Ndërlidhjet

Sa ka ndryshuar Qeveria Haradinaj?


Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.
Pamje nga një mbledhje e Qeverisë së Kosovës.

Në shtatorin e vitit 2017, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës.

Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës e kishte zgjedhur Qeverinë e re, të përbërë nga një koalicion parazgjedhor i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Edhe pse Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë, kundër kësaj Qeverie nuk pati asnjë votë, pasi që deputetët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativës e kishin lëshuar sallën e Kuvendit në shenjë proteste, pas refuzimit të kërkesës për debat rreth përbërjes së Qeverisë së re.

Qeveria ishte formuar në saje të një koalicioni të gjerë të përbërë nga 23 parti politike, e që është koalicioni qeverisës më i madhi i regjistruari ndonjëherë për nga numri i partive politike që e përbëjnë atë.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se duke qenë i tillë koalicioni, Qeveria Haradinaj ka bërë rritjen rekorde të numrit të ministrive në 21, e të cilat shoqërohen me tjetër numër rekord të mbi 70 zëvendësministrave.

Sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, sipas Kryeziut, Qeveria Haradinaj ka emëruar edhe pesë koordinatorë nacionalë, të cilët në hierarki të Qeverisë janë në nivel të ministrave, kurse fushëveprimtaria e tyre interferon me ministritë aktuale.

“Një koalicion kaq i madh, me një kabinet qeverisës po aq të madh, pashmangshëm e bën Qeverinë joefikase, të pamenaxhueshme, subjekt të keqpërdorimeve dhe të cenueshme. Kjo për faktin se koalicioni prej 23 partive për asnjë moment nuk e ka dëshmuar se bashkëpunimi i tyre ka bazë plan-programet qeverisëse para interesave të tyre afatshkurta, e të ngushta. Prandaj, Qeveria Haradinaj brenda këtyre 21 muajve qeverisje është detyruar të ndërrojë 13 ministra në gjashtë ministri të ndryshme”, thotë Kryeziu.

Këto ndryshime në ministri të ndryshme, ndodhen për pak muaj qeverisje. Të parët që pësuan nga këto ndryshime ishin Albena Reshitaj e AKR-së dhe Bajram Hasani i partisë Nisma Socialdemokrate, anëtarë të partive në koalicion me PDK-në dhe AAK-në.

“Këto ndryshime kanë ndodhur për arsye të ndryshme. Nga ato politike në rastin e ministrave të Listës Serbe për shkak të bojkotimit të punës së tyre në Qeveri, deri te ato për arsye të ristrukturimit sipas kërkesave jo shumë mirë të arsyetuara të partnerëve të koalicionit qeverisës, sikurse në rastin ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe ish-ministres së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj”, thotë Kryeziu.

Ministria e Punëve të Brendshme që prej fillimit është udhëhequr nga Aleanca Kosova e Re dhe ka pësuar më së shumti ndryshime. Për një kohë të shkurtë, në këtë ministri u ndërruan tre ministra. Po ashtu, ministra u ndërruan edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Në këtë rrugë është edhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ku së fundmi ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit, Besim Beqaj.

Në fundin e marsit të vitit të kaluar, Lista Serbe mori vendim që të largohet nga Qeveria, pas arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, i cili ishte futur në Kosovë pa lejen e autoriteteve kosovare. Me lirimin nga detyra të dy ministrave nga radhët e Listës Serbe, në dy ministritë përkatëse, atë të Bujqësisë dhe Administrimit të Pushtetit Lokal, menjëherë janë emëruar dy ministra tjerë nga radhët e komunitetit pakicë serbë.

Dalja e Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj dhe ndryshimet në përbërje si rezultat, sipas anëtarëve të shoqërisë civile, nuk është se e kanë ndryshuar Qeverinë përmbajtësish, mirëpo për shkak të fragjilitetit të saj ajo është detyruar të jetë e cenueshme nga kërkesat e një partie opozitare, sikurse Partia Socialdemokrate.

Pas të gjitha këtyre ngjarjeve, analisti i çështjeve politike Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se qeverinë Haradinaj po e mbanë në jetë interesi i partive politike që përbëjnë koalicionin qeveritar dhe pamundësia e opozitës për të krijuar numrat për ta rrëzuar këtë Qeveri.

Sipas tij, Qeveria Haradinaj mund të vazhdojë në këtë formë derisa ndonjëri nga partnerët e koalicionit t’i bëjë votat me opozitën për ta rrëzuar Qeverinë.

“Kjo Qeveri po funksionon ekskluzivisht duket për interesa të partnerëve të koalicionit. Nuk është qëllimi që të përmirësohet jeta e njerëzve të Kosovës, të cilët i kanë votuar subjektet politike dhe rrjedhimisht është krijuar ky koalicion qeveritar, por qëllimi është që sa më shumë të përfitohet partiakisht dhe politikisht, pavarësisht se siç e dimë, tash e një kohë të gjatë puna në Kuvend është e bllokuar”, thotë Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj vlerëson se që nga fillimi, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk ka qenë e sigurt në kuptimin e vazhdimin e punës.

“Qeveria është jashtëzakonisht e dobët, por deri tash po ia del të mbijetojë. Tash është çështje tjetër se kjo mënyrë e funksionimit është e dëmshme për qytetarët, në kuptimin që shumë vendim për të cilat do të duhej të vendosej në Kuvend, në fakt nuk po arrin të kalojnë”, thotë Mushkolaj.

Me koalicionin aktual qeverisës që po ballafaqohet me faktin e humbjes së shumicës në Kuvend, opozita në Kuvendin e Kosovës vazhdon të kontestojë legjitimitetin e Qeverisë aktuale të Kosovës, por zyrtarisht nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë drejt ngritjes së ndonjë mocioni të mosbesimit, sado që kjo çështje përmendet si mundësi reale.

Megjithatë, bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, por zyrtarët e LDK-së thonë se do të provojë të sigurojë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë.

XS
SM
MD
LG