Ndërlidhjet

Nju Jorku rrit përpjekjet për nxitje të vaksinimit


Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio.
Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio.

Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio, ka thënë se gjysma e shtatorit është afati i fundit për të gjithë punëtorët që të vaksinohen kundër koronavirusit, ose në kundërtën do të duhet të bëjnë teste çdo javë, për të parë nëse janë negativ në të.

Vendimi i tij pritet të rrisë presionin për vaksinim te më shumë se 300,000 punëtorë të Nju Jorkut, përfshirë mësues dhe zyrtarë policorë.

Në këtë periudhë po ashtu nis mësimi nëpër shkolla.

“Kjo ka të bëjë me rimëkëmbje. Ka të bëjë me atë që kemi nevojë të bëjmë për ta kthyer sërish Nju Jorkun si ka qenë. Ka të bëjë me mbajtjen e njerëzit, të sigurt”, ka thënë ai.

Vendimi nuk përbën detyrim për vaksinim, mirëpo de Blasio ka inkurajuar sektorin privat që të nxisë sa më shumë vaksinimin.

Eksperti për sëmundje infektive në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci ka thënë se SHBA-ja është nisur “në drejtim të gabuar”, sa i përket pandemisë me koronavirus, teksa rritet numri i të infektuarve në mesin e atyre që nuk janë vaksinuar.

Disa shtete amerikane kanë raportuar së fundmi për ulje të shkallës së vaksinimit, ndërkohë që përhapet koronavirusi.

Kjo gjë ka ndikuar në rritje të numrit të personave të shtruar në spital.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, ka thënë më 26 korrik se do të vazhdojë të zbatojë kufizimet në udhëtim drejt SHBA-së, pavarësisht presionit evropian për t’u rihapur.

“Ne do të zbatojmë kufizimet në udhëtim”, u ka thënë gazetarëve, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta, është duke u përhapur si te ne, ashtu edhe jashtë shtetit”, ka thënë mes tjerash ajo.

Sipas autoriteteve, prej shpërthimit të pandemisë, autoritetet kanë regjistruar 34 milionë raste dhe 610,000 viktima me koronavirus.

XS
SM
MD
LG