Ndërlidhjet

Nis procesi gjyqësor për rastin Ivanoviq


Seanca gjyqësore për të akuzuarit për vrasjen e Ivanoviqit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:03 0:00

Në seancën fillestare para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës kanë dalë gjashtë të dyshuarit që akuzohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, i cili ishte kryetar i iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori Special Blerim Isufaj, tha se të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Rosiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisa Markoviq and Zharko Jovanoviq ishin pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq. Këta të fundit, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ende ndodhën në arrati. Në arrati për këtë rast është edhe ish-eprori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë e Veriut, Zejlko Bojiq.

Të akuzuarit, u deklaruan para gjykatës të pafajshëm.

Por, prokurori Isufaj tha se ky grup ishte aktiv që nga viti 2011 dhe se ishte i përfshirë në vepra të ndryshme kriminale.

“Ky grup kriminal ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ndihmës së kryerjes së veprës penale vrasjes së rëndë, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës. Secili nga të pandehurit ka kryer veprime inkriminuese konkrete për grupin në fjalë, me ç’rast, veprimtaritë e këtij grupi kriminal të organizuar kanë rezultuar me vdekjen e të ndjerit Oliver Ivanoviq”, tha Isufaj.

Vendi ku ishte vrarë Oliver Ivanoviq, 16 janar 2018
Vendi ku ishte vrarë Oliver Ivanoviq, 16 janar 2018

Gjatë leximit të akztakuzës, prokurori Isufaj tha se veprimet e grupit kishin për qëllim realizimin e përfitimeve financiare si dhe rritjen e ndikimit të tyre politik në komunën e Mitrovicës së Veriut.

“Aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke e ditur që pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejt apo të tërthortë të dobisë financiare apo të dobisë tjetër pasurore me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe kontrollin e politikës në territorit në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha Isufaj.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për këtë rast përshkruhen veprimet e gjithsecilit të akuzuar.

Disa nga ta, thuhet se kishin ndihmuar drejtpërsëdrejti në krijimin e rrethanave që quan deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Aktakuza përshkruan veprimet e grupit të cilësuar si kriminal që nga koha kur ata kishin filluar të përcillnin çdo veprim të Ivanoviqit e deri te data 16 janar e vitit, 2018, kur persona ende të paidentifikuar kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Në aktakuzë thuhet se hetuesi policor, Rade Basara, kishte keqpërdorur autoritetin zyrtar pasi nga pozita e hetuesit kishte ndihmuar në fshehjen e provave. Po ashtu Nedelko Spasojeviq akuzohet për fshehje të provave të rastit, pasi ai së bashku me dy policë të tjerë kishin qenë të parët në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës në planifikim e vrasjes së Ivanoviqit ka qenë e përfshirë edhe administratorja e zyrës së Oliver Ivanoviqit e cila kishte qenë në njohuri për fikjen e kamerave të sigurisë si dhe aktivizimin e tyre pak minuta pas vrasjes.

Ky proces gjyqësor ishte paraparë që të fillonte kohë më parë mirëpo u shty për shkak të ndryshimit të aktakuzës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Ivanoviq ka qenë ndër politikanët më të rëndësishëm ndërkohë që për disa vite rresht ai u përball me një proces gjyqësor nën akuzat për “rolin e tij” në vrasjen e shqiptarëve nga luftës së viteve 98-99.

Vrasja e Oliver Ivanoviq ndodhi me 16 janar të vitit 2018 në hyrje të objektit të zyrës së subjektit politik që ai drejtonte në komunën e Mitrovicës Veriore.

XS
SM
MD
LG