Ndërlidhjet

Opozita kritikon Qeverinë për moszbatim të MSA-së


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të përparimeve në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Deputetët opozitarë kanë përmendur vonesa, që sipas tyre, janë evidentuar në realizmin e masave që lidhen me kriteret politike dhe ekonomike të MSA-së, si marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Në interpelancën me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për kuartalin e katërt 2017 dhe kuartalin e parë 2018, partitë opozitare kanë theksuar se Qeveria e Kosovës ka treguar joseriozitet në zbatimin e MSA-së.

Interpelanca është thirrur nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Avdullah Hoti, shef i grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se ka vonesa serioze në realizmin e 60 për qind të masave që lidhen me kriteret politike dhe 53 për qind të masave që lidhen me kriteret ekonomike. Sipas tij, ka ngecje në parandalimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizimit dhe krimeve financiare.

"Analiza jonë lidhur me masat e parapara në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së tregon mungesë të progresit. Duhet ditur që këto masa janë të detyrueshme për secilin institucion shtetëror të Kosovës, por zbatimi i MSA-së ashtu siç shumë çështje të tjera që lidhen me mirëqenën e qytetarëve kanë rënë nën hijen e interesave të tjera të këtij koalicioni”, thotë Hoti.

Ndërkohë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, theksoi se procesi i integrimit evropian është karakterizuar me një dinamikë progresive viteve të fundit.

Sipas saj, Qeveria ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në konsolidimin e planifikimit dhe zbatimit të politikave nacionale për zbatimin e MSA-së.

“MSA ka hyrë në fuqi, duke krijuar nga një anë obligimet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe nga ana tjetër duke përfaqësuar themelet e anëtarësimit tonë në BE. Jemi në prag të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova tani më është pjesë e programeve të BE-së në nivelin e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ministrja Hoxha.

BE-ja dhe Kosova, ka shtuar Hoxha, kanë dakorduar asistencë zhvillimore për të përkrahur sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve në vlerë prej 645 milionë euro për periudhën 2014-2020.

Sa i përket shkallës së zbatimit të masave legjislative gjatë vitit 2017, Hoxha ka shtuar se të gjeturat tregojnë se 38.47 për qind apo 100 e masave, janë zbatuar.

Fitore Pacolli, deputete nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka dështuar në realizmin e masave të planifikuara për zbatimin e MSA-së.

“Tremujori i parë i vitit 2018 na tregon se Qeveria jo që ka ngecura, por ka mbetur shumë mbrapa dhe nuk ka arritur të realizojë masat e planifikuara të vitit 2017. Një pasqyrë të qartë se çfarë pune ka bërë Qeveria shihet mirë në tre mujorin e fundit të vitit 2017. Nga 967 masat e planifikuara gjatë vitit 2017 janë realizuar vetëm 600 masa. Pra kjo është dështim dhe për këtë Qeveria dhe Ministria e Integrimeve dhe ministritë përgjegjëse duhet të japin përgjegjësi”, ka theksuar Pacolli.

Marrëveshja për Stabilizim -Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës ishte nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, derisa ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë që mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG