Ndërlidhjet

Ekspertët e OKB-së vizitojnë këtë javë Zaporizhjan


Centrali bërthamor i Zaporizhjas. 4 gusht 2022.

Një mision i agjencisë së OKB-së për siguri bërthamore pritet që më vonë gjatë kësaj jave të vizitojë centralin ukrainas të Zaporizhjas, të okupuar nga rusët. Luftimet në këtë central kanë rritur frikën për një rrjedhje të mundshme masive të rrezatimit.

Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tha përmes një postimi në Twitter më 29 gusht se “ka ardhur dita”, dhe se një ekip ekspertësh i kësaj agjencie “tani është nisur” për në centralin bërthamor, të cilin forcat ruse e pushtuan pak pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

“Ne duhet të mbrojnë sigurinë e centralit të Ukrainës dhe njëherësh centralit më të madh bërthamor të Evropës. Jam krenar që udhëheq këtë mision që do të jetë në Zaporizhja më vonë gjatë kësaj jave”, shkroi Grossi në Twitter.


Ekspertët e Kombeve të Bashkuara pritet të bëjnë vlerësimin e dëmeve në central, të përcaktojnë funksionalitetin e sistemeve të sigurisë, të vlerësojnë kushtet e stafit dhe të kryejnë aktivitete urgjente të sigurisë, tha agjencia.

As Grossi dhe as agjencia që ai udhëheq nuk kanë treguar se kur do të arrijë ekipi i ekspertëve në Zaporizhja.

Ministria e Energjisë së Ukrainës tha se nuk do të komentojë për misionin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, duke u thirrur në “arsye të sigurisë”.

Kombet e Bashkuara dhe Ukraina kanë bërë thirrje për tërheqjen e pajisjeve ushtarake dhe personelit nga centrali dhe që ndërtesa bërthamore të mos jetë cak i konfliktit.

Ky mesazh u përsërit edhe më 29 gusht nga ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. Ai gjatë vizitës në Stokholm tha se Rusia po e vë botën në rrezik nga një aksident bërthamor.

Ndërkaq, G7 ka mirëpritur udhëtimin drejt Zaporizhjas dhe përsëriti shqetësimet lidhur me siguri në central.

“Ne riafirmojnë se centrali i Zaporizhjas dhe elektriciteti që prodhohet aty i takojnë Ukrainës dhe theksojmë se përpjekjet e Rusisë që të shkëpusë centralin nga rrjeti elektrik ukrainas janë të papranueshme”, u tha në deklaratën e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara.

Shqetësimet e sigurisë në këtë central janë përshkallëzuar javëve të fundit, teksa Kievi dhe Moska kanë këmbyer akuza lidhur me sulmet me raketa përreth centralit që gjendet në qytetin jugor ukrainas të Enerhodarit.

Sulme janë raportuar gjatë fundjavës jo vetëm në territorin e kontrolluar nga rusët ngjitur me centralin përgjatë anës së majtë të bregut të Lumit Dniepër, por edhe përgjatë anës së djathtë që kontrollohet nga Ukraina. Sulme janë raportuar edhe në qytetet Nikopol dhe Marhanets, që gjenden rreth 10 kilometra nga centrali i Zaporizhjas.

Uzina bërthamore në rrezik: Ukraina përgatitet për më të keqen
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Agjencia bërthamore ukrainase, Enerhoatom, publikoi një hartë më 28 gusht. Kjo hartë parashikonte se ku mund të përhapej rrezatimi nga centrali në rast të ndonjë aksidenti, duke thënë se në bazë të parashikimeve të erërave për 29 gusht, retë bërthamore mund të përhapeshin në mbarë Ukrainën jugore dhe Rusinë jugperëndimore.

Javën e kaluar, autoritetet nisën të shpërndanin ilaçe jodi për banorët që jetojnë afër centralit të Zaporizhjas, që do të duhej t’i përdornin në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit.

Shumica e shqetësimeve kanë të bëjnë me sistemet e ftohjes së reaktorëve të centralit. Këto sisteme operojnë përmes rrymës dhe centrali përkohësisht u shkëput nga rrjeti elektrik më 25 gusht, për shkak të, siç thanë zyrtarët, një zjarr kishte dëmtuar një linjë të transmisionit. Një dështim i sistemeve të ftohjes do të mund të shkaktonte një shkrirje bërthamore.

Enerhoatom tha më 27 gusht se granatimet periodike kanë shkatërruar infrastrukturën e centralit.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha më 28 gusht se nivelet e rrezatimit ishin normale dhe se dy prej gjashtë reaktorëve të Zaporizhjas ishin duke funksionuar. Po ashtu u raportua se nga luftimet ishte dëmtuar një tubacion uji, që veçse është riparuar.

XS
SM
MD
LG