Ndërlidhjet

Navalny vazhdon insistimin për garën e presidentit në Rusi


Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny

Aktivisti kundër korrupsionit dhe lideri opozitar rus, Aleksei Navalny ka paraqitur dokumentet e nevojshme për t’u regjistruar si kandidat presidencial në Komisionin Qendror Zgjedhor të Rusisë.

“Zgjedhjet pa ne nuk janë zgjedhje”, ka thënë Navalny para se të dorëzonte dokumentet në orët e vona të së dielës.

“Ne jemi të gatshëm për të kundërshtuar autoritetet aktuale. Kërkesa jonë kryesore është që të na lejohet të jemi pjesë e zgjedhjeve”, u ka thënë ai gazetarëve derisa ishte duke u larguar nga ndërtesa e Komisionit në qendër të Moskës.

Kritikut të zëshëm të Kremlinit, Navalny nuk i lejohet kandidimi për zgjedhjet presidenciale të marsit të vitit të ardhshëm, për shkak të një dënimi penal, për të cilin ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

Navalnyt mund t’i lejohet kandidimi në rast se dënimi anulohet.

Komisioni, i cili zgjati orarin e punës për të pranuar dokumentet, ka pesë ditë kohë për të vendosur lidhur me regjistrimin e opozitarit rus.

Përmes një postimi në Twitter, Navaly ka thënë se zyrtarët zgjedhorë janë takuar sot për të vendosur rreth kandidimit të tij.

“Vlerësim me një shpejtësi të pashembullt (dje i kemi dorëzuar dokumentet në orën 21:00, dhe sot është organizuar mbledhja në orën 15:00) ata do të kundërshtojnë regjistrimin tonë”, ka thënë opozitari.

Navalny ka njoftuar se ka fituar mjaftueshëm mbështetje për të kandiduar, pasi përkrahësit e tij kanë organizuar marshe në 20 qytete rreth Rusisë për të siguruar 15,000 nënshkrime.

Gjatë një marshi në Moskë, ai e ka cilësuar presidentin rus, Vladimir Putin si “president të keq”.

“Jeni ju, Vladimir Putin, i cili e ka kthyer shtetin në burim të pasurimit personal për veten, familjen dhe shoqërinë tënde. Për këtë arsye nuk duhet të jesh më president”, ka thënë Navalny.

Rreth 800 mbështetës të Navalnyt janë mbledhur për t’i dhënë përkrahje në marshin zyrtar në Moskë.

Sipas ligjit, atij i janë dashur 500 nënshkrime në secilin prej 20 qyteteve të shtetit, kanë thënë zyrtarë të fushatës së Navalnyt.

Organizime të ngjashme janë mbajtur në 19 qytete tjera përveç Moskës duke përfshirë, Shën Petersburg, Vladivostok, Novosibirsk, Perm, Omsk, Krasnoyarsk dhe Yekaterinburg.

“Nuk ka përkrahje të madhe për Putinin dhe qeverisjen e tij në këtë shtet”, ka thënë Navalny gjatë takimit.

“Ne jemi gati për të fituar dhe do t’i fitojmë këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Në Shën Petersburg, zyrtarët policorë u kanë kërkuar mbështetësve që të largojnë tavolinat e përgatitura për të siguruar nënshkrimet.

Në Astrakhan, policia ka ndaluar një furgon në të cilin ishin 11 aktivistë opozitarë në rrugë drejt një marshi pro Navalnyt në Volgoograd, ka thënë mbështetësi opozitar, Arsentiy Gundarev.

Ai ka thënë se policia ka konfiskuar pasaportat dhe dokumentet e tjera të këtyre personave.

Më vonë Navalny, përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka siguruar nënshkrimet e grupeve aktiviste për të kandiduar.

“Tashmë jam zyrtarisht i kandiduar nga grupet aktiviste. Shumë falënderime për ata që kanë marrë pjesë në fushatë në çdo cep të vendit. Jeni më të mirët”, ka shkruar ai.

Navalny, 41 vjeçar ka njoftuar në dhjetorin e vitit të kaluar se do të kandidonte për president të Rusisë dhe që nga ajo kohë ka filluar fushatën duke u takuar me votuesit nëpër qytete të ndryshme.

Duke folur për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, aleati i Navalnyt, Vladimir Milov, ka thënë se është e gabueshme nëse pritet që fushata e Navalnyt të mos zhvillohet, kur ai është zyrtarisht i penguar nga kandidimi për shkak të dënimit penal.

“Ky do të ishte vetëm fillimi”, ka thënë Milov duke pretenduar se ata do të kundërshtojnë vendimin në gjykatë dhe “do të luftojnë për regjistrimin e Navalnyt deri më 18 mars të vitit të ardhshëm”.

Navalny e ka shpalosur plaftormën e tij zgjedhore gjatë javës së kaluar, duke u fokusuar tek luftimi i korrupsionit dhe rritja e financimit për edukim dhe kujdes shëndetësor.

Putin në anën tjetër ka njoftuar lidhur me vendimin e tij për të kandiduar si president më 6 dhjetor.

Kontrolli i tij në disa nivele qeveritare e bën fitoren e tij, konkluzion të lehtë në Rusi, pasi kritikët qeveritarë kanë thënë se fushata zgjedhore dhe rezultatet janë të manipuluara nga autoritetet.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG