Ndërlidhjet

Prishtinasit kërkojnë ajër të pastër


Protestë në Prishtinë - qytetarët kërkojnë ajër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Disa qindra qytetarë të Prishtinës, me moton “Duam ajër të pastër”, kanë protestuar sot në sheshin “Skënderbeu” dhe para objektit të Kuvendit të Kosovës, me qëllim të sensibilizimit të opinionit dhe institucioneve të vendit për nivelin alarmant të cilësisë së ajrit në kryeqytet.

Ditët e fundit, cilësia e ajrit, sipas matjeve zyrtare, është e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovëskanë marrë masa të caktuara, në përpjekje për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

Protestuesit në Prishtinë kanë vendosur para Kuvendit të Kosovës pankartat me mesazhe kundër ndotjes së ajrit.

“Helm”... “U ngufatëm”...”Kontrollo cilësinë e naftës”...” Ajër”,, ishin disa nga mesazhet nga parullat që mbanin në duar protestuesit.

Në emër të qytetarëve që kanë protestuar ka folur Vullnet Krasniqi, i cili ka thënë se përgjegjësinë kryesore për cilësinë e ajrit në Prishtinë, e bartin institucionet e vendit, për shkak të shpërfilljes që i kanë bërë këtij problemi për vite të tëra.

“Sot jemi mbledhur për të protestuar për diçka elementare, sikur ajri. Bash sot, pas 17 vjetësh që nuk kanë bërë asgjë, sot e kanë gjetur që të organizojnë një mbledhje të jashtëzakonshme për ajrin. Por, është mjaft. Nuk duam më t’ju dëgjojmë duke folur. Ju kemi dëgjuar qe 17 vjet. Tash duam ajër, ajër të pastër”, theksoi Krasniqi.

Ai ka shtuar se kërkesa e protestuesve është që të furnizohen shkollat dhe qendrat mjekësore me maska për mbrojtje nga ajri i ndotur.

Në anën tjetër, në koordinim me autoritetet qendrore të vendit, autoritete komunale të Prishtinës kanë nisur sot zbatimin e disa masave për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

Ato kanë ndaluar shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, si dhe qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të policisë, të misioneve diplomatike, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të EULEX-it, inspeksionit, taksive të licencuara.

Masat kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Në rrugët e Prishtinës janë angazhuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kontrollimin e trafikut dhe patrullat policore janë parë në të gjitha rrugët që qojnë drejt qendrës së qytetit.

Megjithatë, disa qytetarë të Prishtinës, të cilët kanë marrë pjesë në protestë, i kanë vlerësuar masat e autoriteteve si të pamjaftueshme.

Arbnora Ademi nga Prishtina, thotë se për cilësinë e ajrit duhet të vetëdijesohen edhe institucionet, por edhe vetë qytetarët.

“Jo, nuk mendoj që janë masat e duhura dhe korrekte. Por, duhet po aq sa Qeveria edhe ne si popull me qenë të kujdesshëm. Nuk janë vetëm veturat, por ka edhe ndotje tjera më të vogla dhe që krijojnë diçka më të madhe”, tha Ademi.

Fatmir Curri, po ashtu nga Prishtina, thotë se tash e disa vite, sidomos në stinën e dimrit, ajri në Prishtinë është i ndotur. Por, sipas tij, ditëve të fundit është shpërfaqur vetëdijësimi më i madh i qytetarëve për gjendjen alarmante të ajrit.

“Këto masa që i ka marrë sot Komuna nuk janë të mjaftueshme, sepse e dimë që ndotësi kryesorë është Obiliqi, pastaj djegësit e qymyrit, por edhe për veturat po thuhet që po marrin pjesë. Ajo që mungon është një analizë e vërtetë se cilët janë shkaktarët e më pas të merren masat e duhura”, theksoi Curri.

Të dhënat që ditë më parë ka ofruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës tregojnë se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales, duke arritur edhe mbi 400 grimca, sipas kësaj matjeje.

XS
SM
MD
LG