rritur kapacitetet për mbrojtje.

Ai ka kritikuar sulmin rus ndaj Ukrainës, duke thënë se ka qenë “sulm i qëllimshëm, gjakftohtë dhe që është planifikuar gjatë”.

Sipas tij, “Rusia është duke përdorur forcën në tentim për të rishkruar historinë”.

“Rusia ka sulmuar Ukrainën. Ky është akt brutal i luftës. Jemi me popullin e Ukrainës”, ka thënë ai.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e kanë paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u njoftuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

XS
SM
MD
LG