Ndërlidhjet

Uka: Mos e mendoni shtëpinë si burg


Fitim Uka
Fitim Uka

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, psikologu Fitim Uka ka folur se si duhet menaxhuar koha në izolim. Ai ka theksuar se tashmë janë bërë rreth 200 psikologë, të cilët po ofrojnë ndihmë psikologjike falas, online, për të gjithë ata që kanë nevojë dhe shfaqin shenja të ankthit, depresionit, apo probleme të natyrës me shëndetin mendor.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Uka, në kohën e pandemisë ju po ofroni ndihmë psikologjike online falas, për ata që kanë nevojë. Cilat janë shqetësimet më të shpeshta të atyre që lajmërohen?

Fitim Uka: Plot 200 psikologë nga e gjithë Kosova janë lajmëruar për të ofruar kontributin e tyre vullnetarë në luftë kundër COVID-19. Për të gjithë ata që kohën e izolimit e kalojnë me vështirësi, për ata që ngjarjet e fundit i shoqërojnë me stres të shtuar, panik, ankth dhe simptoma të depresionit, do të ketë një linjë ndihme. Kjo linjë e ndihmës është mundësuar falë bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Numri i telefonit është 03820080890 dhe mund të thërrasin nga ora 11:00 deri në orën 22:00.

Prandaj, jam vërtetë krenar me kolegët e mi, Departamentin e Psikologjisë në UP dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Të gjithë po tregojnë solidaritetin dhe profesionalizmin e tyre. Ndërkaq, shqetësimet më të shpeshta që i kemi adresuar kanë të bëjnë me sferën emocionale dhe ndonjëherë edhe me raportet ndër-personale, ato në familje të gjerë dhe në raportin me partner.

Radio Evropa e Lirë: Po përmendet shpesh ankthi, depresioni, pagjumësia... cilat janë udhëzimet tuaja, ndonëse secila nga këto që përmenda kërkojnë udhëzime specifike veç e veç?

Fitim Uka: Unë mendoj që janë mendimet tona ato që e diktojnë përjetimin tonë, botën emocionale dhe ndjenjat. Prandaj, nëse nuk e mendojmë si burg shtëpinë, nëse nuk e shohim kohën e izolimit si fundin e botës, nëse nuk e krijojmë idenë që koha që po kalojmë në izolim është koha më e keqe që kemi përjetuar, ndonjëherë ka zgjidhje. Thjeshtë, ajo që kërkoj, si parakusht për të kaluar sa më lehtë pandeminë, është ndryshimi i formës së menduarit. Tejkalimi i mendimeve negative dhe automatike.

Në vend të kësaj, pse mos të mendojmë këtë kohë, si një pushim nga jeta dinamike. Le ta shohim si një mundësi të papërsëritshme, për të njohur veten tonë në radhë të parë. Për të komunikuar me veten tonë. Për të rinjohur pasionet tona, që mund të jenë shkrimi, leximi, të kënduarit, të parit e filmave, meditimi, lutja, gatimi, apo të bërit sport edhe në kushte shtëpie.

Sa e sa herë kemi thënë që nuk kemi kohë për t’i kushtuar vetes dhe pse të mos e shfrytëzojmë këtë mundësi.

Pastaj, ta shohim këtë, si një mundësi ideale për të komunikuar me anëtarët tanë të familjes, për të rinkofirmuar lidhjet tona, për të ushqyer kohezionin tonë familjar. Le t’i kthehemi albumeve familjare, që na kujtojnë kohë të vështira kur ia kemi dalë bashkë, apo edhe kohë të lumtura, që do t’i shtojmë në të ardhmen e afërt.

Le të shfrytëzojmë këtë mundësi që na ka dhënë teknologjia, dhe të komunikojmë virtualisht me njerëzit tanë kudo që ata ndodhen. Të dëgjojmë për atë që kanë për të thënë dhe ta shfrytëzojmë edhe ne si mundësi unike, për të thënë atë që kemi në mendje. Nëse kemi ndonjë peng, pendim, është koha që ta themi dhe të lirohemi prej një barre të tilla.

Pastaj, nëse nuk ia dalim, le të kërkojmë ndihmë profesionale. Tanimë, janë numrat, janë adresat e ndryshme dhe nuk është turp dhe as marre, që të kërkojmë ndihmë. Madje, kjo për ne është shenja kryesore e vetëdijes së individit për rëndësinë që ka shëndeti mendor, dhe shenjë e qartë e vetëvlerësimit të lartë. Thjeshtë, ajo që duhet ta dinë të gjithë është, që nuk janë vetëm. Gjithë çfarë kërkohet është, që ju ta komunikoni nevojën për dëgjim. Të tjerat marrin rrugë vetë.

Expose: Kontrollojeni jetën tuaj” edhe gjatë pandemisë

Radio Evropa e Lirë: Cilat mosha po kërkojnë ndihmë më shumë?

Fitim Uka: Për shkak se telefontatat janë konfidenciale, nuk kemi të dhëna për këtë aspekt.

Radio Evropa e Lirë: Ka të dhëna zyrtare për rritje të dhunës në familje, që kur kanë nis së zbatuari masat e ndalim-qarkullimit. Sa në fakt ndikon izolimi në këtë fenomen?

Fitim Uka: Ndonjëherë, jeta në izolim bëhet e vështirë. Kur kjo shoqërohet edhe me frikën e njerëzve nga pandemia, por edhe telashet e ndryshme financiare, i bën njerëzit që të ndryshojnë sjellje. Fatkeqësisht, kjo e dëmton vetë-rregullimin dhe e rrit dhunën në familje. Por, njerëzit duhet ta kenë parasysh, që vetëm bashkë mund t'ja dalim edhe nga kjo situatë. Duhet të flasin për ndjenjat dhe emocionet e tyre dhe jo të injorojnë atë që ndjejnë dhe të akumulojnë përjetime e mendime negative, që mund të shpërthejnë më pas në situata të caktuara.

Radio Evropa e Lirë: Fëmijët, posaçërisht të moshës më të vogël, e kanë të vështirë ta kuptojnë pse nuk mund të shkojnë dot në shkollë. Çfarë do t’i udhëzonit prindërit?

Në kohën e pandemisë, kujdesi i shtuar padyshim duhet t’iu ofrohet fëmijëve. Ata janë pjesa më lehtë e lëndueshme nga kjo situatë që po kalojmë. Është e qartë, që qetësia jonë mund të jetë një lloj sigurie për fëmijët. Prandaj, fillimisht, praktikoni të gjitha ato rekomandime që janë dhënë për të rriturit, për të qetësuar veten tuaj dhe për të ofruar më pas ndihmë për fëmijët që mund të keni në shtëpi.

Rregulli i parë, që duhet të ndiqni është që të siguroni fëmijët që ata janë të sigurt dhe nëse ndjekin këshillat për të mbajtur pastërtinë, nuk do të preken nga virusi.

Rregulli i dytë, ju nuk duhet të keni frikë që të flisni për koronavirusin me fëmijët tuaj. Shumica e fëmijëve kanë dëgjuar për koronavirusin. Fakti që ata qëndrojnë në shtëpi dhe janë të kufizuar në lëvizje, i shtyn që të bëjnë më shumë pyetje. Prandaj, jepuni hapësirë atyre që të pyesin.

Rregulli i tretë, mos u përgjigjuni në asnjë pyetje, pa kuptuar çfarë dinë ata më parë. Pra, krijoi mundësi fëmijëve që të tregojnë se çfarë dinë dhe sa dinë, selektoni se cilat janë burimet e sakta dhe cilat jo. Më pas kuptoni si ndihen dhe përpiquni që të ofroni informacione që i qetësojnë ata, qoftë edhe duke përmendur fakte, që flasin për ata se si fëmijët mund ta kalojnë virusin COVID-19 si një grip të zakonshëm. Dhe, bëjeni të qartë, që kjo nuk duhet të jetë arsye për shkujdes, por për kujdes për shkak të shëndetit të prindërve apo gjyshërve që mund të kenë në familje.

Rregulli i katërt, përshtatu me moshën kalendarike të fëmijëve dhe përshtat gjuhën dhe argumentet që të jenë të besueshme. Në rast se fëmijët i takojnë moshës parashkollore, ju mund të përdorni lojën apo karakteret e përrallave për të shpjeguar pse duhet të jemi të kujdesshëm.

Rregulli i pestë, fëmijët flasin më shumë për problemin, ju flisni për zgjidhjen. Ata do të përmendin atë që kanë dëgjuar për rrezikun, ju përmendni atë që dini për zgjidhjen, që është pikërisht ajo që bëjmë në kohën e izolimit.

Rregulli i gjashtë, mbani rutinat e juaja familjare, por shtoni aktivitetet me fëmijët.

Radio Evropa e Lirë: Në situata krize, është e natyrshme që vëmendjen ta orientojmë nga informacioni, nga mediat. Por, si të gjendet një ekuilibër, ndërmjet të qenit të informuar dhe “infodemisë”, ose informacioneve të shumta, të besueshme e jo të besueshme?

Panikun nuk mund ta reduktoni duke u përpjekur të injoroni zhvillimet dhe lajmet për COVID-19. Edhe nëse mbyllni sytë përballë lajmeve që iu shfaqen në rrjetet sociale, edhe nëse mbyllni veshët për të mos dëgjuar një lajm, informatat në lidhje me koronavirus do të gjejnë rrugë për t’u plasuar tek ju. Dikush nga familja e bën publik një lajm që ka dëgjuar, një mik do t'ju rrëfejë dicka që lidhet me situatën. Prandaj, thjeshtë. Kjo nuk është zgjidhja.

Në vend të kësaj, lexoni burime kredibile të informacionit, referojuni udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, por edhe mediumeve të besueshme si kjo e juaja. Aty mund të shihni fakte të mjaftueshme për të qetësuar veten tuaj dhe familjarët tuaj.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG