Ndërlidhjet

Ndërkombëtarët të shqetësuar me emërimet në kreun e gjyqësorit


Ilustrim
Ilustrim

Emërimi i kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe atij të Gjykatës Supreme të Kosovës nga ana e Këshilli Gjyqësor, ka nxitur reagime mjaft të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe misioni i EULEX-i, kanë reaguar pasi që këto emërime, i ka anuluar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për shkak të mosrespektimit të procedurave.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në muajin janar të këtij viti, kishte emëruar kryetar të Gjykatës se Apelit, Hasan Shalën. Kurse në muajin mars, ky Këshill emëroi Enver Pecin në postin e kryetari të Gjykatës Supreme të Kosovës.

E pakënaqur me procedurat e emërimeve, kandidatja për postin e kryetares së Gjykatës Supreme, Valdete Daka kishte deponuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Ajo kishte konstatuar se numërimi i votave ishte bërë në formë të gabuar.

Valdete Daka, aktualisht është kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) padrejtësisht e ka emëruar kryetarin.

Unë kam konsideruar se parimi i meritokracisë, pra vlerësimi në bazë të meritave dhe në bazë të punës dhe rezultateve të treguara, deri më tani nuk është aplikuar nga Këshilli Gjyqësor”.

Dhe, Këshilli Gjyqësor padrejtësisht ka emëruar dikë tjetër nga një komision i cili është i emëruar nga vetë Këshilli. Ky komision ka përzgjedhur kandidatë tjerë në bazë të vlerave dhe meritave që ata kanë konsideruar dhe kjo nuk është vlerësuar nga KGJK-ja, por është vendosur në bazë të numrave”, tha Daka.

Në muajin qershor, po të këtij viti, në bazë të një aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, konstaton se në këtë rast KGJK- ja nuk ka parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e mjaftueshëm të parimeve te barazisë dhe transparencës.

Si rezultat i këtij procesi të votimit të gabuar dhe jo koherent, në aktgjykim thuhet se “të gjithë kandidatët për Kryetar të Gjykatës Supreme, duke përfshirë edhe parashtruesen e kërkesës, ishin vendosur në një pozitë të pasigurisë juridike, pabarazisë dhe përzgjedhjes së pamerituar” .

Lidhur më vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në muajin korrik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte theksuar se është duke analizuar vendimin dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur do të përcaktojë veprimet që duhet të ndërmerren për zbatimin e tyre.

Pavarësisht këtij deklarimi, një muaj më vonë, ky Këshill për herë të dytë votoi për kryetar të Gjykatës e Apelit dhe Kryetar të Gjykatës Supreme ku u rizgjodhën Hasan Shala, respektivisht Enver Peci.

Njëherësh, Këshilli Gjyqësor i ka propozuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të emërojë kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

Riemërimi i personave të njëjtë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Valdete Dakën, “nënkupton se Këshilli Gjyqësor vepron në bazë të votave dhe jo të meritave”.

Ndërkaq, organizatat joqeveritare në Kosovë, të cilat monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, thonë se Këshilli Gjyqësor duhet që më me seriozitet t’i marr reagimet e ambasadave dhe Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të komunikatave të përfaqësuesve ndërkombëtar, kuptohet që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dështuar për një proces transparentë.

Këshilli Gjyqësor ka dështuar, sipas komunikatave, për të marrë masa adekuate që të sigurojë një proces transparentë si dhe të arsyetojë vendimet që i ka marr lidhur me propozimin për emërimin e kryetarit të Gjykatës Supreme apo për emërimin e Gjykatës se Apelit”.

Prandaj, në këtë rast, çështja kryesore mbetet nëse KGJK-së, ka qenë mjaftueshëm transparent dhe nëse ka qenë në gjendje të arsyetojë vendimet për dy kandidatët e zgjedhur”, tha Miftaraj.

Në komunikatën e përbashkët të ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe theksohet zhgënjimi me vendimin që numërimi për zgjedhjen në postet e larta gjyqësore të mbahet i fshehtë.

Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies. Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit e jo me kandidatët veç e veç”, thuhet në komunikatë.

Kurse në komunikatën tjetër të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Misioni i EULEX-it në Kosovë, thuhetse shqetësimet kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur.

Një gjyqësor i pavarur, i hapur, përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht kyç për përparimin e Kosovës në rrugën evropiane”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër për mes një komunikate për media, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka njoftuar se do të mblidhet gjatë javës së parë të muajit shtator, për shqyrtimin e hollësishëm të deklaratave.

XS
SM
MD
LG