Me një marrëveshje të miratuar nga Gjykata Themelore në Prizren në tetor të vitit 2025, 22-vjeçari Alija Ragipoviq duhej të merrte 35.000 euro alimentacion nga babai i tij biologjik, Nuridin Bajrami, nga Dragashi - pjesa jugore e Kosovës.
Marrëveshja u arrit pasi, me kërkesë të Ragipoviqit, u vërtetua se Bajrami ishte babai i tij biologjik.
Sipas dokumentit gjyqësor, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, Bajrami u zotua ta paguante shumën me këste: 5.000 euro deri në fund të vitit 2025 dhe këstin e fundit prej 7.500 eurosh deri në dhjetor të vitit 2026.
Megjithatë, deri më tani, Bajrami pagoi vetëm këstin e parë prej 5.000 eurosh.
Për këtë arsye, avokati i Alija Ragipoviqit, Faik Miftari, i kërkoi gjykatës që ta detyrojë Bajramin ta zbatojë marrëveshjen gjyqësore.
Radio Evropa e Lirë pyeti Gjykatën Themelore në Prizren nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim për moszbatimin e vendimit të formës së prerë, por nuk mori përgjigje.
As Nuridin Bajrami nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të REL-it.
Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, e cila zbatohet në Kosovë, prindërit kanë detyrim ligjor të kujdesen për mbajtjen financiare të fëmijëve të tyre të mitur.
Po ashtu, Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2020, përcakton se në çdo vendim që lidhet me fëmijët, duhet të merret parasysh interesi më i mirë i tyre.
Si erdhi deri këtu?
Në vitin 2002, Emina Ragipoviq, 48 vjeçe, nga Novi Pazari i Serbisë, vendosi të lindte një fëmijë jashtë martese.
Një studim i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCBP), i titulluar “Siguria e grave në Novi Pazar”, thekson se ky qytet shpesh konsiderohet një mjedis tradicional, ku vazhdojnë të mbizotërojnë normat dhe vlerat patriarkale.
Emina thotë se i ka përjetuar vetë pasojat e këtyre normave.
Ajo rrëfen për Radion Evropa e Lirë se, fillimisht, e kishte fshehur shtatzëninë nga familja.
“Kur linda, për familjen time ishte si rrufe në qiell të hapur. Ishte një tronditje që la pasoja traumatike”, tregon Emina.
“E dija se do të më kryqëzonin”, thotë ajo, duke shtuar se ishte e vetëdijshme se do t’i duhej ta vazhdonte jetën e vetme, larg qytetit të lindjes.
“Nuk është e lehtë kur në dokumentet e fëmijës tënd, hapësira ku duhet të shënohet emri i babait, mbetet bosh”, thotë Emina, duke shpjeguar se ish-partneri ia kishte bërë të qartë se nuk do ta pranonte atësinë.
Sot, ajo jeton me të birin në Poloni, ku u shpërngul në vitin 2005 për të nisur një jetë të re.
Kur shoqëria të paragjykon
Në shoqëritë konservatore, gratë shpesh përballen me gjykime dhe paragjykime, duke u konsideruar si “turp” për familjen dhe shoqërinë, thotë aktivistja serbe, Millica Stojanoviq.
“Në një shoqëri të tillë, dështojnë edhe mekanizmat institucionalë, sepse në institucione punojnë njerëz që gjithashtu kanë paragjykime”, sipas saj.
Edhe pas më shumë se njëzet vjetësh dhe shpërnguljes në Poloni, Emina nuk do që të heqë dorë nga kërkesa për alimentacion.
Ajo thotë se nuk e bën këtë vetëm për para, por edhe sepse beson se asnjë prind nuk duhet t’u shmanget përgjegjësive ndaj fëmijës së vet.
Sipas saj, baballarët që refuzojnë të paguajnë alimentacionin, në fakt, refuzojnë të marrin përgjegjësi për fëmijët e tyre.
Emina thotë se pasojat e një sjelljeje të tillë nuk kufizohen vetëm te mungesa e mbështetjes financiare, por mund ta shoqërojnë fëmijën gjatë gjithë jetës.
Çfarë ndodhi në gjykatë?
Gjatë viteve, Emina tentoi disa herë të niste procedura gjyqësore për të vërtetuar atësinë e djalit të saj, por përpjekjet e saj ishin kryesisht të pasuksesshme.
Në vitin 2021, kur u bë 18 vjeç, Alija Ragipoviq iu drejtua Gjykatës Themelore në Prizren, duke kërkuar nga babai i tij biologjik pagesën e alimentacionit prej 200 eurosh në muaj për 18 vjetët e mëparshëm - gjithsej rreth 43.000 euro.
Pasi vërtetoi atësinë, gjykata vendosi që babai të paguante 120 euro alimentacion në muaj, duke marrë parasysh edhe gjendjen e tij financiare.
Vendimi u ankimua në Gjykatën e Apelit, e cila e ktheu rastin për rigjykim.
Më pas, palët arritën marrëveshje.
Çfarë ndodh kur vendimi i gjykatës nuk zbatohet?
Rasti i Eminës dhe djalit të saj, Alija Ragipoviq, nuk është i vetmi.
Në raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë për vitin 2025 thuhet se një numër i konsiderueshëm i ankesave të qytetarëve në fushën e së drejtës familjare, lidhen me shkurorëzimin, kujdestarinë ndaj fëmijëve, caktimin e alimentacionit dhe të drejtën e prindërve për të mbajtur kontakte me fëmijët.
Raporti thekson gjithashtu se zvarritja e procedurave gjyqësore dhe bashkëpunimi i dobët mes institucioneve vazhdojnë të jenë probleme serioze në rastet që lidhen me çështjet familjare.
Ardita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Kosova ka një kuadër të gjerë ligjor për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Sipas saj, Ligji për Familjen përcakton se çdo vendim që ka të bëjë me fëmijët, duhet të marrë parasysh interesin e tyre më të mirë.
“Ky parim është baza e të gjitha procedurave të së drejtës familjare, përfshirë vendimet për përgjegjësinë prindërore, kujdestarinë, kontaktet me fëmijën dhe mbajtjen financiare të tij, përkatësisht alimentacionin”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, sipas saj, problemet fillojnë kur vendimet gjyqësore duhet të zbatohen në praktikë.
Ajo thotë se nënat që i rrisin të vetme fëmijët, përballen shpesh me procedura të gjata gjyqësore, zbatim jo të njëtrajtshëm të vendimeve dhe mbështetje të kufizuar nga institucionet.
Një problem tjetër, sipas Rezniqit, është ekonomia joformale, e cila ua vështirëson gjykatave përcaktimin e saktë të të ardhurave dhe gjendjes financiare të prindërve.
“Shpesh dihet se një prind ka të ardhura të padeklaruara ose zhvillon biznes përmes kompanive që zyrtarisht janë të regjistruara në emër të familjarëve apo personave të tjerë, por zakonisht nuk është e mundur të sigurohen prova zyrtare për ta dëshmuar këtë”, thotë Rezniqi.
Sipas saj, në raste të tilla, një angazhim më aktiv i gjykatave dhe bashkëpunim më i mirë me institucionet e tjera do të ndihmonin që të përcaktohej më saktë gjendja financiare e prindërve dhe të merreshin vendime që mbrojnë interesin më të mirë të fëmijës.
Pse nevojitet një fond për alimentacionin?
Aktivistja për të drejtat e grave dhe drejtoresha e organizatës joqeveritare “E drejta për të drejtën” në Graçanicë, Millica Stojanoviq, vlerëson se mospagesa e alimentacionit shpesh lidhet edhe me mënyrën patriarkale të të kuptuarit të përgjegjësisë prindërore.
“Burrat me mendësi patriarkale dhe konservatore shpesh nuk paguajnë alimentacion, sepse mendojnë se në këtë mënyrë po i japin para gruas, e jo fëmijës së tyre. Ata as që e marrin parasysh fëmijën në këtë mes”, thotë Stojanoviq.
Ajo thekson se në Kosovë nuk ekziston një fond shtetëror për alimentacionin.
Sipas saj, një fond i tillë do të mundësonte që shteti t’ia paguante rregullisht alimentacionin fëmijës ose prindit që kujdeset për të dhe më pas t’i kërkonte paratë nga prindi që nuk e ka përmbushur detyrimin financiar.
“Pra, në vend që gruaja të detyrohet të ndjekë rrugën gjyqësore për të kërkuar të drejtat e fëmijës, këtë do të duhej ta bënte shteti dhe institucionet. Ato duhet ta paguajnë rregullisht alimentacionin dhe pastaj të merren me baballarët që nuk i përmbushin detyrimet e tyre”, thotë Stojanoviq.
Fondi i alimentacionit është një mekanizëm shtetëror që siguron pagesën e rregullt për mbajtjen financiare të fëmijëve, kur njëri prind nuk e përmbush këtë detyrim.
Në raste të tilla, shteti e bën pagesën përmes fondit dhe më pas ia kërkon shumën prindit që ka borxh.
Nga vendet e rajonit, fonde të tilla ekzistojnë në Serbi dhe në Mal të Zi, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë funksionojnë vetëm në entitetin e Republikës Sërpska.