Ndërlidhjet

Rusët në prag të marrjes së kontrollit të Severodonjeckut


Severodonjeck, maj 2022.

Forcat ruse janë shumë afër që të marrin kontrollin e qytetit kyç ukrainas, Severodonjeck, pas disa ditësh luftimesh të ashpra me mbrojtësit ukrainas, teksa Uashingtoni ka paralajmëruar se konflikti mund të zgjasë edhe për shumë muaj të tjerë.

Britania ndërkaq i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë duke njoftuar se do t’i dërgojë Ukrainës sisteme të avancuara të armëve, në mënyrë që Kievi të mbrojë veten ndaj forcave ruse.

Në qytetin industrial të Severodonjeckut, që është bërë caku kryesor i Moskës në ofensivën e saj në lindje të Ukrainës, kreu i administratës ushtrake, Sehiy Hayday, tha se 80 për qind e qytetit tani është nën kontrollin rus.

“Luftimet në rrugë po vazhdojnë”, tha Hayday përmes Telegramit, duke u zotuar se forcat ukrainase “do të luftojnë deri në fund për Severodonjeckun".

Oleksander Motuzianyk, zëdhënës i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, tha se ka luftime në rrugët e Severodonjeckut dhe se forcat ruse kanë arritur në qendër të qytetit, por shtoi se “forcat e armatosura ukrainase, aktivisht po rezistojnë”.

Hayday paralajmëroi se një numër i civilëve ishin strehuar nga granatimet ruse në fabrikën e kimikateve në Severodonjeck dhe se autoritetet kanë frikë se aty mund të ketë ende stoqe të materialeve të rrezikshme.

Në përditësimin e fundit lidhur me luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 2 qershor se Rusia ka marrë kontrollin e shumicës së Severodonjeckut.

Britania tha se rruga kryesore që çon për në qytet “ka të ngjarë” që është ende nën kontrollin ukrainas, por rusët po bëjnë përparim me ndihmën e artilerisë së rëndë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sërish e quajti situatën në lindje si “shumë të vështirë”, teksa foli për një media amerikane më 1 qershor, ku tha se Ukraina po humb 60 deri në 100 ushtarë çdo ditë dhe afër 500 po plagosen në luftime.

Megjithatë, inteligjenca britanike sugjeroi se rusëve, të cilët kanë pësuar humbje gjatë ofensivës, me gjasë do t’iu duhet “të paktën një pauzë e shkurtër taktike” në mënyrë që të përgatiten për sulme të tjera në rajonin e Donjeckut, ku forcat ukrainase kanë përgatitur pozicionet mbrojtëse.

Presidenti amerikan, Joe Biden, zyrtarisht më 1 qershor njoftoi se do të dërgojë në Ukrainë sistemin raketor me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), që është i aftë të godasë caqe 80 kilometra larg. Këto armë janë pjesë e pakos së re të ndihmës amerikane për Ukrainën që kap vlerën e 700 milionë dollarëve.

Në ndihmën amerikane përfshihen edhe helikopterë, sisteme kundërtanke Javelin, makina taktike, pjesë rezervë për armë të tjera, tha një zyrtar amerikan.

Njoftimi i SHBA-së për të dërguar sisteme të avancuara armësh u pasua me njoftime të ngjashme nga Gjermania dhe Britania.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha më 1 qershor se do t’i dërgojë Ukrainës raketa kundërajrore IRIS-T dhe sistem radarësh.

Në Londër, sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, po ashtu njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë në Ukrainë sisteme të raketahedhësve.

Britania tha se raketahedhësit M270 janë në gjendje të godasin caqet 80 kilometra larg dhe këto armë “do të rrisin aftësitë e forcave ukrainase” teksa ato që prej 24 shkurtit po përballen me pushtimin rus.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se kërkesat e Ukrainës karshi Perëndimit për ta furnizuar me raketahedhës të avancuar shkojnë përtej “çdo limiti” dhe janë “provokime të drejtpërdrejta që kanë për qëllim ta tërheqin Perëndimin në luftime”.

Ai paralajmëroi se armët e reja që do të marrë Ukraina do të rrisin rrezikun e zgjerimit të konfliktit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG