Ndërlidhjet

Opozita synon ta ndalë Thaçin


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Me vetëm një pikë të rendit të ditës, më 4 shtator, deputetët e opozitës, po synojnë t’ia ndërpresin rrugën presidentit Hashim Thaçi, në bisedimet me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.

Ndonëse kjo seancë nuk është thirrur ende zyrtarisht nga Kryesia e Kuvendit, opozita thotë se i ka nënshkrimet tashmë të deputetëve që i mundësojnë caktimin e seancës.

Kërkesa për senacë të jashtëzakonshme
Kërkesa për senacë të jashtëzakonshme

Me nismën e Lidhjes Demokratike e Kosovës, opozita synon që në seancën e jashtëzakonshme të propozojë nxjerrjen e një rezolute, përmes së cilës do të kërkohet që t’i ndalohet Presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha për Radion Evropa e Lirë se “pika e vetme e kësaj seance, ka të bëjë me diskutimet e pamatura dhe të paautorizuara të presidentit Hashim Thaçi”.

Abdixhiku thotë se me këtë përbërje të Qeverisë aktuale, nuk mund të krijohet as ekip negociues që do t’i udhëhiqte bisedimet me Serbinë. Sipas tij, rruga e vetme për të vazhduar bisedimet për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, është që vendi fillimisht të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe më pas, institucionet e reja të marrin përsipër udhëheqjen e këtyre proceseve.

“Është e pakuptimtë të flitet për ndonjë ekip dialogues brenda institucioneve të tanishme. Na duhet legjitimitet, e legjitimiteti arrihet vetëm me zgjedhje të jashtëzakonshme”, thotë Abdixhiku.

Derisa Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka paralajmëruar protesta në muajin shtator, nëse tentohet të ndryshohen kufijtë e Kosovës.

(Video: Ndryshim të kufijve? Shqiptarë e serbë në ankth)

Ndryshim të kufijve? Shqiptarë e serbë në ankth
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:52 0:00

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Driton Çaushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi kryesor i seancës së 4 shtatorit, është që më në fund Kuvendi të marrë në dorë përgjegjësinë që i takon në raport me bisedimet me Serbinë.

Çaushi ka akuzuar partitë tjera opozitare që kanë pushuar tërë verën dhe i kanë lejuar presidentit Thaçi që të vazhdojë të bisedojë me presidentin serb.

“Siç e keni parë, qëllimi kryesor i rezolutës aktuale do të jetë parandalimi i çfarëdo vendimmarrje jolegjitime dhe të rrezikshme për rendin kushtetues dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Kuvendi të marrë në dorë përgjegjësitë që i takojnë në mënyrë institucionale dhe kushtetuese, për të përcaktuar kufizimet që aktualisht presidenti Thaçi tenton të marrë përgjegjësi për dialogun”, thotë Çaushi.

Kjo nismë e partive opozitare për seancë të jashtëzakonshme, është përkrahur edhe nga dy partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës.

Partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kanë bërë të ditur se do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, thotë se mbështesin një seancë të tillë, përmes së cilës i bëhet e qartë presidentit Thaçi, që nuk ka të drejtë të flasë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Nisma Socialdemokrate, përkatësisht deputetët e Nismës, do të marrin pjesë në seancën e ftuar për të debatuar lidhur me çështjen e bisedimeve me Serbinë, mirëpo në asnjë mënyrë nuk pranon, nuk mbështetë dhe as nuk do të jetë pjesë e bisedimeve që do të kishin për objekt shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e territoreve”, thotë Sherifi.

Por, në Partinë Demokratike të Kosovës, thonë se kjo seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita nuk është serioze.

Memli Krasniqi, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo po bëhet më shumë për politika ditore të partive opozitare.

“Ky tentim për të futur edhe një panik në opinionin publik, një huti edhe më të madhe se që ekziston, është një tendencë e opozitës për t’u larguar nga qëllimi i krijimit të konsensusit të përbashkët pozitë dhe opozitës dhe për të arritur ndoshta edhe një qëllim ditor politik, por jo për t’i mundësuar Kosovës një përfaqësim adekuat të përbashkuar në procesin e Brukselit”, thotë Krasniqi.

Nisma e partive opozitare, po përkrahet edhe nga një pjesë e shoqërisë civile, të cilët i kanë bërë thirrje Kuvendit që të trajtojë çështjen e negociatave me Serbinë dhe sidomos paralajmërimet për korrigjimin e kufirit, si dhe të ketë një rol më aktiv në procesin final të negociatave me Serbinë.

Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Bazuar në deklaratat e dy presidentëve në Forumin Evropian të mbajtur në Alpbach të Austrisë gjatë fundjavës, korrigjimi i kufirit do të jetë pjesa kryesore e marrëveshjes që Thaçi e Vuçiq synojnë të arrijnë.

XS
SM
MD
LG