Ndërlidhjet

Opozita në Shqipëri djeg mandatet


Foto nga arkivi, opozita sulmon kryeministrin Rama
Foto nga arkivi, opozita sulmon kryeministrin Rama

Dy partitë opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë djegur mandatet në Parlamentin e Shqipërisë.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se partia e tij me votë unanime miratoi djegien e mandateve të deputetëve të saj brenda Kuvendit të Shqipërisë.

“Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor që të shembim një qeveri të krimit – për krimin dhe nga krimi, dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”, tha Basha.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka bërë thirrje që të gjitha palët të reflektojnë dhe se veprime të tilla nuk i shërbejnë demokracisë të Shqipërisë.

“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht edhe integrimit evropian të vendit – që është dëshirë e çdo qytetari shqiptar”, tha Meta.

Presidenti tha se ky veprim e kthen mbrapa edhe opozitën edhe qeverinë, por shtoi se mazhoranca duhet të kuptojë se përgjegjësitë kryesore janë të tyre.

“Kemi një hap mbrapa nga opozita por kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca dhe qeveria dhe kryeministri të cilët duhet të kuptojnë që në fund fare përgjegjësitë kryesore janë të tyre për qeverisjen e vendit. Është detyrë e tyre të japin shembullin në respektimin e Kushtetutës”, shtoi Meta.

Përderisa përflitej djegia e mandateve, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri një ditë më parë ka reaguar ndaj këtij vendimi të opozitës, duke thënë se “një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese”.

“Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri.

Edhe misioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE-së të vendosura në Tiranë e kanë bërë thirrjen e njëjtë, duke thënë se proceset demokratike të Shqipërisë duhet të vazhdojnë të ndërtohen me angazhimin e opozitës në Parlament.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca zhvilloi një takim me kryetarin e PD-së Lulzim Basha ku diskutoi mundësinë e tërheqjes së opozitës nga vendimi për djegien e mandateve.

“Bashkimi Europian ka qenë shumë i qartë dhe ia kemi shpjeguar pozicionin tonë liderit të opozitës. Është e rëndësishme për të folur. Nesër [dita e protestës] është një ditë e rëndësishme. Nuk presim të ketë dhunë. Presim një proces demokratik për ta ndjekur në vijim”, tha Soreca.

Vendimi për djegien e mandateve vjen disa ditë pas një proteste të organizuar nga opozita, e cila u përshkallëzua dhe dhjetëra persona u lënduan.

Nëntëmbëdhjetë protestues u arrestuan për dëmtimin e pronës publike, përkatësisht Kryeministrisë. Gjykata e Tiranës ka konfirmuar arrestin me burg për 6 prej tyre ndërsa për të tjerët u vendos arresti në shtëpi ose detyrimi për paraqitje.

Në një mbledhim me qytetarët në Pukë, kryeministri Edi Rama u shpreh se përpjekjet e opozitës i sheh si justifikime dhe ikje për t’u ballafaquar me votuesit.

“Të gjitha janë justifikime. Të gjitha janë alibi. Të gjitha janë mënyra për t’i ikur ballafaqimit me qytetarët, për t’i ikur ballafaqimit me zgjedhësit. Ne jetojmë në një sistem ku vendimet mbi kush qeveris dhe kush është në opozitë i marrin qytetarët në zgjedhje”, tha Rama.

Partia Socialiste në Shqipëri, e drejtuar nga Edi Rama, udhëheq vendin pa koalicion dhe ka 78 ulëse në Parlament.

Opozita shqiptare ka thirrur protestë për ditën e enjte, me të njëjtat kërkesa si ajo e herës së kaluar.Ata kërkojnë që qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama të largohet dhe te krijohet një qeveri tranzitore deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Shqipërisë i ishte dhënë statusi i kandidatit për Bashkim Evropian në vitin 2014 dhe pret të fillojë negociatat për t’iu bashkuar familjes evropiane në muajin qershor të këtij viti.

Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ndaj trafikut të drogës janë fushat kryesore që vendi duhet të punojë para se të fillojnë këto bisedime.

XS
SM
MD
LG