Ndërlidhjet

VMRO-ja kërkon lirimin e të dënuarve për 27 prillin


Protesta e mbajtur në Shkup më 25 prill, 2021.

Opozita ka protestuar të dielën para Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me kërkesën për lirimin e të dënuarve për dhunën në kuvend më 27 prill të vitit 2017.

Para katër vjetësh, një protestë e opozitës ishte përshkallëzuar në dhunë, pasi demonstruesit kishin hyrë në kuvend, duke sulmuar fizikisht shumë deputetë, në mesin e të cilëve edhe liderin e atëhershëm të opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër dhe kryetarin e opozitës shqiptare, Ziadin Sela.

Protesta ishte organizuar kundër zgjedhjet së një shqiptari për kryetar të kuvendit, por edhe si refuzim për ndërrimin e pushtetit që deri atëherë drejtohej nga VMRO-DPMNE-ja, që udhëhiqej nga NIkolla Gruevski.

Për dhunën në kuvend, 16 persona, kryesisht zyrtarë të opozitës, janë dënuar me mbi 180 vjet burg, nën akuzën për “terrorizëm dhe prishje të rendit kushtetues”.

Lideri i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski tha para protestuesve se të dënuarit janë “njerëz të ndershëm, që kishin protestuar për mbrojtjen e rendit kushtetues”.

"Ne nuk duhet të heshtim për padrejtësinë, burgu i drejtësisë është më i vështiri dhe shoqëria nuk duhet të lejojë improvizime. Pushteti po mban në burg ata që mbrojtën shtetin, ndërsa po lë të lirë kriminelët dhe bosët e drogës”, ka deklaruar Mickovski.

Ndërkohë, vazhdojnë edhe procese gjyqësore kundër drejtuesve tjerë të VMRO-DPMNE-së përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe ish-kryetarin e kuvendit, Trajko Veljanovski.

Protesta është mbështetur edhe nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski i cili ndodhet në arrati në Hungari, ku ka fituar azilin politik.

Gruevski është dënuar me dy vjet e gjysmë burg për shpërdorim të detyrës për blerjen e një makine zyrtare në vlerë prej gjysmë milioni euro, por ndaj tij po zhvillohet edhe disa procese tjera gjyqësore.

Hungaria ka refuzuar ekstradimin e tij, duke e pajisur Gruevskin edhe me shtetësi hungareze.

XS
SM
MD
LG