Ndërlidhjet

Një shpresë e re për Rusinë?!


Udhëheqësi i opozitës, Aleksei Navalny, dhe mbështetës të tij.

Opozita u ngrit. Partia në pushtet ra. Kremlini është i shqetësuar. Strategjia e Votimit të Mençur e Aleksei Navalnyt është… e mençur?

Edhe pse zgjedhjet në Rusi vazhdojnë të jenë një proces i kontrolluar mirë, votimet e 8 shtatorit treguan për gjendjen e politikës në 16 muajt e parë të mandatit të katërt të presidentit rus, Vladimir Putin.

Çfarë do të thonë ato për Rusinë, në kohën kur Kremlini përpiqet të kuptojë se çfarë duhet të bëjë përpara largimit të planifikuar, por jo të garantuar të Putinit nga zyra, më 2024?!

Shpresë e re?

Opozita ruse ka ngecur në një shkretëtirë politike tash e sa vjet, si pasojë e ndikimit të Kremlinit dhe popullaritetit të vazhdueshëm të Putinit, që sundon Rusinë që 20 vjet.

Megjithatë, popullariteti i tij ka rënë dukshëm. Ai vazhdon t’i porosisë vlerësimet për të, por rusët janë duke u lodhur nga udhëheqja e tij. Pagat po ngecin, korrupsioni po përhapet, njerëzit e urrejnë rritjen e taksave, ndërsa transportimi i plehrave shtëpiake të Moskës në rajone të tjera është jopopullor në ato rajone.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke votuar në Moskë, 8 shtator, 2019.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke votuar në Moskë, 8 shtator, 2019.

Partia në pushtet Rusia e Bashkuar, po ashtu, nuk pëlqehet nga shumë votues.

Navalny – avokat anti-korrupsion, politikan karizmatik dhe i gjithanshëm – dhe aleatët e tij liberalë i kanë zhvendosur taktikat e tyre: nga sfidimi i sistemit në nivel kombëtar, në nivel lokal. Së paku, tash për tash.

Ata kanë shtyrë përpara kandidatë për të garuar për ulëse në Dumën e qytetit të Moskës. Plani? Nëse mund të fitojnë terren në këshillin e qytetit, atë mund ta përdorin si një trampolinë për ambicie më të mëdha politike.

Zyrtarët zgjedhorë e kanë penguar këtë plan, duke i ndaluar këta kandidatë të mundshëm të marrin pjesë në zgjedhje. Opozita ka mbajtur protesta të mëdha javore në rrugë – disa të paautorizuara – të cilat i kanë sfiduar drejtpërdrejt zyrtarët.

Më 8 shtator, kandidatë të vërtetë të opozitës u kthyen në Dumën e qytetit të Moskës për herë të parë në disa vite: partia liberale Yabloko fitoi katër ulëse. Numri i ulëseve të mbajtura nga Rusia e Bashkuar dhe kandidatët aleatë ra nga 40 në 25. Dy parti të tjera – Komunistët dhe Një Rusi e Drejtë – morën një numër të vogël vendesh.

Navalny dhe aleatët e tij nuk fituan, pasi u mbajtën jashtë zgjedhjeve. Por, rezultati kryesor është se kandidatët e lidhur me Rusinë e Bashkuar humbën dhe kontrolli i partisë në Dumën e Moskës u zvogëlua. Humbësit e Rusisë së Bashkuar përfshijnë edhe Andrei Metelskyn, udhëheqës i degës së partisë në Moskë.

“Këto nuk kanë qenë zgjedhje reale – shumë kandidatë që do të fitonin, nuk janë lejuar të garojnë”, shkroi në Twitter Daria Besedina, e cila ka garuar si e pavarur, por është mbështetur më pas nga Yabloko.

Lyubov Sobol, aleate e Navalnyt, e cila është ndaluar të garojë, tha se është e lumtur për rezultatet.

“Këto zgjedhje do të futen në historinë e Moskës, falë guximit dhe këmbënguljes së qytetarëve dhe frikës dhe poshtërsisë” së kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, shkroi ajo në Twitter.

Dhe ka vetëm 24 muaj deri në zgjedhjet parlamentare kombëtare.

Guvernatorët godasin përsëri

Në politikën ruse, Moska shkon në një drejtim, por pjesa tjetër e Rusisë nuk e ndjek atë domosdoshmërisht. Derisa rezultatet për Dumën e Moskës paraqesin shpresë për grupet opozitare në kryeqytetin rus, rezultatet nga zgjedhjet rajonale nuk janë aq shpresëdhënëse.

Në 16 rajone ku janë mbajtur zgjedhjet, guvernatorët në pushtet janë rizgjedhur. Të gjithë ata vijnë nga Rusia e Bashkuar ose kanë garuar si të pavarur.

Në mesin e atyre që fituan është edhe kryetari i qytetit të dytë më të madh të Rusisë – Shën Petersburgut – Aleksandr Beglov, fushata e të cilit u përshkua me ceremoni të prerjes së shiritave për stacione të reja metrosh e të tjera. Sikurse së paku pesë guvernatorë të tjerë, ai ka garuar si i pavarur, për të shmangur identifikimin me Rusinë e Bashkuar.

Kthimi i Navalnyt

Në vitin 2011, kur ka nisur të ketë vëmendje kombëtare, Navalny ka sajuar një pseudonim për Rusinë e Bashkuar që vazhdon të përdoret edhe sot: “partia e hajdutëve”.

Ai ka udhëhequr disa hetime për korrupsion, që kanë gërmuar nëpër financat e njerëzve si: kryeministri Dmitry Medvedev apo ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Pasi është mbajtur jashtë zgjedhjeve dhe vazhdimisht është ngarkuar me akuza penale, Navalny dhe aleatët e tij kanë dalë me një taktikë të re: i ashtuquajturi Votim i Mençur.

Ideja funksionon kështu: votoni për kandidatët që janë në fletëvotime dhe janë kundër Rusisë së Bashkuar.

Kjo ka acaruar shumë liberalë që janë neveritur nga ideja për të mbështetur, për shembull, një kandidat të Partisë Komuniste. Por, ajo ka funksionuar së paku në disa raste në Moskë.

Valeriya Kasemara, rektore në një universitet prestigjioz të Moskës, e cila ishte e lidhur me Rusinë e Bashkuar, do të sfidohej nga Sobol, sikur Sobol të lejohej të kandidonte. Megjithatë, Kasemara humbi nga një kandidat tjetër, më pak i njohur, por që u mbështet nga nisma e Navalnyt: Votimi i Mençur.

Në total, 20 kandidatë të mbështetur nga Votimi i Mençur fituan.

“E gjithë kjo është rezultat i Votimit të Mençur, me të cilin kam dalë vitin e kalaur, kur kam shërbyer 50 ditë në burg, për shkak të protestave kundër reformës në pensione”, tha Navalny.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia e Bashkuar “në disa vende mori më shumë ulëse, në disa më pak, por, në përgjithësi, ajo dëshmoi lidershipin e saj politik”.

Hakmarrja e Kremlinit

Moska – dhe Shën Petersburgu në një masë të madhe – është më liberale, më kozmopolite dhe politikisht më e larmishme sesa pjesa tjetër e Rusisë. Ajo gjithashtu është më e pasur dhe ka një mjedis më të larmishëm mediatik.

Kjo do të thotë se ajo që ndodh në Moskë mund të jetë praktikisht e pamundur të përsëritet në nivel kombëtar.

Sidoqoftë, Navalny ka arritur të rrisë indinjatën vitin e kaluar mbi një iniciativë të Kremlinit për të rritur moshën e pensionit. Zemërimi ka shpërthyer në demonstrata që kanë tërhequr një grup më të gjerë të votuesve në një grup më të gjerë të qyteteve.

Por, Putin mbetet popullor dhe nuk ka asnjë figurë tjetër politike në të gjithë vendin që i konkurron atij. Për më tepër, Kremlini kontrollon median ku shumica e rusëve informohen dhe argëtohen: televizionin.

Pra, Kremlini i ka mjetet për t’i brumosur zgjedhjet e Dumës së Shtetit të vitit 2021 sipas dëshirës së tij, dhe jo të opozitës.

Ky do të jetë edhe fati i vetë Putinit kur mandati i tij aktual të përfundojë më 2024.

Në mesin e disa opsioneve që thuhet se po diskutohen prapa dyerve të mbyllura në Moskë, është mbajtja e Putinit në pushtet duke ndryshuar Kushtetutën.

Kjo kërkon një shumicë prej dy të tretave në parlament, që është një gjë jo e sigurt, marrë parasysh jopopullaritetin e Rusisë së Bashkuar.

Por, Kremlini tashmë ka treguar shenja të përpjekjeve për të parandaluar trazirat masive politike.

Para protestave të kësaj vere në Moskë është krijuar një forcë e re elitare e policisë vendase – Garda Kombëtare – nën udhëheqjen e ish-truprojës së Putinit. Garda Kombëtare ka luajur rolin kryesor në rrahjen e protestuesve.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG