Ndërlidhjet

OBSH pezullon procesin e miratimit të vaksinës ruse


Një punonjëse shëndetësore mban në dorë vaksinën ruse kundër koronavirusit Sputnik V.
Një punonjëse shëndetësore mban në dorë vaksinën ruse kundër koronavirusit Sputnik V.

Një zyrtar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë tha se grupi ka pezulluar procesin e miratimit të vaksinës ruse kundër koronavirusit, Sputnik V, për shkak të disa shkeljeve që u zbuluan gjatë inspektimit të një fabrike në Rusi, muaj më parë.

Jarbas Barbosa, ndihmësdrejtor në Organizatën Pan-Amerikane të Shëndetit - zyrë rajonale e OBSH-së për Amerikën - tha se në njërën nga fabrikat ku po prodhohet vaksina, do të kërkohen inspektime të reja.

Fabrika “duhet ta marrë këtë këshillë, t’i bëjë ndryshimet e nevojshme dhe të jetë gati për inspektime të reja. OBSH-ja është duke pritur që prodhuesi të dërgojë lajmin se fabrika e tij është në rregull”, tha Barbosa.

Në një raport të publikuar në qershor, OBSH-ja ka thënë se ka gjetur shkelje të shumta në një fabrikë në pronësi të kompanisë farmaceutike ruse “Pharmstandard”, në qytetin Ufa.

Sipas OBSH-së, shkeljet kanë të bëjnë edhe me “zbatimin e masave adekuate për të zbutur rreziqet e ndotjes”.

Fabrika ka thënë më vonë se i ka adresuar këto shqetësime.

Rusia ka aplikuar për miratimin e vaksinës Sputnik V nga OBSH-ja dhe Agjencia Evropiane e Barnave qysh në muajin shkurt.

Edhe pse nuk është miratuar ende nga këto dy agjenci, Sputnik V përdoret në një numër vendesh në të gjithë botën.

Disa analiza të publikuara më herët në revistën mjekësore “The Lancet” kanë treguar se ajo është e sigurt dhe 91.6 për qind efektive kundër koronavirusit.

XS
SM
MD
LG