Organizatat serbe nga Kosova me kallëzim penal ndaj Vuçiqit

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Përfaqësuesit e tri organizatave serbe nga Kosova kanë dorëzuar të hënën, më 16 nëntor, në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd kallëzim penal ndaj ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë shtetërorë, për shkak të, siç thanë, politikës së tyre ndaj Kosovës.

Ata thanë se Vuçiqi, ish-kryeministrat Ivica Daçiq dhe Ana Bërnabiq, si dhe ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë “tejkaluar kompetencat” dhe kanë kontribuar në “krijimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur”.

Kallëzimi penal u dorëzua pas humbjes së pushtetit të Vuçiqit dhe fitores së Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare që Serbia mbajti më 25 tetor. Atë e nënshkruan kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçillo Trajkoviq, udhëheqësit e lëvizjes “Atdheu”, Marko Jakshiq dhe Sllavisha Ristiq, si dhe udhëheqësit e Këshillit Nacional Serb të Kosovës, Ljubisha Dabiq dhe Momir Stojanoviq.

Kërkohet rishqyrtimi i marrëveshjeve me Kosovën

Udhëheqësit e organizatave serbe i akuzuan ish-zyrtarët për shuarjen e institucioneve në Kosovë që funksiononin në kuadër të sistemit paralel të Serbisë dhe i kërkuan Prokurorisë të rishqyrtojë integrimin e policisë dhe të gjyqësorit në sistemin e Kosovës.

Nënshkruesit kërkuan në kallëzimin penal edhe rishqyrtimin e Marrëveshjes së Brukselit që kanë arritur Kosova dhe Serbia.

Për këtë marrëveshje, të nënshkruar në vitin 2013, si dhe për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ata thanë se “i ka dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare serbe”.

Ata kërkuan gjithashtu rishqyrtimin e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe asaj të Ohrit, Planit franko-gjerman, si dhe të të gjitha obligimeve që ka marrë përsipër Serbia.

Kallëzim penal kanë dorëzuar edhe ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetarit të Listës Serbe, duke kërkuar që të hetohet roli i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë “në presionet e mundshme ndaj popullatës serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës”.

Ata kërkuan edhe rishqyrtimin e mënyrës se si janë shpenzuar paratë që Serbia ka investuar në Kosovë, duke thënë se ka shumë të dhëna që tregojnë se ato janë keqpërdorur.

Hetimi për Banjskën dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçillo Trajkoviq, tha se me kallëzimin penal kërkojnë edhe hetimin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në vitin 2018 në Mitrovicë, “për të hetuar lidhjet e mundshme të personave ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi me këtë rast”.

Lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023 nga një grup serbësh, Trajkoviq tha se kërkojnë verifikimin e rrjedhave financiare dhe të komunikimeve, “për të përcaktuar nëse personat ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi kanë pasur dijeni paraprake për ngjarjen ose kanë kontribuar në të”.

Udhëheqësit e tri organizatave serbe thanë se presin që Prokuroria, pas ndërrimit të pushtetit në Serbi, të merret me çështjet e ngritura në kallëzimin e tyre, ndërsa nga Lista Studentore thanë se presin bashkëpunim në politikën ndaj Kosovës.

Propozimi për një “strategji për Kosovën”

Trajkoviqi paralajmëroi se së shpejti do t'ia prezantojë pushtetit të ri në Serbi “strategjinë e tij për Kosovën”, pa dhënë hollësi.

“Ajo që kërkojmë është ndalimi i proceseve negative në Kosovë dhe, në këtë drejtim, do të propozojmë masa urgjente dhe strategjike”, tha Trajkoviqi.

Lista Studentore ka deklaruar në programin e saj se sa i përket Kosovës do të veprojë në përputhje me Kushtetutën, e cila përcakton se Kosova, që shpalli pavarësinë në vitin 2008, është pjesë përbërëse e Serbisë.

Përfaqësues të Listës Studentore e vizituan Kosovën pas fitores në zgjedhje, ndërsa kandidatja e tyre, Emilija Markoviq, deklaroi se programi i studentëve parasheh edhe që Gjykata Kushtetuese e Serbisë t'i rishqyrtojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Nga Bashkimi Evropian kanë theksuar se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk i ndryshon obligimet që ky shtet ka në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë edhe ato që burojnë nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të arritur më 2023 dhe Aneksi për zbatimin e saj.

Me këtë marrëveshje, Serbia, ndër të tjera, është zotuar se do ta respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe nuk do ta pengojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovëdhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas zgjedhjeve në Serbi se shpreson që Beogradi ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës si shtet i pavarur dhe kështu të hapë rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dz shteteve fqinje.

​
XS
SM
MD
LG