Ndërlidhjet

Një informatore thotë se Facebook i dha përparësi rritjes përpara sigurisë


Frances Haugen gjatë intervistës së saj për emisionin 60 Minuta në kanalin CBS.

Një informatore e gjigantit teknologjik, Facebook, njëherësh ish-punëtore e kompanisë dhe përgjegjese për publikim të një serie dokumentesh, e ka bërë të ditur identitetin e saj.

Frances Haugen, 37-vjeçare, e cila ka punuar si menaxhere produktesh në departamentin për dezinformata në Facebook, është intervistuar të dielën nga kanali televiziv amerikan, CBS.

Ajo ka thënë se dokumentet që ka publikuar kanë vërtetuar se Facebook vazhdimisht e ka pasur më prioritet “rritjen sesa sigurinë”.

Facebook ka thënë se dokumentet e publikuara kanë qenë mashtruese dhe kanë vënë në hije hulumtimet pozitive të kryera nga kompania.

Në një intervistë për programin 60 Minuta të CBS-it, Haugen ka thënë se është larguar nga Facebook më herët gjatë këtij viti, pasi është zemëruar keq me kompaninë.

Para largimit nga kompania, ajo ka bërë kopje një sërë dokumentesh dhe memorandumesh.

Ajo i ka ndarë këto dokumente me gazetën amerikane Wall Street Journal, e cila ka publikuar materialet në tri javët e fundit – ndonjëherë duke iu referuar si Dokumentet e Facebook-ut.

Në mesin e të dhënave kanë qenë edhe ato që kanë treguar se figura të mirënjohura, politikanë dhe zyrtarë të lartë të Facebook-ut janë trajtuar ndryshe nga kompania.

Sipas të dhënave, për këto llogari janë zbatuar politika tjera.

Një tjetër dokument ka treguar se Facebook është përballur me një padi komplekse nga një grup i aksionarëve të saj.

Ky grup dyshon – në mesin e gjërave tjera se – pagesa në vlerë të 5 miliardë dollarëve që ka bërë Facebook për Komisionin amerikan për Tregti, për të zgjidhur skandalin me të dhëna me kompaninë Cambridge Analytica, ka qenë aq e lartë, sepse përmes saj është mbrojtur Mark Zuckerberg nga përgjegjësia personale.

Mirëpo supozimet e këtij grupi për Instagramin kanë qenë sidomos shqetësuese për politikanët amerikanë.

Një kërkim i brendshëm nga Facebook (që ka në pronësi Instagramin) ka gjetur se Instagrami ndikon në shëndetin mendor të të rinjve, mirëpo nuk ka bërë publike të dhënat që kanë sugjeruar se platforma është vend “toksik” për shumë të rinj.

Sipas raportimeve të Wall Street Journal, 32 për qind e vajzave adoleshente kanë thënë se ndihen keq për trupat e tyre dhe Instragrami i ka bërë të ndihen edhe më keq.

Haugen do të dëshmojë para një nënkomiteti të Senatit të martën në një seancë me titull “Mbrojtja e Fëmijëve Online”.

Në të do të diskutohet për ndikimin e Instagramit në shëndetin mendor të të rinjve.

Javën e kaluar, një zyrtar ekzekutiv i Facebook-ut ka dëshmuar para senatorëve amerikanë, duke thënë se dokumentet që kanë rrjedhur, nuk kanë treguar ndikimin pozitiv që ka pasur platforma te adoleshentët.

Megjithatë, Haugen ka qenë kritike ndaj kompanisë ku ka punuar.

“Ka pasur konflikt të interesit në mes të asaj që është e mirë për publikun dhe asaj që është e mirë për Facebook-un”, ka thënë ajo.

“Facebook ka vendosur të përmirësohet për interesat e veta, duke përfshirë rritjen e të hyrave”.

Haugen ka folur edhe për trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan në janar të këtij viti – duke pretenduar se Facebook ka ndihmuar në nxitje të dhunës.

Ajo ka thënë se Facebook ka aktivizuar sistemet për të zvogëluar dezinformatat gjatë zgjedhjeve amerikane – mirëpo vetëm përkohësisht.

“Sapo kanë mbaruar zgjedhjet, kompania i ka ndalur sistemet ose i ka ndryshuar ato siç kanë qenë më parë, për ta bërë më prioritet rritjen sesa sigurinë, dhe kjo në fakt më duket si tradhti ndaj demokracisë”.

Në një paraqitje në kanalin televiziv, CNN, nënpresidenti për Çështje Globale në Facebook, Nick Clegg, ka thënë se është çmenduri të mendosh se Facebook ka qenë përgjegjës për trazirat.

“Mendoj se krijohet një ide e rreme nëse dikush mendon se duhet të ketë sqarim teknologjik apo politik për çështjet e ndasive politike në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG