Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

“Vuloset” ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje


Albin Kurti

Zgjedhja e Albin Kurtit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka vulosur ndarjen e këtij subjekti politik, vlerësojnë analistë politikë. Kurti, u rikthye në krye të Vetëvendosjes, në kohën e dorëheqjeve të shumë personaliteteve nga ky subjekt politik, i cili po kalon një prej fazave më të vështira që nga themelimi.

Të dielën, në këtë Lëvizje janë mbajtur zgjedhjet e brendshme dhe nga rezultat e shpallura, Albin Kurti ka marrë 98.82 për qind të votave të anëtarëve pjesëmarrës në këto zgjedhje. Por, në këtë garë zgjedhore, Albin Kurti ka qenë i vetmi kandidat për kryetar.

Imer Mushkolaj, analist politik në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se rikthimi i Albin Kurtit në krye të Lëvizjes Vetëvendosje do thellojë edhe më tepër përçarjet dhe mospajtimet në këtë subjekt politik, kurse mundësitë që të arrihet pajtimi në mes të grupeve brenda Vetëvendosjes, sipas tij, janë jashtëzakonisht të vogla.

“Zgjedhja e Kurtit kryetar, i ka dhënë një vulë të fundit ndarjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe, përderisa deri tash është folur për mospajtime apo pakënaqësi të thella, tashmë mund të flasim vetëm për ndarje të këtij subjekti politik”, tha Mushkolaj.

Edhe Krenar Gashi, studiues i shkencave politike, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk sheh ndonjë mundësi që zgjedhja e Albin Kurtit kryetar të jetë zgjidhje e problemeve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Gashit, të dorëhequrit nga postet e larta drejtuese nuk kanë probleme madhore me Albin Kurtin si kryetar, por problemet kanë të bëjnë me mënyrën si merren vendimet brenda strukturave të partisë. Këto vendime, nënvizon ai, datojnë pikërisht nga koha kur Albin Kurti merrte vendime, siç thotë ai, përderisa ishte nën hije.

“Duke marrë parasysh që Kurti ka përdorur një diskurs tejet përjashtues, një diskurs absolutisht totalitar ndaj të gjithë atyre që kanë guxuar të mendojnë ndryshe dhe që kanë guxuar më në fund që këtë mendim ndryshe ta shfaqin në publik, unë jam shumë pesimist se mund të gjendet një zgjidhje me të cilën do të mund të pajtoheshin të dy palët apo më shumë palë”, thotë Gashi.

Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, ka kohë që po përballet me probleme të brendshme, përçarje e mospajtime.

Nga postet e larta drejtuese, tashmë kanë dhënë dorëheqje personalitete të njohura politike, duke përfshirë ish-kryetarin, Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu dhe anëtarë tjerë të këtij subjekti politik, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në votimin për kryetarin e ri të Vetëvendosjes.

Nisur nga këto zhvillime në Vetëvendosje, analisti Imer Mushkolaj, thotë se funksionimi i përbashkët i këtij subjekti po duket i pamundur. Kështu që ai mendon se të dorëhequrit do të formojnë një subjekt të ri politik.

“Por e rëndësishme, për opinionin dhe qytetarët është se me çfarë platforme do të paraqiten, të shpjegojnë saktësisht se cili është dallimi i subjektit të ri politik dhe Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos kur bëhet fjalë për tema për të cilat Lëvizja Vetëvendosje është shquar”, thekson Mushkolaj.

Duke pas parasysh dallimin shumë të madh konceptual që po shfaqet brenda subjektit, Krenar Gashi, në anën tjetër, konsideron se si rezultat, kriza mund të zgjasë për një kohë ose do të ketë shkëputje të disa individëve nga Vetëvendosje.

“Meqë kemi të bëjmë me figura të rëndësishme të Lëvizjes, me figura që janë pjesë e Grupit Parlamentar dhe që kanë pozita tjera dhe që kanë fituar përmes garës elektorale, atëherë domosdo pritet që këta njerëz të vazhdojnë aktivitetin politik duke formuar një parti të re politike ose forcë të re politike”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Përplasjet në Vetëvendosje, dolën në sipërfaqe pas publikimit të bisedave private ndërmjet disa deputetëve të këtij subjekti politik, ku kishte edhe shprehje fyese në drejtuara ndaj Albin Kurtit.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG