Ndërlidhjet

Varhelyi në Shqipëri: Ju keni rëndësi për ne


Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi. Fotografi nga arkivi.
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi. Fotografi nga arkivi.

Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer, të cilat janë donacion nga Bashkimi Evropian.

Për këtë donacion me vlerë afër një milion euro foli komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi në vizitën e tij zyrtare në Tiranë.

“Jam i kënaqur që kemi arritur deri në fund të këtij procesi që më ka sjell këtu me dorëzimin e vaksinave. Ne kemi punuar shumë që kjo gjë të bëhet realitet, në një moment kyç, në një moment kur ne duhet të dalim nga kjo pandemi. Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer, që jo vetëm po i sjell këtu BE-ja, janë dhurim, janë një donacion për ju nga ana jonë, për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne,” tha ai të mërkurën, më 5 maj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e përbashkët me komisionerin evropian tha se Varhelyi ka qenë zëri i arsyes në Komisionin Evropian, për të mos lënë jashtë Ballkanin nga skema e vaksinave.

“Unë dua t’i shpreh mirënjohjen edhe dua ta falënderoj publikisht (komisionerinVarhelyi) për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kohë të jashtëzakonshme”, tha Rama.

Edhe pse shpesh kritik ndaj Bashkimit Evropian dhe qasjes së vendeve anëtare ndaj atyre joanëtare gjatë pandemisë, Rama tha se Komisioni Evropian u kthye në “motor solidariteti”.

“KE-ja u kthye si motor i solidaritetit jo vetëm për planet e rimëkëmbjes, por edhe për vaksinimin e vendeve evropiane, përfshirë gjashtë vendet e rajonit tonë”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Rama shtoi gjithashtu se deri në gusht, Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e dakorduar të vaksinave.

Në anën tjetër, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Varhelyi komentoi edhe zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe kontestimin e opozitës mbi këtë proces.

Sipas komisionerit të BE-së, procesi zgjedhor tashmë ka hyrë fazë të certifikimit dhe duhen rezultate të qarta sa më shpejt, për të mundësuar çuarjen para të procesit të integrimit të Shqipërisë.

“Duam të shohim të gjitha parregullsitë, qoftë dhe blerjen e mundshme të votave. Pas rezultateve do të na duhet që kuvendi të fillojë punën shumë shpejt për reformat e BE-së. Pa kuvendin e plotë nuk mund të ecet përpara drejt BE-së. Nëse do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, puna duhet të përshpejtohet jo vetëm nga qeveria, por dhe nga kuvendi. Po presim procesin e apelimit dhe shpresoj që Shqipëria të ecë përpara”, tha Varhelyi.

Kryeministri Rama shtoi pas deklaratës së komisionerit Varhelyi se “mandati i tretë nuk do të jetë me luftë të brendshme politike”.

Ai theksoi se qeveria e tij “do të fokusohet te puna” dhe “do të mbajë dorën shtrirë pa ndërprerje për PD-në për një proces diskutimi për kontribut të përbashkët për të shtyrë Shqipërinë drejt BE-së”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG