Ndërlidhjet

Numri i madh i veturave pa sigurim, pengesë për Kartonin e Gjelbër


Fotografi ilustruese

Numri i madh i automjeteve të pasiguruara, rreth 60 mijë sa qarkullojnë në trafik, është bërë pengesë që Kosova të përfshihet në sigurimin e Kartonit të Gjelbër, si polica ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës, krahas faktit që Kosova nuk është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).

Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimit, tha për Radion Evropa e Lirë, se parakushtet tjera të kërkuara për sigurime janë përmbushur nga ana kosovare, siç është themelimi i Byrosë së Sigurimit, infrastruktura ligjore dhe krijimi i fondit garantues prej rreth katër milionë eurosh.

“Por, prapë se prapë ka mbetur si kërkesë në të gjitha takimet e mëvonshme që Kosova duhet të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.Më pas edhe Këshilli i Byrove në Bruksel është munduar që të gjejë ndonjë zgjidhje praktike për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove, por që kjo ende nuk ka ndodhur”, tha Pushkolli.

Por, krahas pengesave që i shkaktohen Kosovës nga aspekti ndërkombëtar, siç është mungesa e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, edhe në planin e brendshëm, megjithatë vërehet se ka probleme, të cilat mund të shihen edhe si barrierë për sigurimin e Kartonit të Gjelbër.

Ekspertët e komunikacionit e konsiderojnë alarmant numrin e veturave të pasiguruara që qarkullojnë në rrugët e Kosovës.

Nol Dedaj, profesor i Komunikacionit në Kolegjin UBT, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se institucionet qeveritare duhet urgjentisht të ndikojnë në zvogëlimin e numrit të automjeteve të pasiguruara. Kjo pasi, sipas tij, përveç që paraqitet problem për sigurimin e Kartonit të Gjelbër, ky numër vlerësohet rrezik për aksidente në trafik.

“Kjo është alarmuese për territorin e Kosovës. Kjo do të thotë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka sistemin e menaxhimit të instaluar të mirëfilltë, sa i përket mirëmbajtjes së automjeteve dhe pastaj edhe kontrollin e mbikëqyrjes së automjeteve në territorin e Kosovës. Autoritetet kompetente duhet që përqindjen e automjeteve të paregjistruara, ta ulin nën pesë për qind”, vlerësoi Dedaj.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, të mërkurën në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa, tha se brenda dy vjetësh përqindja e automjeteve të pasiguruara, nga rreth 20 për qind sa është aktualisht, do të reduktohet në pesë për qind.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë të regjistruara më shumë se 315 mijë vetura.

Pagesa e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë është e obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Aty përfshihen edhe automjetet e mërgatës, diasporës së Kosovës.

Shuma e tarifave të sigurimeve kufitare të auto-përgjegjësisë, ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një vit kap vlerën e sigurimit prej 205 eurosh. Këto tarifa janë dukshëm më të larta për autobusë dhe kamionë me mbi një ton.

Nga tarifat e sigurimeve kufitare, sqaroi Pushkolli, vetëm vitin e kaluar, janë grumbulluar mbi 7 milionë euro.

“Vlera ka qenë rreth 7 milionë euro, kurse dëmet që ka paguar Byroja e Sigurimeve ka qenë 5.5 milion euro, kurse shpenzimet tjera kanë qenë administrative”, theksoi ai.

Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, thuhet se Fondi i Kompensimit administrohet nga Byroja dhe ka për qëllim pagesën e dëmeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Të gjitha këto mjete grumbullohen në Byronë e Sigurimeve të Kosovës, e më pas ato shpërndahen te kompanitë e sigurimeve, kurse nga shuma e grumbulluar vetëm tatimet e obliguara derdhen në Buxhetin e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG