Ndërlidhjet

Orban sulmon shtetet ‘jodemokratike’ të Evropës Perëndimore


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka sulmuar ato që ai i quajti shtete “jodemokratike” të Evropës Perëndimore dhe sërish ka shprehur qëndrimin e tij për një Evropë të krishterë dhe “joliberale”.

“Ka liberalizëm në Perëndim, por nuk ka demokraci”, tha Orban gjatë një tubimi me hungarezët etnikë në Rumaninë fqinje.

Ai tha se censura është “bërë e zakonshme” në Evropën Perëndomore dhe se vendet atje kanë imponuar “kufizime në lirinë e shprehjes”.

Orban, që është nacionalist i krahut të djathtë, në mënyrë specifike ka sulmuar Komisionin Evropian, të cilin e ka cilësuar si “simbol të dështimit”.

“Komisioni Evropian po shkon, ne po vijmë”, tha Orban për këtë institucion të Bashkimit Evropian që propozon legjislacion dhe zbatimin e vendimeve dhe traktateve.

Kryeministri hungarez tha se zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm në Parlamentin Evropian do të dominohen nga “një temë serioze dhe e përbashkët – emigracioni”.

Orban u bëri thirrje partive të krahut të djathtë që të bashkojnë forcat dhe që të gjitha “të përqendrohen në zgjedhjet evropiane të vitit 2019” dhe që ta vënë migracionin në krye të agjendës së tyre.

“Demokracia e krishterë nuk është liberale... Është joliberale, nëse dëshironi ta quani kështu”, tha Orban, i cili në muajin prill fitoi mandatin e tretë radhazi, për të qeverisur me shtetin hungarez.

Një bilbord kundër migrantëve është vendosur nga Qeveria hungareze në rrugët e Budapestit. 4 prill, 2018.
Një bilbord kundër migrantëve është vendosur nga Qeveria hungareze në rrugët e Budapestit. 4 prill, 2018.

Kryeministri i Hungarisë tha se politikat “elite” të Bashkimit Evropian kanë dështuar që ta mbrojnë Evropën nga emigracioni mysliman. Ai tha se “demokracia e krishterë” kundërshton multi-kulturalizmin dhe emigracionin dhe se është anti-komuniste, por qëndron përkrahë vlerave të krishtera.

Orban, është njëri prej figurave qendrore që kundërshton migracionin në Bashkimin Evropian.

Hungaria ka ndërtuar një rrethojë me gjemba përgjatë kufirit të saj për të parandaluar hyrjen e migrantëve në vend dhe ka miratuar një sërë ligjesh kundër migrantëve. Ky shtet po ashtu kunëdrshton operacionet në ndihmë të migrantëve, që kryhen nga organizata të ndryshme.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG