Rashiq bën thirrje për harmonizimin e projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq. Fotografi nga arkivi.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq. Fotografi nga arkivi.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, vlerësoi se projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore duhet të harmonizohet me legjislacionin ekzistues dhe garancitë kushtetuese, në mënyrë që të mos ketë ndikim të dëmshëm për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe objektet e saj fetare.

“Është veçanërisht e rëndësishme që me ligjin e ri të mos cenohen garancitë ekzistuese ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kishës Ortodokse Serbe, dhe as të anashkalohen, përmes kompetencave të reja inspektuese, kompetencat dhe mekanizmat mbrojtës të përcaktuar me ligjet në fuqi”, tha Rashiq përmes një reagimi.

Ky reagim i ministrit serb vjen disa ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Fillimisht, kundër tij u deklaruan deputetët e Listës Serbe me arsyetimin se me këtë ligj mund të cenohen garancitë që gëzon tashmë Kisha Ortodokse Serbe.

Rashiq tha se mangësitë në ligj është dashur që të evidentohen më herët në mënyrë që të mund të merreshin masa me kohë.

Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kosovë, ndërkaq një deputet vjen nga radhët e partisë së Rashiqit.

Deputetët e Listës Serbe kanë kërkuar po ashtu që projektligji të kthehet për plotësim dhe që, para se të procedohet sërish, të konsultohet Kisha Ortodokse Serbe.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Dioqeza e Rashës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe, duke thënë se askush nuk është konsultuar me të gjatë hartimit të ligjit, ndonëse ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka thënë se janë mbajtur konsultime publike.

Bogujevci ka hedhur poshtë pretendimet se ligji mund ta rrezikojë pozitën e Kishës Ortodokse Serbe, duke theksuar se ndërmjet leximit të parë dhe të dytë ekziston mundësia që ligji të ndryshohet ose plotësohet.

Ministri Rashiq më 24 nëntor ka theksuar se problematike janë veçmas nenet 5 dhe 6, për shkak të mbivendosjes së mundshme të kompetencave me institucionet që tashmë kanë përgjegjësi të përcaktuara me ligj.

Edhe Lista Serbe i ka cilësuar këto nene si problematike. Ato kanë të bëjnë me kompetencat e inspektorëve për të kontrolluar asetet kulturore, për të ndaluar punimet dhe për të nisur procedurat për pezullimin ose revokimin e lejeve.

Përfaqësuesit politikë të serbëve konsiderojnë se ligji nuk e përcakton qartë se ekzistojnë garancitë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, të bazuara në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjin për Liritë Fetare.

Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura garanton mbrojtjen e manastireve, kishave dhe objekteve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe mbron monumentet e tjera kulturore dhe historike që kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb.

Ministri Rashiq vlerësoi se gjatë përcaktimit të natyrës juridike të ligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore duhet të merren parasysh përmbajtja e tij reale, çështjet që rregullon dhe pasojat që mund të prodhojë, e jo vetëm emërtimi ose qëllimi i përcaktuar formalisht.

Në këtë kontekst, ai theksoi se neni 81 i Kushtetutës së Kosovës përcakton qartë se për miratimin e ligjeve të kësaj kategorie kërkohet shumica e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, si dhe shumica e votave të deputetëve që kanë mandatet e garantuara për komunitetet joshumicë.

“Kjo nuk është çështje politike dhe as çështje e vullnetit të mirë, por një detyrim kushtetues”, u shpreh Rashiq.

Ai shtoi se kërkesa për konsultime shtesë është e arsyeshme dhe bëri thirrje për dialog mes përfaqësuesve politikë të serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe.

“Jemi të hapur për bisedime dhe konsiderojmë se përfshirja e të gjithë aktorëve relevantë është e domosdoshme për të arritur një zgjidhje cilësore dhe juridikisht të qëndrueshme”, tha Rashiq.

Që ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore të hyjë në fuqi, pas miratimit në lexim të parë, ai duhet të shqyrtohet nga komisioni përkatës, i cili trajton vërejtjet e palëve të interesuara dhe amendamentet e mundshme. Më pas, projektligji kthehet në Kuvend për lexim të dytë. Nëse nevojitet rishqyrtim, teksti përfundimtar mund të hidhet në votim në lexim të tretë.

Për çështjen e ligjit ka reaguar edhe Lëvizja Studentore e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Serbi në fund të tetorit. Kjo lëvizje ngriti çështjen e mënyrës se si Inspektorati i ardhshëm do të trajtojë pronat dhe objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Deputeti i kësaj lëvizjeje në Kuvendin e Serbisë, Jugosllav Gashiq, deklaroi për transmetuesin publik të Serbisë se këtë çështje do ta paraqesë si prioritet në takimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

​
XS
SM
MD
LG