Fenomeni klimatik El Ninjo, që po prek planetin, po merr përmasa të papara, paralajmëroi të mërkurën Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke u bërë thirrje shteteve të ndërmarrin urgjentisht masa për t’u përgatitur për skenarët më të këqij.
El Ninjo pritet të arrijë kulmin në dhjetor, por pasojat për njerëzit nga temperaturat ekstreme, përmbytjet dhe thatësira që lidhen me të, pritet të vazhdojnë deri në vitin 2027 dhe më tej.
OKB-ja bëri thirrje për masa parandaluese për të mbrojtur miliona njerëz që janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve, përpara se të jetë vonë.
“Fenomeni aktual El Ninjo mund të jetë e paprecedentë për nga fuqia: përtej kufijve të grafikëve të monitorimit që kemi përdorur gjatë katër dekadave të fundit”, tha Celeste Saulo, drejtuesja e agjencisë së OKB-së për motin dhe klimën.
“Ne tashmë jemi dëshmitarë të ngjarjeve ekstreme të motit dhe presim që ato të shtohen e të shkaktojnë pasoja zinxhirore, teksa El Ninjo intensifikohet”, tha drejtuesja e Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM) në një konferencë për media në Gjenevë, së bashku me shefin e ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher.
Ata bënë thirrje për “veprim urgjent dhe të koordinuar paraprakisht” për të mbrojtur komunitetet më të cenueshme, të cilat veçse jetojnë në kushte të vështira.
“Ne nuk mund ta ndalim El Ninjon, por mund të parandalojmë shumë nga pasojat e tij më të rënda për njerëzit”, tha Saulo.
Fletcher e përshkroi El Ninjon si një fenomen shkatrrimtar, që do të shkaktojë kaos në Amerikën Latine, Afrikën Lindore dhe Jugore, Azi dhe rajonin e Paqësorit.
Ai tha se pasojat afatgjata “do të ndihen për muaj të tërë dhe potencialisht për vite me radhë... sepse kemi kriza që mbivendosen njëra mbi tjetrën”.
Ai përmendi konfliktet dhe zhvendosjet e mëdha të popullsisë, rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburanteve, plehrave kimike dhe ushqimeve, si dhe shkurtimet e mëdha të ndihmave.
“Rreziku është që dhjetëra miliona njerëz të shtyhen drejt nevojës për ndihmë humanitare”, theksoi ai, duke paralajmëruar se 50 milionë njerëz mund të përballen me uri.
Fletcher, ndërkaq, tha se dy javët e ardhshme janë “kritike për të vepruar”.
Ai paralajmëroi se dëmet nga El Ninjo nuk do të kufizohen vetëm në vendet që do të goditen drejtpërdrejt.
“Ai do të shkaktojë goditje ekonomike për ekonominë globale dhe do të nxisë konflikte të mëtejshme, zhvendosje të popullsisë dhe migrim”, tha ai.
“Po jap alarmin se sistemi humanitar... nuk mund ta përballojë i vetëm një kërcënim të kësaj përmase”.
Ai u bëri thirrje vendeve, bankave për zhvillim dhe institucioneve financiare ndërkombëtare që të vënë në dispozicion fondet “përpara se të shkaktohen dëmet”.
Fletcher tha se kishte vënë në dispozicion 50 milionë dollarë për të ndihmuar 11 vende që janë të rrezikuara drejtpërdrejtë, përfshirë Çadin, El Salvadorin, Etiopinë, Somalinë dhe Sudanin e Jugut.
Fenomeni El Ninjo rrit temperaturat e sipërfaqes së ujit në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor pranë ekuatorit, duke shkaktuar ndryshime globale në erëra, presion atmosferik dhe modelet e reshjeve të shiut.
Ky fenomen ndodh zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth nëntë deri në 12 muaj.
Kushtet luhaten mes El Ninjos dhe të kundërtës së tij, La Ninja, me kushte neutrale në periudhën ndërmjet dy fenomeneve.
Ky fenomen natyror i motit pritet të shkaktojë temperatura më të larta në pjesën më të madhe të planetit, duke i shtuar efektet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti i njeriut.
Parashikimi i fundit i publikuar nga OKB-ja thotë se temperaturat e sipërfaqes së detit në Oqeanin Paqësor tropikal, që është epiqendra e El Ninjos, mund të rriten deri në 3.8 gradë Celsius mbi mesataren gjatë periudhës nëntor-janar. Këto shifra janë shumë më të larta sesa vlerat tipike që shkaktohen nga fenomeni El Ninjo.
Teksa El Ninjo zakonisht arrin kulmin ndërmjet nëntorit dhe shkurtit, rritja e temperaturave që vjen si pasojë e tij zakonisht ndodh më vonë.
Fenomeni i fundit El Ninjo kontribuoi që viti 2023 të ishte viti i dytë më i nxehtë i regjistruar, ndërsa viti 2024 shënoi rekordin e të gjitha kohërave.
El Ninjo aktual veçse ka goditur rëndë disa rajone, përfshirë Amerikën Qendrore, ku kafshët po ngordhin dhe të mbjellat po shkatërrohen si pasojë e thatësisë.