Ndërlidhjet

Burrat kërkojnë ndihmë psikologjike më shumë se gratë gjatë pandemisë


Më shumë se 1,200 kosovarë kërkuan ndihmë psikologjike gjatë pandemisë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Koha e izolimit dhe frika nga përkeqësimi i gjendjes shëndetësore e ekonomike gjatë pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, ka ndikuar më shumë në shëndetin mendor të burrave në Kosovë sesa të grave.

Nga të dhënat e regjistruara në linjën falas për ndihmë psikologjike në Kosovë (038-200-80-890), mbi 52 për qind e personave që kanë telefonuar në këtë linjë kanë qenë burra.

Psikologet që kanë punuar në këtë linjë që nga data 22 prill, thonë se numri i burrave është më i lartë për shkak se problemet që kanë burrat diskutohen shumë më pak në ambiente familjare.

Njomza Halimi dhe Florina Qupevaj, janë dy psikologe nga Prishtina që kanë ndihmuar qindra persona përmes linjës për ndihmë psikologjike pa pagesë.

Që nga dita e parë e hapjes së kësaj linje janë regjistruar 1,278 raste kur qytetarë të moshave të ndryshme kanë kërkuar ndihmë psikologjike, kryesisht për shkak të ankthit, stresit dhe problemeve emocionale e familjare që kanë kaluar që nga shfaqja e pandemisë.

Frika nga infektimi ose humbja e familjarit

Psikologja Njomza Halimi thotë se qytetarët kanë kërkuar ndihmë për shkak të krizave dhe problemeve financiare e familjare që kanë kaluar që nga shfaqja e pandemisë.

“Tridhjetë deri 40 për qind e telefonatave kanë qenë lidhur me COVID-in. Pjesa tjetër e problemeve ka qenë ajo çfarë COVID-19 (sëmundja që shkakton koronavirusi) ka sjellë në pah të çdo familje. Kryesorja ka qenë gjendja socio-ekonomike”, thotë Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Halimi thotë se qytetarët që kanë telefonuar për të kërkuar ndihmë kanë shfaqur shenja të pasigurisë dhe frikës se mund të infektohen apo humbin familjarë nga infektimi me koronavirusin e ri.

“Kanë filluar të flasin nga ankthi, depresioni, ideja që mos po kam ndonjë sulm. Mos po më gjen diçka? Çfarë m’i gjen fëmijët? Pastaj kanë qenë familjarët e sëmurë me COVID-19 që ka shkaktuar edhe ajo një krizë të madhe te individët se si t’i ndihmojnë të infektuarit. Si të arrijnë të ushqejnë familjen? Si të krijojnë siguri?”, tregon Halimi.

Psikologja Florina Qupevaj thotë se një numër i qytetarëve kanë telefonuar në gjendje të rëndë emocionale dhe krejt çfarë kanë mundur të bëjnë është që t’u tregojnë teknika për të tejkaluar gjendjen në të cilën kanë qenë.

“Ndihma që më së shumti ju kemi dhënë njerëzve kanë qenë teknika të lehta që ne kemi mundur që t’i japim përmes telefonit dhe me të ju shpjegojmë mënyrën më të mirë se si ata t’i praktikojnë, në mënyrë që ta kalojnë atë gjendje emocionale në të cilën kanë qenë”, thotë Qupevaj.

Pandemia kufizoi shërbimet për shëndetit mendor

Numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë psikologjike përmes linjës pa pagesë ka qenë më i lartë për shkak se çdo telefonatë është bërë në kushte anonimiteti.

Psikologet Halimi e Qupevaj thonë se fakti që gjithçka ka qenë anonime, duke përfshirë edhe numrin e telefonit, ka bërë që ata të ndjehen më të lirë që të flasin për problemet e tyre.

“Vazhdojnë ende të telefonojnë, do të thotë ju ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë ndihma psikologjike që e kanë marrë ose vetëm fakti që janë të dëgjuar dhe kanë mundur të shprehen pa kurrfarë kornize apo paragjykimi”, thotë Halimi.

Koha sa Kosova ishte në izolim ka ndikuar që të kufizohen shërbimet shëndetësore.

Qytetarët që kanë pasur nevojë që të kërkojnë ndihmë psikologjike e kanë pasur të pamundur për shkak se këto shërbime nuk janë ofruar në kohën e izolimit, ndërkohë që shumë klinika private kanë qenë të mbyllura gjatë pandemisë.

Psikologja Florina Qupevaj tregon se ka pasur raste kur qytetarët kanë pyetur se a është normale që njeriu të vizitojë psikologun dhe se a ka shumë qytetarë që kërkojnë ndihmë psikologjike.

“Gjëja më e vështirë qe jemi ballafaquar ka qenë ulja e stigmës. Pse? Sepse njerëzit nuk e kanë kuptuar që të shkosh te psikologu është diçka krejt normale”, thotë Qupevaj.

Linja falas e ndihmës psikologjike vazhdon të jetë aktive.

Studimet konfirmojnë rritjen e problemeve gjatë pandemisë

Shumë vende të botës raportuan se pandemia ka ndikuar në rritjen e problemeve të shëndetit mendor.

Këto probleme janë shtuar sidomos gjatë kohës sa qeveritë kufizuan lëvizjet e qytetarëve për shkak të rrezikut të përhapjes së sëmundjes së COVID-19.

Një studim i kryer në Australi me 5,000 persona të moshës madhore vuri në pah faktin se nga muaji mars deri në muajin prill, pandemia ka pasur një ndikim të madh, në veçanti te kategoritë e ndjeshme.

Rreth 80 për qind e personave që iu përgjigjen pyetësorit pranuan se shëndeti i tyre mendor u përkeqësua që nga shpërthimi i pandemisë, 25 për qind e të intervistuarve u shprehen se janë jashtëzakonisht të shqetësuar nga mundësia e infektimit me koronavirus, ndërsa 52 për qind shprehen frikë nga mundësia e infektimit të familjarëve dhe miqve të tyre.

Studimi i publikua në revistë shkencore “PLOS One” që fokus kryesor ka natyrën dhe mjekësinë.

OBSH-ja kërkon rritjen e buxhetit për shëndetin mendor

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar nga shtetet që të shpenzojnë më shumë nga buxhetet e tyre për shëndetësi, sa i takon shëndetit mendor.

Më 31 gusht, OBSH-ja ka publikuar rezultatet e një hulumtimi mbi ndikimin e pandemisë në sistemet shëndetësore në 105 shtete të botës.

“Nga të dhënat nga pesë rajone për periudhën mars-qershor 2020, dëshmohet se thuajse çdo shtet (90 për qind) kanë përjetuar ndërprerje të shërbimeve të tyre shëndetësore, më të prekurat kanë qenë shtetet me te ardhura të ulëta dhe mesatare”, thuhet në të gjeturat e këtij hulumtimi të OBSH-së.

Sipas rezultateve të hulumtimit, shërbimet shëndetësore për shëndetin mendor kanë qenë më të prekurat që nga fillimi i pandemisë, pasi si pasojë e izolimit, shumë njerëz e kanë pasur të pamundur që të marrin trajtime për shëndetin mendor.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se dështimi i sistemeve shëndetësore gjatë pandemisë duhet të shërbejë si pikë kthese për përmirësimin kujdesit shëndetësor për qytetarët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG