Ndërlidhjet

Ngecje në njohje dhe anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Kosova ka ngecur në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë, si pasojë e kapaciteteve të vogla të udhëheqjes diplomatike dhe kundërshtimit të fuqishëm diplomatik të Serbisë në organizata ku ajo ka ndikim, vlerësojnë analistë të çështjeve politike.

Problemet me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sipas analistëve, ndërlidhen edhe me mosnjohjen e saj nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se ka disa rrethana të cilat ndikojnë në ngecjet e Kosovës, si në procesin e njohjeve të reja, ashtu edhe të anëtarësimit të saj në mekanizma ndërkombëtarë.

Janë disa rrethana që ndikojnë në këtë stagnim. Kosova është shtet i vogël dhe ka kapacitete të vogla të udhëheqjes diplomatike në planin ndërkombëtar. Njohja e 114 shteteve duket që është e bollshme për një shtet të vogël siç është Kosova”, tha Tahiri.

Hendikep i Kosovës është se nuk është pranuar në organizata ndërkombëtare dhe nuk është pranuar në Kombet e Bashkuara dhe në këtë bazë nuk shkon vendosja e marrëdhënieve diplomatike me automatizëm, por me secilin shtet duhet të lobuar, e me secilin shtet Kosova nuk ka kapacitet të vendosë marrëdhënie diplomatike”, theksoi Tahiri.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk janë prononcuar rreth kësaj çështjeje.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 114 shtete. Ndërkohë, është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshi edhe organizatat më të rëndësishme financiare dhe sportive.

Por, nuk ka arritur të rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, pasi që nuk është bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera, që ndërlidhen me OKB-në.

Kurse në raportet me Bashkimin Evropian, mbetet ende larg liberalizimit të vizave dhe procesit të anëtarësimit.

Përderisa e arritura kryesore në raportet me BE-në, mbetet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, e cila ka filluar të zbatohet nga prilli i vitit 2016.

Dy vitet e fundit, përkundër paralajmërimeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s (Agjencisë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara), Këshillit të Evropës dhe as INTERPOL-it (Policisë Ndërkombëtare).

Ndërkohë, për analistin e çështjeve politike Artan Muhaxhiri, njohjet e Kosovës kanë stagnuar gati krejtësisht në muajt e fundit.

Sipas tij, për të lëvizur nga kjo gjendje, aktualisht nuk ka as iniciativa as fuqi politike nga përfaqësuesit e Kosovës, ndërkohë që mungon edhe përkrahja nga partnerët ndërkombëtarë, siç ishte dikur.

Për ngecjet në njohje dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, fajtor janë qeveritarët tanë të cilat jo vetëm që nuk kanë pasur fuqi që vetë të bëjnë diçka më të madhe, por edhe nuk kanë pasuri fuqi të reagojnë ndaj fushatave të egra të Serbisë e cila ka qenë penguesja kryesore për mospranimin e Kosovës në këto organizata”, thotë Muhaxhiri.

Sipas Muhaxhirit, në procesin e lobimit, ka shumë rëndësi qasja e institucioneve të Kosovës ndaj vendeve veç e veç.

Më i rëndësishëm është stagnimi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, siç janë UNESCO, INTEROPL-i dhe mekanizmat tjerë, pasi që këto anëtarësime do t’i jepnin Kosovës një imazh tjetër në spektrin ndërkombëtar politik, por edhe do ta fuqizonin shtetësinë e saj”, thotë Muhaxhiri.

Në anën tjetër, Ramush Tahiri thotë se pas përfundimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, mund të priten njohje të reja dhe rrjedhimisht edhe anëtarësime të Kosovë në organizatat ndërkombëtare.

Sipas Tahirit, disa shtete kanë probleme të brendshme apo të ngjashme me rastin e Kosovës, ndërsa disa shtete tjera kanë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe ato presin që të këtë njohje nga Serbia dhe në atë bazë ta njohin një ditë edhe Kosovën.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG